Sondazhi me bizneset e falimentuara: 80% po mbyllen nga Covid-19 dhe kriza

10/10/2020 10:12 PM 0 komente

Në 4 muaj, rreth 2800 biznese kanë kaluar në status pasiv. Bazuar në listën e përditësuar të Tatimeve për subjektet që kalojnë me status pasiv për periudhën maj-gusht, “Monitor” realizoi një sondazh me një kampion përfaqësuesish prej 205 biznesesh. Rreth 80% e të pyeturve pohuan mbyllje të aktivitetit për shkak të rënies së xhiros nga COVID-19, taksave të larta vendore, gjobat, anulim kontratash dhe monopolet. Shumë subjekte, të cilat pranuan se kishin përfituar ndihmën me Paketat Financiare 1 dhe 2, thanë se ndihma e shtetit ishte e pamjaftueshme për të mbijetuar.

 

Nga Dorina Azo

Adem Rreli, pensionist, një vit më parë vendosi ta kthejë vilën e tij 4-katëshe në dhoma hoteli “Bad and Breakfast”, në fshatin Surrel. Por biznesi nuk arriti të mbijetojë më shumë se një vit. Në pikun e fluksit të turistëve të huaj që vinin nga SHBA, Danimarka, Arabia Saudite, Franca dhe Gjermania, për shkak të pandemisë u detyrua të pezullojë aktivitetin.

Ish-fotografi, i pari për ofrimin e këtij shërbimi privat në Shqipëri, e bleu ndërtesën në vitin e rrëmujshëm 1997, dhuratë për bashkëshorten në ditën e Shën Valentinit. Ishte këmbëngulja e vajzës e cila jeton në Francë, që shtëpia, e cila përdorej vetëm për fundjavë nga familja e tyre, pas një investimi të kthehej në biznes, i regjistruar edhe në faqen më të madhe në botë për rezervime “booking”.

“Për momentin, aktiviteti është pezulluar, pasi të huajt nuk po vijnë nga frika e COVID-19. Vendasve nuk u kanë pëlqyer asnjëherë t’i frekuentojnë këto ambiente, janë më shumë të orientuar drejt bregdetit për pushime. Pas përfundimit të karantinës e riaktivizova shërbimin në ‘booking’, por rezultoi që nga të huajt nuk kishte asnjë kërkesë, pasi lëvizja është e vështirë nga pandemia. Për këtë arsye, jam i detyruar të vazhdoj ta mbaj të mbyllur vilën”, rrëfen zoti Rreli. Në ambientet e organizuara për shërbimin “krevat dhe mëngjes”, çmimi i fjetjes varion 200-240 euro/nata dhe 260 euro/nata nëse do të merren 5 dhomat e vilës.

Në Shqipëri janë rreth 2,865 biznese që kanë kaluar në status pasiv për muajt maj-fillim shtatori. Shumë prej tyre kanë bërë kërkesë për pezullim aktiviteti në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR), menjëherë pas pandemisë.

Nga lista e Tatimeve u përzgjodh një kampion përfaqësues prej 204 biznesesh apo 7% e totalit me status pasiv, të cilët u anketuan nëpërmjet telefonit nga “Monitor” dhe u pyetën në lidhje me arsyet e mbylljes së aktivitetit, sipas një përzgjedhjeje rastësore.

Rezultatet e sondazhit tregojnë se më të prekur nga kriza e COVID-19 janë të vetëpunësuarit, në rrobaqepësi, berberët, lavazhe, bilardo, pastiçeri, por edhe ata në shërbime, si kafene, restorante, agjenci turistike dhe udhëtimi, shërbimi taksi, transporti i udhëtarëve dhe mallrave.

Rreth 57% e subjekteve raportojnë si arsyet kryesore që i detyruan të mbyllin aktivitetin krizën nga COVID-19, që ka çuar në rënien e fuqisë blerëse, mungesën e xhiros, pamundësinë financiare për të paguar qiranë dhe taksat. 23% e bizneseve të tjera, ndonëse ishin më rezistente ndaj pandemisë, raportuan si arsye kryesore të mbylljes së aktivitetit, taksat e larta lokale, mungesën e kontratave, reduktimin e punës, punimet në infrastrukturë, gjobat e tatimorëve dhe monopolet.

