Sondazhet dhe besueshmëria e tyre

19/02/2021 10:06 PM 0 komente

Msc. Mateus Habili*

 

Një hulumtim shkencor, tregu apo për zgjedhjet politike, nuk është gjë tjetër veçse një instrument për t’iu afruar së vërtetës. Kjo e shtyn një hulumtues që të ndërmarrë këtë nismë, dëshira për të eksploruar, për të përshkruar, për të eksperimentuar, gjithmonë në shërbim të së vërtetës në lidhje me qëllimin e hulumtimit. Besueshmëria e një hulumtimi përfaqëson etikën dhe transparencën e rezultateve.

A janë paraqitur rezultatet në bazë të të dhënave të grumbulluara? A ka pasur devijime? Këto janë disa nga dilemat që ngrihen në lidhje me besueshmërinë e një hulumtimi. Dilemat në lidhje me besueshmërinë e një hulumtimi varen shumë nga çështja e marrë në studim, sesa e përgjithshme dhe e gjerë dhe sa specifike është, ky fakt shërben për të ngritur alibi apo dyshime në lidhje me besueshmërinë e një hulumtimi.

Supozojmë një student masteri, i cili kryen një kërkim individual, në lidhje me një çështje specifike ekonomie, gjatë paraqitjes së rezultateve sado reale apo joreale qofshin, dyshimi apo perceptimi për vërtetësinë e tyre është në një shkallë të ulët. Kjo për vetë faktin se impakti apo komunikimi i rezultateve ka një hemisferë të vogël, ku dhe nëse rezultatet nuk janë reale, nuk do te sjellin impakt apo ndonjë ndryshim për çështjen e marrë në shqyrtim, pavarësisht se rezultatet mund të publikohen në revista, konferenca apo leksione, nuk sjellin ndikim që prek apo ndikon në fenomene apo interesa të ndryshëm.

Në vetvete, një hulumtim i kryer nga një student paragjykohet si një punë e vogël, por që shihet si një nismë për hulumtim. Kur bëhet fjalë për hulumtime politike, ose siç quhen ndryshe sondazhe, impakti që ato kanë në publik është mjaft i madh. Janë instrumente komunikimi marketing.

Rezultatet e paraqitura 1, 2 apo 3 muaj përpara votimit sjellin ndikim në perceptimin e qytetarëve për qeverinë aktuale apo opozitën dhe fuqinë e saj dhe në votim. Ky fakt është konstatuar në SHBA, ku në shumë sondazhe të kryera, impakti i tyre ka qenë pjesë në votimin final. Ai nuk përcaktohet me përqindje ekzakte, por sjell impakte tek individët që janë në mëdyshje për votën e tyre, tek individët të cilët ndikohen nga mendimi i masës, si dhe tek individët që kanë pakënaqësi nga njëra palë ose tjetra dhe rezultati i publikuar e përforcon mendimin që ata kanë për njërën palë apo tjetrën.

Publikimi i rezultateve bëhet temë debati dhe diskutimi në mediume si TV, i cili është medium masiv dhe në programet që transmetohen në oraret prime, ku shikueshmëria është mjaft e lartë, duke shtuar dhe rrjetet sociale, ku publikimi i rezultateve nxit individët të reagojnë dhe të japin mendimet e tyre, kjo është një formë influence dhe mënyrë për të nxitur qytetarët që të nxiten për tematikën e votimit dhe për kë do të votojnë dhe thellë i rrënjos në nënndërgjegjen e tyre diskutimin e votimit dhe rëndësinë që ka dhe për cilën palë do të votojnë. Përhapja dhe ndikimi i publikimit të rezultateve në publik është i një niveli të lartë.

Por pjesa më e madhe e audiencës, për të mos thënë të gjithë nuk dyshon, as nuk e mendon fare aspektin besueshmëri në rezultatet e publikuara, individët merren me faktet e publikuara dhe diskutimet me njërën palë ose tjetrën.

