Biblioteka me mure prej xhami është konceptuar si një pyll me pemë
Biblioteka e re që pritet të ndërtohet afër pjesës qendrore të Pekinit nga kompania arkitekturore Snøhetta në Kinë nuk u ngjason fare bibliotekave normale të qytetit tuaj.
Ajo do të ketë mure me xhama që rrethojnë një sërë kolonash në formën e pemëve, si dhe një çati të ngjashme me tendat që përdoren në pyll. Qëllimi i këtij projekti tërheqës është që vizitorët të jenë në gjendje të shijojnë një mjedis plot me dritë që i ngjan kënaqësisë së uljes nën një pemë dhe leximit të një libri.
Biblioteka do të ketë lartësi 16 metra dhe, sipas Snøhetta, do të jetë projekti i parë i fasadës me vetëmbështetje prej xhami në Kinë. Dizajni i brendshëm ka disa ngjashmëri me Selinë Qendrore Johnson Wax të Frank Lloyd Wright.
Projektuesit mund të jenë frymëzuar nga arkitektura e këtij objekti, ose këto ngjashmëri mund të jenë edhe thjesht rastësi. Struktura e bibliotekës do të përfshijë vende për t’u ulur, të ngjashme me një amfiteatër, hapësira të vogla joformale për lexim, si dhe ambiente që nxisin socializimin me vizitorët e tjerë. Motivet që të sjellin ndër mend pyllin nuk janë thjesht për pamjen, por shërbejnë edhe për një qëllim praktik.
“Nga ky peizazh ngrihen kolonat që arrijnë deri lart për të mbajtur çatinë, e cila duket si një tendë e ngjashme me pyllin xhinko,” shpjegon kompania Snøhetta. “Çdo kolonë peme është gjithashtu një komponent i teknologjisë së ndërtimit, që përbën një sistem teknologjik të shpërndarë i cili menaxhon kontrollin e temperaturës, ndriçimin, komoditetin akustik dhe largimin e ujit të shiut.
Pjesa e shkallëve në një mjedis që u ngjan pemëve i fton njerëzit të ulen dhe të bëjnë një pushim në çdo moment gjatë udhëtimit të tyre nëpër këtë ndërtesë, duke krijuar një mjedis informal dhe ndjesinë e të ulurit nën një pemë duke lexuar librin e preferuar.
“Nën tendën e çatisë dhe në lartësi të ndërtesës është një larmi hapësirash ku vizitorët mund të gjejnë vendin e tyre privat për të lexuar dhe për të mësuar, duke qenë gjithmonë të lidhur me zonën e madhe të përbashkët. Dizajni krijon një ndërthurje ndjenjash në të njëjtën kohë: sikur je në lartësi dhe poshtë, në një mjedis të hapur dhe të mbyllur, privat dhe publik.”
Përveç sistemit të grumbullimit të ujit të shiut, biblioteka e re në Pekin që do të ndërtohet në afërsi të qendrës së qytetit, do të ketë gjithashtu panele diellore të integruara në çatinë e saj për të reduktuar nevojat nga rrjeti elektrik, si dhe disa seksione të dala në çati për të minimizuar thithjen e nxehtësisë diellore.
Fasada prej xhami do të kontrollohet nëpërmjet hijezimit. Shumica e materialeve të ndërtimit për këtë bibliotekë janë marrë në Kinë. Gjithashtu, janë përdorur komponentë modularë për të përshpejtuar kohën e ndërtimit dhe për të ulur kostot.
Projekti fillimisht u miratua në vitin 2018 pas një konkursi nga studio të ndryshme arkitekturore dhe aktualisht është në ndërtim e sipër. Ai pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2022. / New Atlas