Në total, 80% e bizneseve që kanë mbyllur aktivitetin në periudhën maj-gusht kishin faktorë kryesorë krizën nga COVID-19, mungesën e xhiros dhe taksat e larta. Rreth 6% e subjekteve të tjera raportuan si arsye kryesore të mbylljes, efektet sezonale, siç ishin ato të dhënies së dhomave me qira në periudhën e verës, baxhot, të kultivimit dhe shitjes së mollëve dhe bizneset e prodhimit të brumit që punonin afër shkollave.

Nga sondazhi rezultoi se arsye të tjera të mbylljes së aktivitetit ishin largimi në emigracion (me rreth 3%), për shkak të mungesës të punës në vend, sidomos te të rinjtë që punonin në lavazh dhe si berber. Të tjera biznese raportuan arsye personale, si lejet e lindjes apo problemet shëndetësore.

 

BURIMI: SONDAZHI I MONITOR ME 204 SUBJEKTE

 

Më shumë biznese të mbyllura në kryeqytet dhe Durrës

Fluksi më i lartë i subjekteve të mbyllura është në Tiranë. Rreth 65,6% e subjekteve të anketës, që deklaruan pezullim aktiviteti, është e përqendruar në kryeqytet. Nga Durrësi ishin 7,8% e bizneseve të mbyllura, sipas anketimit. Ata deklaruan se ndikimi erdhi nga tërmeti dhe pandemia. Nga Qarkun e Vlorës (4,4% e kampionit), arsye kryesore ishin efekte sezonale.

Në një tjetër qytet, si Elbasani (3.5% e kampionit), shkaku i mbylljes ishte kriza nga COVID-19. Edhe në Fier, (3,5% e kampionit), subjektet pohuan se arsyeja kryesore për pezullimin, ishte mungesa e punës nga pandemia, ndërsa ata të shërbimit taksi, veçuan si faktor informalitetin e lartë. Më të prekurit nga pandemia në qytetet e Korçës dhe Shkodër ishin bizneset e transportit të udhëtarëve, tregtimit të mallrave ushqimore dhe shitjes së siguracionit të makinave në pikat e kalimit kufitar. Ndërsa në qytetin e Lezhës, ishte biznesi i peshkimit ai që raportoi më shumë mbyllje të aktivitetit.

 

Falimentojnë të vetëpunësuarit

Të vetëpunësuarit, të cilët konsiderohen bizneset më të brishta, rezultuan më të prekurit nga kriza e COVID-19. Nga të intervistuarit, raportuan mbyllje të aktivitetit si biznese të hapura para 25 vitesh, edhe ato me një aktivitet disamujor apo mbi një vit.

Për shkak të pandemisë, shumica e tyre japin arsye të falimentimit rënien e lartë të xhiros, fuqisë blerëse dhe marrjes së borxheve për të përballuar detyrimet. Disa nga bizneset e anketuara pranuan se kanë përfituar pagesat nga Paketat Financiare 1 dhe 2, por i vlerësuan të pamjaftueshme për të përballuar detyrimet.

Sybi Musollari, mjek i përgjithshëm, bronkopneumolog dhe alergolog i vetëpunësuar prej 25 vitesh në klinikën e tij private në rrugën “Hoxha Tahsim” në Tiranë, në periudhën kur pacientët kishin më shumë nevojë për të, është i detyruar të mbyllë biznesin. Arsyet janë mospërballimi i kostove për blerjen e materialeve të specializuara mbrojtëse dhe njëpërdorimshme ndaj COVID-19.

Mjeku Sybiu, 70 vjeç, mes emocionosh tregon se për shkak të moshës, edhe ai vetë ndihej i rrezikuar, ndërsa pohon prerazi se pa dalë vaksina, klinika e ngritur që në vitin 1995 nuk do të rihapet. “Ishin të shumtë pacientët me simptomat e COVID-19 që vinin në klinikë, apo edhe nga ata që kërkonin të këshilloheshin. Klinika është hapur 25 vite më parë, por për shkak të kostove të papërballueshme për mjetet mbrojtëse ndaj COVID-19 u detyrova ta mbyll.

Një veshje e specializuar mbrojtëse kushton 3,000 lekë. Kostoja mujore llogaritet rreth 100,000 lekë në muaj, ndërsa qiraja e ambientit ishte 25,000 lekë. Për një klinikë private, që nuk përfshin shërbime me tarifa të larta (si skaneri që ka tarifë shërbimi 20,000 lekë) kostot nga pandemia ishin të papërballueshme.”

