Smartphone-t “flasin” gjithnjë e më shumë kinezçe

03/11/2020 5:25 PM 0 komente

Xiaomi zbret nga podiumi Apple… Sipas shoqërisë së kërkimeve, IDC, Apple zbret në vendin e katërt në tregun botëror të smartphone-ve

 

Ekzistojnë disa interpretime të shifrave të shitjeve të smartphone-ve në tremujorin e tretë të vitit. Së pari, dhe më e rëndësishmja në disa aspekte, është kapërcimi i Apple nga Xiaomi: prodhuesi kinez, sipas të dhënave të përpunuara nga shoqëria e kërkimit IDC, fiton vendin e tretë në podium, me një rritje 42% të vëllimit në periudhën në fjalë (46,5 milionë njësi të dërguara), duke zënë 13,1% të tregut.

Kompania e Apple, për shkak edhe të vonesës në prezantimin e modelit të ri iPhone 12, duhet të përballet me një rënie të dërgesave më shumë se 10% krahasuar me një vit më parë (nga 46,6 milionë në 41,6 milionë iPhone), ose 11,8% në pjesë tregu.

Tremujori i katërt fiskal, për kompaninë me seli në Cupertino, u mbyll me një qarkullim rekord prej 64,7 miliardë dollarësh (ku iPhone kontribuuan me “vetëm” 26,4 miliardë dollarë, duke kapur vlerën më të ulët që nga 2014).

Samsung rikthehet në vend të parë, Huawei vuan pasojat e ‘ndalimit’ amerikan

Samsung lë pas Huawei, i cili, të paktën në dukje, e ka të vështirë të kapërcejë valën e gjatë “të bllokimit” të vendosur nga administrata amerikane dhe mospërdorimin e Android dhe të mijëra shërbimeve të Google. Kolosi me seli në Shenzen, gjithnjë sipas IDC, ka humbur në tremujorin e tretë 22% të shitjeve krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019 dhe me 51,6 milionë njësi të dërguara (14,7 milionë më pak se një vit më parë) e mbyll tremujorin e tretë me një marketshare prej 14,7%. Në anën tjetër, kolosi korean rikuperon në mënyrë të ndjeshme pjesë të terrenit të humbur, duke kapërcyer tavanin e 80 milionë smartphone të shitur dhe duke i parë rivalët nga lart poshtë me një pjesë tregu prej 22,7%.

Rimëkëmbja e tregut është në linjë me 2019

Një tjetër tregues që nuk kalon pa u vënë re është qëndrueshmëria e sektorit krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, kur pandemia ishte një fenomen absolutisht i paparashikuar. Në periudhën korrik – shtator 2020, dërgesat me bazë vjetore arritën në 353,6 milionë njësi, në një rimëkëmbje të fortë krahasuar me ngadalësimin e mprehtë në tremujorin e dytë dhe në rënie krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, me 1,3%. Mbetet për t’u parë, me masat e reja që po marrin gjitha vendet europiane, se çfarë do të ndodhë në tremujorin e fundit të vitit, ku blerjet kanë qenë gjithnjë të larta.

Dy kompani, ende pak të njohura, si Realme & Vivo, kanë shënuar përkatësisht një rritje të dërgesave me 45% dhe 4% me bazë vjetore. Këto rezultate e rendisin të parën (sipas të dhënave të Counterpoint Research) në pozicionin e shtatë dhe të dytën (të dhënat e IDC) në vend të pestë, duke zënë një pjesë tregu prej 8,9%, 3 pikë përqindje nën performancën e Apple. Siç shihet ka shumë kompani kineze në “top 10”, edhe falë pranisë së Oppo, Lenovo dhe Tecno (markë e Transsion Holding) dhe kjo, natyrisht, nuk është rastësi.

Burimi: Il Sole 24 Ore

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of