Qeveria u përgjigjet krizave, njësoj si një mjek që për çdo sëmundje jep paracetamol.
Pano Soko, ekspert ekonomie dhe me përvojë në hartimin e buxheteve gjatë kohës që ka punuar në Ministrinë e Financave tha se në anën tjetër, cilësia e jetës ka hyrë në një cikël përkeqësues. Kolonat bazë si arsimi dhe shëndetësia nuk po marrin mbështetjen e duhur në krahasim me zërat e tjerë të buxhetit
Edhe në vitin 2023, projektbuxheti parashikon një mbështetje të fortë për investimet publike, përkundër këshillave të FMN dhe Bankës Botërore që në vijimësi kërkojnë mbështetje më të madhe financiare për shtresat në nevojë, si ndihma ekonomike dhe pagesa e papunësisë, nisur edhe nga niveli i lartë i varfërisë në vend. Sipas jush, a është i drejtë ky prioritizim në krizën që po kalojmë? Nëse jo, si duhet të prioritizohej buxheti 2023?
Nëse i referohemi historisë së krizave të fundit dhe reagimit të qeverisë përballë tyre, nuk është e vështirë të dallohet një element që i bashkon të gjitha situatat. Në të gjitha rastet, pavarësisht natyrës së krizës, qeveria ka vendosur që reagimin ta bazojë plotësisht tek investimet publike.
Kriza e tërmetit, qeveria rrit investimet publike; kriza nga pandemia, qeveria rrit investimet publike; kriza e çmimeve post-pandemi, qeveria rrit investimet publike; kriza e inflacionit nga lufta në Ukrainë, qeveria rrit investimet publike.
Pra çfarëdolloj qoftë natyra e krizës, qeveria do të rrisë investimet publike. Njëlloj si një mjek që për çfarëdolloj sëmundjeje, jep vetëm paracetamol. Investimet publike, ashtu si paracetamoli, mund të shërbejnë si përgjigje për ndonjë tipologji krize, por, natyrisht, jo për të gjitha.
Dhe këtu lind pyetja, po përse qeveria zgjedh që në çfarëdolloj rasti të fokusohet tek investimet publike? Vërtet mendojnë se zgjidhja e krizës janë shpenzimet qeveritare në infrastrukturë, vërtet e besojnë se ky është çelësi universal që zgjidh çdo krizë? – Natyrisht që jo.
Në mos kryeministri, ekspertët pranë tij e dinë shumë mirë që investimet publike, nuk janë çelës universal krizash. E dinë që një lloj krize kërkon ndërhyrje fiskale si përgjigje, një tjetër paketa ndihme për shtresa të caktuara, një tjetër kërkon rritje të normës së interesit, e një tjetër ulje të normës së interesit… Pra përgjigjet ndaj krizave të ndryshme, janë të ndryshme.
Por, nga sa kam kuptuar, gjithë këto kohë është fakti që qeveria zgjedh në çdo rast të përgjigjet me rritje të investimeve publike, pasi qëllimi nuk është në vetvete zgjidhja e krizës. Është përdorimi i krizës për të justifikuar rritjen e deficitit dhe përdorimin e investimeve për interesa tërësisht klienteliste dhe personale.
Pra me justifikimin se po i përgjigjemi krizës, rrisim pak tenderat në infrastrukturë. Dhe duke pasur parasysh korrupsionin e lartë që ndodh me tenderat e infrastrukturës, kuptohet lehtësisht qëllimi. Kriza shërben si justifikim për të bërë pak korrupsion më shumë.
Në një situatë, pushteti normal që mendon për zgjidhjen e krizës, natyrisht që përparësi e këtij buxheti do të ishin paketat e ndihmës për përballimin e krizës dhe pse jo nxitje e konsumit nëpërmjet uljes së barrës fiskale, sidomos për mallrat bazike dhe kompanitë e prodhimit vendas.
Por siç e thashë më lart, qëllimi i reagimit të qeverisë nuk është të ndihmojë qytetarët të kalojnë krizën sa më lehtë. Është të fitojë para për xhepat e pushtetarëve.