Edhe Qirim Kasapi, para 25 vitesh, kishte hapur një bilardo në qytetin e Beratit, por për shkak të reduktimit të lartë të xhiros nga koronavirusi u detyrua ta mbyllte. “Biznesin e kemi hapur që në vitin 1995. Këto vitet e fundit, aktiviteti ishte ‘pothuajse i vdekur’, po me përhapjen e COVID-19, xhiroja ishte me minus, pasi njerëzit, për shkak të frikës, nuk po vinin më të luanin bilardo. Për të kompensuar humbjet, u detyrova të kryeja një punë tjetër dhe me ato të ardhura, të paguaja detyrimet. Me gjithë këtë stërmundim, nuk ia vlente ta mbaja hapur. Pa ikur pandemia, biznesi nuk rihapet.”

Violeta Kaçorri, në vitin 2017, hapi një biznes të vogël, rrobaqepësi dhe riparim veshjesh në zonën e Freskut, që e mbylli në muajin gusht. “Për shkak të COVID-19, xhiroja pothuajse ishte zero. U detyrova të marr 100,000 lekë borxh për të shlyer detyrimet dhe qiranë e dyqanit prej 30,000 lekësh. ‘Pagat e luftës’ nuk i përfitova, pasi aplikimi u refuzua me arsyen e mosndalimit të aktivitetit në karantinë”.

Valbona Elponoria, me profesion pastiçerie, prej një viti së bashku me familjen e saj janë transferuar nga Fieri në Tiranë. Në muajin dhjetor, ajo mori me qira 600 euro një biznes të ngritur pastiçerie dhe furrë buke në zonën e Freskut, të cilën e mbylli në muajin mars disa ditë pas karantinës.

Valbona thotë se prej katër muajsh, puna ishte shumë dobët dhe me shfaqjen e pandemisë, xhiroja u reduktua edhe më shumë dhe nuk paguante dot shpenzimet, dhe faturën e dritave prej 40,000 lekë në muaj. Valbona tregon se ndihet shumë pesimiste për të ardhmen dhe nuk ka në plan ta rihapë biznesin, ndërsa është duke kërkuar punë si pastiçere, por askush nuk po e punëson.

Nga prilli i vitit 2019, Nazmi Fasho nga Lapraka së bashku me të birin, ishin të vetëpunësuar në një biznes për shtrimin e pllakave. Prej një muaji, janë të papunë, pas karantinës askush nuk i binte telefonit. Nazmiu thotë se nëse do të ketë kërkesa, do ta rihapë aktivitetin. Në anën tjetër, për shkak të frikës së përhapjes të virusit, frekuentimi në palestrën e Bruno Xhaferit ra mbi 90%. “Palestrën e hapa në shkurt të 2019-s dhe u detyrova ta mbyll në gusht, pasi në muajt e verës kisha vetëm 2 klientë. Për momentin po punoj online deri sa situata të stabilizohet”, rrëfen ai.

Kriza është ndier më shumë te biznesi i vogël në rrethe, situatë që konfirmohet edhe nga zonja Dituri Llalla, e cila zotëronte një dyqan të vogël për shitje aksesorësh e celularësh, në Kuçovë. “Nuk e di se si po ecën biznesi në Tiranë, por këtu në Kuçovë nuk ka njerëz, nuk ka xhiro dhe ata individë që kanë mbetur, nuk kanë fuqi blerëse. Falimentova para dy muajsh.

Nga paketa e ndihmës të shtetit, përfitova 40,000 lekë, por shtova edhe 4,000 lekë nga xhepat e boshatisur dhe shleva sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për 6 muaj. E kam të domosdoshme të punoj, por nuk di se çfarë biznesi të hap që mund të ecë dhe të mos qëndroj në shtëpi. Aktualisht gjendja jonë është në ‘rënie e lirë’, nuk ka fare shpresë”, thotë ajo.

Pesë muaj ishte jetëgjatësia e biznesit të Ajet Sukës nga Shkodra, i cili punonte, si agjent i shitjes së siguracionit të makinës për qytetarët që lëviznin në Malin e Zi.

Për shkak të bllokimit të lëvizjeve jashtë Shqipërisë, ai tregon se nuk kishte punë dhe aktivitetin e mbylli në korrik, ndërsa është në pritje të normalizimit të lëvizjeve për rinisjen e punës. Elton Voci nga Durrësi është goditur dy herë nga kriza. Pas shkatërrimit të shtëpisë nga tërmeti, pandemia falimentoi punën e ngritur prej tij në një lavazh të vogël. Eltoni pohon se nuk ka përfituar nga rindërtimi dhe se aktualisht është pa punë dhe jeton me borxhe.

