Snapchat shpreson që një pjesë e re e aplikacionit të tij të konkurrojë me TikTok dhe është e gatshme të shpenzojë 1 milion dollarë në ditë për të mposhtur rivalin e tij në rritje.
Funksioni i ri i Snapchat quhet Spotlight dhe do të sjellë përmbajtje nga përdoruesit që njerëzit nuk i ndjekin ende – ky është një fillim i ri për Snapchat, i cili e ka ruajtur fokusin kryesor te mesazhet mes miqve. Përdoruesit do të zgjedhin nëse dëshirojnë të publikojnë përmbajtjet e tyre në Spotlight dhe njerëzit me postime më tërheqëse do të ndajnë fondin e caktuar për këtë aktivitet.
Snapchat thotë se do të vlerësojë postimet me performancën më të mirë në bazë të shikueshmërisë unike. Por shoqëria nuk dha shumë detaje se si do ta shpërndajë fondin e saj 1 milion dollarësh. Snapchat do të vijojë të shpërndajë paratë të paktën deri në fund të vitit. Ndërkohë, përdoruesit që nuk janë të interesuar që të publikojnë te Spotlight do të jenë në gjendje të analizojnë funksionin po aq sa njerëzit në Instagram kontrollojnë Explore Tab dhe të tjerë në TikTok lëvizin nëpër faqen For You.
Mes gjigantëve të rrjeteve sociale ka një garë të vendosur për të ndalur rritjen e shpejtë të TikTok. Në dy vitet e fundit, numri i përdoruesve të TikTok është rritur nga 14,6 milionë përdorues aktivë në SHBA në rreth 40 milionë në tetor. Instagram ‘qëlloi’ i pari, me videot e tij Reels në gusht, pasi i kishte testuar jashtë vendit për gati një vit. Nga atëherë ka hequr dorë nga homepage i tij historik për aplikacionin Reels, duke nënvizuar rëndësinë që Instagram po i jep funksionit të ri.
Pikërisht ndërkohë që Instagram po debutonte me Reels, dukej se platformës së fotove dhe të rrjeteve të tjera sociale po u buzëqeshte fati. Administrata e Trump ishte gati të ndalonte TokTok dhe po detyronte shoqërinë me pronësi kineze t’ia shiste një kompanie amerikane. Kështu lindën pyetje të tipit nëse TikTok do të vijonte të rritej edhe nëse do të kishte ndryshuar pronësi, pasi nuk ishte e qartë nëse blerësi i mundshëm do të merrte të gjithë teknologjinë kryesore që përdor aplikacioni.
Por TikTok ka fituar disa kauza gjyqësore kundër qeverisë federale dhe me përfundimin e mandatit të presidentit Trump së shpejti, e ardhmja e kompanisë duket më e favorshme, duke nxitur rivalët e saj të ngrenë nivelin për të konkurruar me të.
Funksioni Spotlight i Snapchat, për momentin është i disponueshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Britaninë e Madhe dhe nëntë vende të tjera, me synimin për t’u përhapur në të gjithë botën. Shoqëria thotë se do të ndryshojë në vazhdimësi përmbajtjen që shfaqet në Spotlight dhe nuk do të lejojë asnjë koment nga publiku. Ndër të tjera, videot Spotlight nuk do ta shfaqin emrin dhe profilin e personit që i ka dërguar. Duke ruajtur këto identitete të fshehta, do të bllokojë mesazhet toksike dhe me urrejtje në postën e përdoruesve.
Burimi: Forbes