Nëse dikush ngrin hipotezën e mosvërtetësisë së sondazhit ose dyshime në besueshmërinë e tij, askush nuk merret me këtë fakt përpos rasteve sporadike, por nëse shtohet emri i mirë i një kompanie të njohur, apo thjesht fakti që është kompani e huaj, rritet besueshmëria dhe vërtetësia e publikimit të rezultateve, në Shqipëri ky fenomen ndodh sa herë afrohen fushat elektorale, publikimi i rezultateve kthehet në objekt diskutimi me një besueshmëri të lartë pa pasur indikacione fare, ku bazohet kjo vërtetësi e rezultateve apo besueshmëria e tyre, mjafton të kryhen nga kompani të huaja dhe kjo ka rëndësi.

 

Sondazhet në peshore

Duke qenë se sondazhi është një mjet komunikimi marketing në formën e PR ka një “fuqi” të madhe komunikimi që mund të përdoret nga individë për interesa personale apo më gjerë se kaq. Por nëse e vendosim në peshore besueshmërinë e një sondazhi nuk është diçka e thjeshtë, duke i shtuar dhe mosinteresin e audiencës për besueshmërinë kjo komplikohet dhe më shumë.

Nëse do të hartojmë një strategji për besueshmërinë e rezultateve të publikuara ka dy mënyra për ta vërtetuar: 1- Publikimi në kohë reale i rezultateve ku secili individ kur jep mendimin e tij, shikon dhe trendin momental të përgjigjeve, 2- Publikimi i numrit total dhe përpunimi i të dhënave në kohë reale në mbyllje të sondazhit, këto mënyra shërbejnë si barometër vërtetësie për besueshmërinë, pjesa tjetër ngelet në etikën dhe transparencën që zgjedh të aplikojë kompania apo individi që ka kryer sondazhin.

Në pjesën më të madhe të rasteve nuk ndodh asnjë nga mënyrat e sipërpërmendura. Vërtetimi i besueshmërisë ngelet vetëm në emrin e kompanisë dhe sesa afër me rezultatin që do të ndodhi dhe sa i përafërt ka qenë me atë të sondazhit, por ky fakt lidhet dhe me metodologjinë e përdorur dhe mënyrën e zgjedhur të kampionit për të pasur sa më shumë përfaqësueshmëri dhe për të qenë më afër rezultatit të zgjedhjeve, këto e rrisin nivelin e besueshmërisë të një kompanie sondazhi.

Duhet theksuar fakti që votimi është një fenomen kompleks, nuk mund të përcaktohet se cili është impakti dhe sa peshë ka në votimin e individëve sondazhi, sepse nëse një sondazh nxjerr njërën palë fituese dhe më pas ndodh një ngjarje me impakt publik, rezultati përmbys dhe hedh poshtë dhe sondazhin, ku individët e pyetur janë përgjigjur në bazë të disa kushteve të pandryshuara sociale, ekonomike etj., me ndryshimin e njërit prej kushteve gjithçka përmbyset.

Besueshmëria e një sondazhi nuk kërkohet nga individët, gjë e cila shkon në favor të individëve apo organizatave që kanë blerë shërbimin e një sondazhi dhe mund ta përdorin në shërbim të interesave të tyre, ky rezultat paracaktohet dhe kompania e sondazheve shërben si “makineri” komunikimi dhe besueshmërie, për të influencuar opinionin publik.

Indikatorët e besueshmërisë së sondazheve ngelen në dorë të kompanive dhe emrit të tyre të mirë, ose nëse kompanitë zgjedhin të publikojnë në kohë reale rezultatet dhe përpunimin e tyre, por dhe të gjetjes së rezultateve të sakta të zgjedhjeve, duke zgjedhur të mos publikojnë të dhënat e grumbulluara, por vetëm përpunimin e tyre.

*Ekspert, opinionet janë personale të autorit

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of