Jetëgjatësia më e shkurtër e bizneseve të anketuara, ishte tek ato të peshkimit. Kismet Lleshi nga Tirana falimentoi një muaj pasi hapi biznesin, pasi nuk kishte shitje. Humbjet llogariten deri në 400,000 lekë. Edhe Saimir Ismailaj nga Lezha, pas pandemisë, e mbylli licencën e peshkimit, pasi restorantet e zonës nuk blinin më peshk dhe këto njësi shërbimi po vuanin ende pasojat e karantinës.

Banka Botërore parashikoi në fillim të pandemisë se Shqipëria e ka ndjeshmërinë më të madhe te tregu i punës për dy arsye: Së pari, për nivelin e lartë të vetëpunësimit, me 34.7% të totalit dhe së dyti me Punësimin informal (% e totalit të të punësuarve), që është 61%, një rekord në Ballkan.

 

BURIMI: BANKA BOTËRORE

 

Kriza te bar-kafenetë dhe restorantet

Rënia e xhiros nga mungesa e frekuentimit të kafeneve dhe restoranteve janë faktorët kryesorë të mbylljes së bizneseve për periudhën maj-gusht. Përfaqësuesit e këtyre shërbimeve kërkojnë ndihmë nga shteti, pasi nuk kanë mundësi financiare për të rinisjen e aktivitetit.

Para një viti, Emajvis Kuka hapi një bar-klub nate në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, të cilin e mbylli pasi nga reduktimi i xhiros nuk i përballoi detyrimet. “Edhe më parë kishin probleme me aktivitetin, pasi banorët e zonës ankoheshin për zhurma. Biznesi një javë qëndronte hapur, një javë mbyllur. Moslejimi i muzikës nga COVID-19 ndikoi shumë te frekuentimi. Shteti nuk na ndihmoi për të kapërcyer këto vështirësi, prandaj u detyruam ta mbyllim biznesin. Nuk bëhet fjalë të rihapet, po shoh mundësinë për t’u larguar jashtë Shqipërisë”.

Edhe Alfred Novakaj, i cili kishte hapur një bar-kafe me tre të punësuar, pranë ish-Praktiker, pohon falimentimin, pasi nuk paguante dot detyrimet dhe qiranë prej 85,000 lekësh. “Në karantinë u gjobitëm 10,000 lekë për një ditë vonesë të deklarimit të sigurimeve shoqërore. Nga shteti nuk u ndihmuam. Vetë nuk kemi mundësi të rinisim punën, prandaj do të largohemi nga Shqipëria.”

Besjana Selami nga Durrësi e nisi biznesin në bar-kafene në muajin mars, para karantinës. Puna i zgjati vetëm një javë dhe falimentoi pasi nuk paguante qiranë prej 50,000 lekësh. Aktualisht është e papunë. Bar-kafeneja e hapur 30 vite më parë nga Bernard Bushi në Fier u mbyll nga COVID-19. “Xhiroja ra deri në dy kafe në ditë. Nga frika e virusit në kafene nuk hynte më njeri. Nuk paguanim dot detyrimet dhe për këtë arsye falimentuam. Nuk dihet a do ta rihap më”, pohon ai.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, indeksi i volumit të shitjeve të aktivitetit “Bar-restorante” ra me 55% në tremujorin e dytë, në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s. Në tremujorin e dytë 2019, ky indeks ishte rritur rreth 4% me bazë vjetore.

INSTAT raporton se mesatarisht, aktiviteti i bareve e restoranteve qarkullon rreth 375-390 milionë euro në vit, sipas të ardhurave gjithsej të raportuara në Anketën Strukturore të Ndërmarrjeve 2018 dhe volumit të rritjes prej rreth 4% në vitin 2019. Mesatarisht, çdo tremujor, shqiptarët shpenzojnë në kohë normale në bare e restorante rreth 95-97 milionë euro. Ndërsa në tremujorin e dytë 2020, në kulmin e karantinës rezulton të jetë shpenzuar 55% më pak, ose rreth 54 milionë euro më pak për ritualin e përditshëm të kafesë, ose konsumit të pijeve e produkteve ushqimore për restorante.

