E reja e fundit në botën e jahteve superluksoze quhet Somnio. Ai është jahti më i madh dhe i bukur në botë, i gjatë 222 metra, i cili po ndërtohet në Norvegji nga VARD, shoqëri e Fincantieri.
Jahti superluksoz do të përfundojë në vitin 2024. Ai do të udhëtojë në detet më të bukura në të katër anët e botës, me në bord 39 pronarët më të pasur (dhe miqtë e tyre të udhëtimit) të apartamenteve luksoze. Identiteti i tyre do të mbetet një sekret i ruajtur me kujdes.
Synimi i projektit është të ofrojë privatësinë e një varke private – por duke iu referuar fjalëve të Somnio “me shërbimin dhe ofertën që i gjen vetëm në hotelet më të mira”. Për këtë kanë punuar dy nga studiot më në zë të arkitekturës dhe dizajnit Winch Design – Mbretëri e Bashkuar dhe Tillberg Design – Suedi. Projekti ka marrë 18 muaj kohë dhe do të kushtojë 500 milionë euro.
“Apartamentet” do të jenë të personalizueshëm në detaje – duke nisur nga 9.5 milionë euro për një projekt bazë që mund të pasurohet sipas dëshirës, me palestra, biblioteka e Spa. Ato do t’u ngjajnë vilave lundruese, ku çdo pronar do të ketë në dispozicion edhe një concierge – një nga avantazhet e shumta të pushimeve në bordin e Somnio. Jahti do të ketë edhe restorante dhe bare luksoze, një kantinë me 10 mijë shishe vere dhe një sallë degustimi, një beach club me struktura për sporte ujore etj. Ndër të tjera do të ofrohet edhe shërbim mjekësor i shkallës së parë, duke siguruar që pronarët të kalojnë pushime pa rreziqe, madje edhe në kohëra pandemie.
Por jo vetëm luks. Somnio do të jetë në avangardë edhe për qëndrueshmërinë. Jahti është ndërtuar me motorë me ndikim të ulët. Ai do të ketë pajisje të përparuara për kërkime në mjediset e oqeaneve që do të kryen nga ekspertë të nivelit ndërkombëtar, të cilët do të ngjiten në bord gjatë udhëtimeve.“Somnio do të jetë i vetmi superjaht rezidencial në botë” – tha bashkëthemeluesi i Somnio, kapiteni Erik Bredhe.
“Ai është projektuar sipas standardeve rigoroze. Udhëtarët do të ndajnë një stil jetese vërtet unik në det, me një ekuipazh të zgjedhur dhe një itinerar të pafund global për destinacionet dhe përvojat e përzgjedhura me kujdes që i përshtaten një jahti të kësaj natyre”.
Udhëtimet e parashikuara janë në Mesdhe deri në Nju Jork dhe më pas në Paqësorin Jugor dhe ekspedita në Antarktidë. Për t’u ngjitur në bord duhet edhe një ftesë (apo referenca veçanërisht bindëse).