Shqipëria po përballet me një tranzicion të fortë demografik, i krijuar nga emigracioni dhe rënia e lindjeve. Si mund ta mbështesë buxheti vjetor kapitalin human, ndërkohë shpenzimet publike për arsimin dhe shëndetësinë nuk po ecin me të njëjtin trend me rritjen e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore?
Përgjigjja ndaj këtij fenomeni qëndron te shkaqet që e krijojnë atë. Emigracioni është pasojë, ne duhet të luftojmë shkaqet. Dhe shkaqet e emigracionit janë disa, por që të gjitha konvergojnë në një pikë – keqadministrimi që po i bëhet vendit dhe mungesa e dritës në fund të tunelit.
Shqiptarët po largohen, sepse këtu cilësia e jetës po bie në standard nga viti në vit. Dhe këtu i referohem standardit të mirëqenies, jo thjesht të ardhurave nominale. Ekonomia shqiptare vazhdon të vuajë simptomat e një ekonomie që nuk po mundet të dalë nga moçali i ekonomive anemike, më shumë sektorë që operojnë dhe me asnjë që ngadhënjen.
Nga ana tjetër, cilësia e jetës ka hyrë në një cikël përkeqësues. Dhe kolonat bazë janë arsimi dhe shëndetësia. Njerëzit mund të jetojnë dhe të përpiqen të ngadhënjejnë në një vend ku ekonomia ecën keq, por ata nuk do të rrezikonin asnjëherë fëmijët e tyre, në një vend që nuk ka shëndetësi cilësore dhe arsim cilësor.
Këto janë prerogativa të padiskutueshme. Dhe cila është përgjigjja që vjen nga qeveria – ulen në krahasim me zërat e tjerë të buxhetit, çka tregon një perifrazim të tyre. Pra, për qeverinë shëndetësia dhe arsimi janë çështje periferike dhe çështje kryesore janë PPP-të dhe projektet në infrastrukturë që po marrin llokmat e mëdha të buxhetit.
Njerëzit, natyrisht kur shohin këtë qasje e kuptojnë se ky vend e ka të vështirë të arrijë të plotësojë standardet që ata mendojnë se i meritojnë për familjet dhe fëmijët e tyre. Për këtë arsye, largohen.
Ndërmjet rreziqeve që po vijnë nga mjedisi i jashtëm, buxheti i shtetit po paguan fatura të larta për disa koncesione, të cilat janë nën hetim nga SPAK. A ka Ministria e Financave tagër ligjor të mos paguajë fatura pa punime të kryera, kur kjo është në shkeljeve të rregulloreve të Thesarit?
Në çdo vend normal, nëse një aktivitet me bazë fonde publike është venë në hetim nga prokuroria, janë ndaluar nga prokuroria aktorë kryesorë dhe periferikë të tij dhe madje disa janë duke vuajtur një dënim, ky aktivitet do të ishte ndërprerë menjëherë dhe financimi do të ishte pezulluar deri në përfundimin e plotë të çështjes penale.
Pse? Sepse vërtet që Kushtetuta prezumon parimin e pafajësisë, deri kur provohesh i fajshëm nga një gjykatë, por përderisa aty ka një rrezik që paratë publike të shkojnë për të shpërblyer një aktivitet kriminal, qeveria merr të gjitha masat që kjo të mos ndodhë, duke pezulluar pagesat. Nëse gjykata më pas vendos që aty s’ka asgjë të paligjshme, vazhdohet me pagesat, në të kundërt ato anulohen totalisht.
Gjithsesi, të paktën pezullimi dhe shtyrja e tyre, është e drejtë ekskluzive që përcaktohet në tagrin për menaxhimin e riskut në ligjin për menaxhimin financiar. Dhe ky është një tagër i padiskutueshëm që qeveria e ka në çdo moment dhe mund ta përdorë.