Mbyllja e bareve dhe restoranteve ndikoi negativisht dhe në punësim. Sipas të dhënave të INSTAT, shkurtimet më të mëdha nga puna janë aplikuar nga sektori i bareve dhe restoranteve, ku raportohet rënie e indeksit të punësimit me 31.8%, e ndjekur nga hotelet me -20.2% dhe fabrikat me -12.8%. Në sektorin e akomodimit ushqimor (ku përfshihen baret e restorantet) ishin të punësuar rreth 50 mijë punonjës. Një rënie me rreth 32% e punësimit ka nxjerrë përkohësisht nga tregu i punës rreth 16 mijë persona. Baret e restorantet përbëjnë 16% të totalit të ndërmarrjeve në ekonomi.

Mungesa e xhiros dhe klientëve nga COVID-19 janë të njëjtat shqetësime edhe për pronarët e restoranteve që deklarojnë mbylljen. Shkëlqim Masha, prej vitesh kishte hapur në Ibë, “Vilën Masha”, me pesë të punësuar, por nga rënia e frekuentimit, u detyrua ta mbyllë restorantin. Shkëlqimi pohon se nuk e rihap më, pasi nuk ka mundësi. Fatime Sulaj, prej vitesh, kishte hapur restorantin me gatime tradicionale në Tiranë, por siç pohon ajo, puna ra pas karantinës, ndërsa me shërbim “delivery” nuk kishte fitim dhe u detyrua të mbyllë aktivitetin. Edhe Fatimja thotë se nuk i leverdis ta hapë më biznesin dhe aktualisht është punësuar në privat.

 

BURIMI: INSTAT

 

A do të rihapen në 2021 agjencitë e mbyllura?

Sipas INSTAT, biznesi i agjencive të udhëtimit, në tremujorin e dytë 2020, shënoi rënien më të thellë nga të gjitha aktivitetet e tjera. Indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rënie 85,6%, krahasuar me tremujorin e dytë 2019. Indeksi i numrit të të punësuarve shënoi tkurrje 12,1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Indeksi i fondit të pagave ra 22,2%, krahasuar me tremujorin e dytë 2019.

Rënien e lartë të aktivitetit në agjencitë e udhëtimit dhe turistike, e pranuan edhe shumë sipërmarrje të anketuara. Disa prej këtyre bizneseve të mbyllura u shfaqën optimiste për rihapjen në mars të vitit 2021. Antoneta Çupi nga “Drini travel”, shpreson ta hapë sërish në pranverë, agjencinë e udhëtimeve në Lezhë, të cilën e mbylli menjëherë pas pandemisë. Edhe Luana Mitro, shpreson ta rihapë vitin tjetër agjencinë në Sarandë. Prej vitit 2010, kjo agjenci punon me linjat e transportit të udhëtarëve në Greqi, Itali dhe Gjermani, ndërsa deri në muajin korrik, nuk pati asnjë kërkesë.

Fiorela Ibro, nga agjencia “Loli Travel 2019”, në Tiranë, me dy të punësuar, është pesimiste për rinisjen e punës. Arsyet janë shpenzimet e larta për parapagimet e udhëtimeve të prenotuara para muajit mars. “Ne punojmë me transportin e udhëtarëve me Greqinë. Nuk kemi shpresë se do ta rinisim punën, pasi kemi shpenzuar shumë të ardhura për të kthyer parapagimet e udhëtimeve të anuluara nga COVID-19.

Shteti nuk na ndihmoi për këtë situatë të vështirë, ndryshe nga Greqia e cila vendosi që parapagimet t’u rimbursohen qytetarëve nga shteti brenda 18 muajsh”. Edhe përfaqësuesi i agjencisë turistike “4 Seasons Travel & Tours”, e hapur në 2019 në zonën e Ali Demit, nuk e mendon rihapjen e punës në 2021. “Mungesa e lëvizjes së turistëve nga pandemia na groposi, kemi falimentuar”, janë arsyet që jep.

Nga mungesa e turistëve të huaj në këtë periudhë pandemie, nuk u prek vetëm aktiviteti i agjencive të udhëtimit dhe hoteleve, por edhe i bizneseve të shërbimit në funksion të turizmit. I tillë është rasti i Lindita Zajmit, pensioniste, me profesion mësuese, e cila që nga viti 2007 shet suvenirë për të huaj te Bulevardi Zogu I. “Ky biznes ka marrë fund, jemi të falimentuar.

Nuk ka turistë, nuk ka të huaj, puna është zero. Ende e kam dyqanin, pasi pronari më ka favorizuar me qiranë, por nuk shkel këmbë njeriu. Tani sapo u ktheva nga dyqani, pasi çdo ditë shkoj të shoh gjendjen, por asnjë nuk është i interesuar për suvenirët.”

Ariol Greca, 29 vjeç, nga Tirana, pas një përvoje 5-vjeçare për trajnim stafesh të kroçerave në Dubai në 2017, hapi biznesin “Why not Albania”. Në kulmin e konsolidimit të biznesit të tij, për shkak të mungesës së lëvizjes nga pandemia, u detyrua të pezullojë aktivitetin. Edhe 40-vjeçarja Ema Hysa nga Kruja, e cila së bashku me bashkëshortin, ngriti 3 vite më parë biznesin e hostel, me 3 dhoma kryesisht për të rinjtë e huaj, në pikun e kërkesave, mbylli aktivitetin.

“Me shfaqjen e COVID-19, ne e mbajtëm biznesin të hapur nga marsi deri në korrik, por nuk pati asnjë klient. Nga shteti u ndihmuan me bonusin prej 40,000 lekësh, por nuk shërbyen as për shlyerjen e detyrimeve. Ky biznes duhej të ishte ndihmuar më shumë nga qeveria për të mbijetuar. Mendoj se pa dalë vaksina anti-COVID, nuk do ta rihapim.”

 

BURIMI: INSTAT

 

Sa janë humbjet për transportin

Eduard Malolli, nga Korça, punonte prej vitesh si taksist në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Prej 6 muajsh është i papunë, për shkak të moslejimit të kalimit për në Greqi. Eduardi tregon se nuk ishte në gjendje të shlyente detyrimet dhe për këtë arsye, u detyrua të pezullonte licencën.

“Mbështetja financiare nga qeveria me tre paga minimale ishin të pamjaftueshme për të mbajtur hapur aktivitetin, pasi nuk kishte asnjë lëvizje jashtë kufirit. Pavarësisht rregullave të vendosura nga pandemia, nëse hapet kufiri, unë do të rifilloj punën”, thekson ai. Mungesa e punës nga pandemia detyroi edhe Hasim Shabanin nga Shkodra të mbyllë aktivitetin për transportin e mallrave.

Biznesi i transportit me mjete të udhëtarëve dhe mallrave, nuk po vuan mungesën e punës vetëm nga pandemia, por edhe nga faktorë të tjerë. Taksat e larta dhe informaliteti janë arsye të tjera të mbylljes së tyre. Për drejtuesin e kompanisë “Luis Turis”, që pas pandemisë po punon vetëm për transportin me autobus të pasagjerëve, Kukës-Tiranë, taksa e Rrugës së Kombit është arsye e falimentimit të aktivitetit. “Punën e kisha nisur prej 3 vitesh për transportin e pasagjerëve jashtë vendit.

Pas COVID-19, aktiviteti u orientua vetëm brenda vendit, ku kisha në dispozicion dy autobusë dhe shoferë. Por për shkak të shpenzimeve për taksën e koncesionit, që është 3,000 lekë vajtje-ardhje për një autobus, duke përfshirë edhe 7,000 lekë karburantin dhe reduktimin e kapacitetit nga COVID-19, e kisha të pamundur të vazhdoja biznesin. Do të rifilloj aktivitetin vetëm nëse kjo taksë do të hiqet”, pohon ai.

Ndërsa Dritan Mihali, i cili punonte si taksist i licencuar prej vitit 2003, prej dy muajsh ka pezulluar punën për shkak të informalitetit të lartë. Sipas tij, 90% e taksive në Fier janë informale dhe kjo po e bënte të ndihej i padëshiruar në rrugë.

Gentjan Zhuka nga Tirana punonte për transport të pasagjerëve me autobus brenda dhe jashtë vendit. Ai thotë se prej muajit nëntor kishte rënie të punës, por në momentin që do të investonte në blerjen e një autobusi tjetër, u detyrua të pezullojë punën nga shfaqja e COVID-19. Gentjani, 41 vjeç, aktualisht i papunë, me profesion infermier është duke ndjekur kursin e gjuhës gjermane për të emigruar me bashkëshorten dhe tre fëmijët për në Gjermani.