Madje, madje qeveria ka mundësinë e anulimit totalisht të të gjithë marrëveshjes, për sa kohë pala tjetër është në kërkim nga policia dhe refuzon të bashkëpunojë me drejtësinë, duke u arratisur prej saj.
Nga ana tjetër, vetë Prokuroria e Shtetit, duke parë që këtu ka një rrezik eminent që paratë e taksave po shkojnë për të financuar një aktivitet kriminal, mbi të cilin ata vetë kanë hapur një çështje penale dhe që personat përfitues janë vënë në kërkim për t’u arrestuar (çfarë presupozon fakte të mjaftueshme për t’i ndaluar ata), mund të kërkojë në gjykatë jo vetëm pezullimin e pagesave por edhe sekuestrimin e aseteve, për sa kohë përfituesit nuk i përgjigjen kërkesës së drejtësisë për t’u paraqitur në polici, por kanë ikur në drejtim të paditur.
Por këtu vazhdohet me pagesat a thua kemi të bëjmë me një situate normale. Parashikohet në buxhet pagesa e inceneratorëve, më të njëjtën lehtësi si pagesa e pensionisteve. Është një absurd monumental që vetëm në Shqipëri bën vaki.
Qeveria ka vendosur një fokus të theksuar prioritizimin me fonde të investimeve të mëdha publike, specifikisht në disa kontrata PPP në akset rrugore dhe kontratat PPP në sektorin e shëndetësisë, infrastrukturës dhe inceneratorëve. A është e drejtë kjo qasje?
Në Shqipërinë e krizës, natyrisht që qasja do të duhej të ishte totalisht e ndryshme. Do të duhej të mendohej për konsumin, do të duhej të mendohej për mbështetjen e shtresave vulnerabël, do të duhej të mendohej për prodhimin vendas, për krijimin e një zinxhiri autonom produktesh vendase që na shkëpusin sado pak nga varësia që kemi nga importi, por jo.
Këtu vëmendja vazhdon stoike, e palëkundur të drejtohet tek PPP-të. Sepse parimi është i qartë, paratë shkojnë jo aty ku kanë nevojë njerëzit, por aty ku mund të përfitojnë më shumë këta që qeverisin. Është kaq e thjeshtë! Nuk ndodh nga padija, as nga zgjedhjet e gabuara, ndodh me qëllim. Përfitimi personal është qëllim në vetvete.
Në fund të 9-mujorit, balanca buxhetore rezultoi pozitive me rreth 15 miliardë lekë. Ndërkohë për vite me radhë është shndërruar në praktikë që i gjithë deficiti i programuar të konsumohet në dhjetor. Sa e dëmshme është kjo praktikë?
Është shumë e dëmshme sepse është jo-efektive dhe nganjëherë dhe jo-realiste, pra është e sajuar me qëllimin për të shpenzuar çdo gjë që kemi mundësi dhe të mos lëmë të na ikë. Deficiti nuk është një gjë që t’i duhet ta arrish patjetër, është një gjë që ti duhet ta shmangësh sa më shumë të jetë e mundur.
Nëse projekte të caktuara nuk angazhohen gjatë vitit për shkak të arsyeve të ndryshme, atëherë është më mirë të kursejmë dhe të mos marrim borxh, sesa të marrim borxh dhe të sajojmë mënyra nga më të ndryshmet për të shpenzuar paratë e këtij borxhi thjesht sepse kemi mundësinë ta bëjmë.
Ky është abuzim i shfrenuar. Në Shqipëri është bërë zakon tashmë. Dhe jo vetëm që nuk po bëhet asgjë për ta sjellë situatën në shinat e racionalitetit, por abuzimi po shtohet vit pas viti. Para që merren borxh, të cilin e paguajnë mbrapsht qytetarët me 1000 halle të këtij vendi, që keqpërdoren me keqdashje dhe pa pikën ndjenjës së përgjegjshmërisë.
Thjesht sepse disa njerëz kanë pushtetin për ta bërë këtë. Është e trishtë.
Lexoni edhe:
Buxheti 2023 model i vjetër, rreziqe të reja
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.