Në sektorin e transportit, në 3-mujorin e dytë, indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rënie 40%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019-s. Indeksi i numrit të të punësuarve shënoi rënie 0,8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe ai i fondit të pagave u ul 8,5%, krahasuar me tremujorin e dytë 2019. Indekset e treguesve në aktivitetin Transport, Magazinim dhe Postë, sipas INSTAT, përfshijnë transportin hekurudhor të mallrave, detar, ajror, magazinimin dhe aktivitetin postar.

 

BURIMI: INSTAT

 

Si ndikoi tërmeti dhe pandemia te dyqanet e veshjeve

Tregtia me pakicë e veshjeve e këpucëve ka qenë ndër më të goditurat nga pandemia. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në muajin mars, indeksi i volumit për “veshje, këpucë dhe artikuj prej lëkure” ra me 66% në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë, ndërsa në prill, tkurrja ishte dhe më e fortë, me 87.%. Sektori e mori pak veten vetëm në qershor, ku shitjet u rritën me 3.9%.

Qasja e rënies së aktivitetit pranohet edhe nga bizneset që kanë pezulluar punën, të cilat japin si arsye jo vetëm pandeminë, por edhe tërmetin. Admirim Balliu pohon se nga mungesa e shitjeve u detyrua të mbyllë aktivitetin e veshjeve të ngritur 14 vite më parë. I detyruar të ndryshonte vendndodhjen e dyqanit nga Medreseja tek Astiri, xhiroja pas karantinës ra. Aktualisht është pa punë, por nuk mendon ta rihapë dyqanin, pasi do ta zhyste vetëm në borxhe.

Edhe Juela Meçaj, për të mbijetuar nga mungesa e xhiros, u detyrua të transferojë dyqanin me veshje greke nga rruga “Myslym Shyri” te zona e Brrylit, por pas një viti aktivitet, shpalli falimentimin, sepse nuk paguante kostot e taksave dhe qiranë prej 90,000 lekë në muaj. Aktualisht 25-vjeçarja është pa punë dhe nuk mendon ta rinisë biznesin.

Liliana Petro, pronare e një dyqani veshjesh në rrugën “Ferit Xhajko”, në Tiranë, thotë se reduktimi i xhiros nisi që pas tërmetit, ndërsa pas karantinës puna u zerua. Liliana thotë se biznesin e nisur që në vitin 2015, nuk mund ta rihapë më. Edhe për dyqanin e veshjeve të Desantiela Demaj, rënia e xhiros nisi që pas tërmetit. “Me shfaqjen e pandemisë, puna ra pothuajse në zero.

Ende nuk e di se nëse do ta rihap dyqanin”, shton ajo. Një situatë të njëjtë pohon edhe Etleva Zharra, pronare e një butiku të vogël veshjesh, pranë Stadiumit Dinamo, të cilin e mbylli, pasi nuk kishte punë dhe nuk arrinte të bënte furnizim të mallit në Itali. 26-vjeçari Enrik Feruni është i papunë, pasi u detyrua të mbyllë dyqanin për veshje në zonën e Komunës së Parisit, ku ishte e punësuar edhe një shitëse.

Nga moslejimi i eventeve dhe ceremonive janë prekur edhe sipërmarrje të tjera, siç është butiku i shitjeve të këpucëve të Olgeta Meqemejës. Pronarja, e cila tregton këpucë klasike prej 2015-s, thotë se moslejimi i dasmave dhe eventeve ndikuan direkt te aktiviteti. Prej tre muajsh, Olgeta po punon me shitjet online, ku kërkesa është shfaqur e lartë. Falimentime për shkak të rënies së xhiros ka pasur edhe te biznesi i këpucëve të përdorura.

Klorida Hysi u detyrua të mbyllte aktivitetin, pasi nga pandemia shitjet ranë totalisht dhe nuk i përballonte dot detyrimet. Ndërsa Dorjan Kola kishte hapur një biznes për kontrollin e cilësisë të këpucëve për ndërmarrjet fason në Dibër, por falimentoi gjatë pandemisë, nga anulimi i kontratave me një kompani franceze dhe italiane. Ai shton se pa kaluar pandemia, nuk do të rinisë punën.

 

BURIMI: INSTAT

 

Ndalimi i dasmave prek edhe parukeritë e vogla

Në muajt e karantinës, në vend u theksua tendenca e blerjes së bojërave të lira për lyerjen e flokëve në supermarkete. Dukuria u konfirmua nga drejtuesit e disa prej salloneve të bukurisë në vend, që pohuan rënien e shitjes së bojës profesionale. Mesa duket është ende e vështirë që ky trend të ndryshojë, pasi siç pranojnë edhe bizneset e pyetura në sondazh, reduktimi i xhiros te parukeritë dhe qendrat e vogla estetike vijoi edhe pas hapjes së ekonomisë, për shkak të moslejimit të dasmave dhe eventeve.

Marin Kutrolli në qershor të 2019-s, hapi një biznes të vogël për shitjet e produkteve të trajtimit të thonjve, por u detyrua ta mbyllë një muaj më parë nga reduktimi i të ardhurave. “Në tre muaj karantinë, shitjet ishin zero. Edhe pas hapjes së ekonomisë nga parukeritë nuk kishte kërkesa për trajtimin e thonjve me xhel, pasi edhe ato u prekën nga pandemia. Mungesa e punës vjen edhe nga ndalimi i dasmave, mbrëmjeve të maturës apo ceremonive të tjera. Në këto kushte, ishte e pamundur të përballoja kostot e taksave dhe qirasë prej 50,000 lekësh”.

Mirgena Sako u kthye 10 vjet më parë nga emigracioni për të hapur biznesin e saj për trajtime kozmetike në Rrugën Bardhyl, por mungesa e punës, korrupsioni, taksat e larta janë arsyet që jep për falimentimin e aktivitetit. Ajo bashkë me bashkëshortin do të largohen në Gjermani, pasi edhe puna e tij në një bar-kafe pranë Komunës të Parisit falimentoi.

Pas përfundimit të karantinës, për shkak të uljes së kërkesës, edhe Enkeleda Hasani u detyrua ta mbyllë parukerinë në zonën e “Ali Demit”. Frika e përhapjes së virusit e bën të ngurrojë për rihapjen e aktivitetit. Aishe Ozaj e mbylli floktoren në muajin mars, për shkak të rënies së frekuentimit që nga janari. Edhe Albana Dimo e mbylli në muajin mars parukerinë e hapur në Fier, për arsye të rënies së xhiros dhe pamundësisë për të paguar taksat.

Arbër Roshi, i cili kryente shërbime fotografike, e ka pezulluar aktivitetin nga mungesa e dasmave dhe eventeve. Ndalimin e dasmave po e vuajnë më shumë bizneset e organizimit të ceremonive dhe ato të shitjes dhe dhënies së fustaneve të nusërisë me qira.

Për këtë arsye, biznesi i Gentiana Çunaj, për dhënie fustane nusesh me qira, tek ish-fusha e Aviacionit Civil nuk rezistoi as gjashtë muaj. 21-vjeçarja pranon se rënia e kërkesës nisi që pas tërmetit, është pesimiste për rinisjen e aktivitetit në të ardhmen.

 

Pse po falimentojnë bizneset pranë shkollave

Elsa Prifti, prej 2006-s, kishte blerë me kredi një dyqan të vogël byrektoreje afër një shkolle 9-vjeçare në Fier, por u detyrua ta mbyllë aktivitetin pas mbylljes së shkollës. Me rinisjen e mësimit në shtator, Elsa do të vazhdojë ta mbajë të mbyllur biznesin, pasi mësimi në këtë shkollë po zhvillohet me tre turne dhe fëmijëve nuk u lejohet të dalin jashtë. Edhe Sejdin Kurti kishte marrë një byrektore me qira pranë një shkolle 9-vjeçare, të cilën e mbylli gjatë karantinës, nuk do ta rihapë, pasi fëmijët nuk i lejojnë të dalin jashtë. Ai thotë se aktualisht po punon në ndërtim.

Biznese si byrektore apo fast-food pranë shkollave të arsimit 9-vjeçar japin arsye të mbylljes së aktivitetit edhe shembjen e godinave nga tërmeti. Merita Sallaku pohon se byrektoren e mbylli pas shembjes së shkollës në Vorë. Edhe Eduart Murrja u detyrua ta mbyllë fast-food pas shembjes së një shkolle 9-vjeçare në Kavajë.

 

Konkurrenca “groposin” të vegjlit

Rreth 23% e bizneseve që raportuan si arsye kryesore të mbylljes faktorët ekonomikë, që nga taksat e larta deri te gjobat, veçuan si shkaktar të mbylljes së punës edhe konkurrenca e pandershme.

Më të prekur nga kjo dukuri, janë bizneset e vogla siç është ajo e Bari Kopos, për gërmime dhe transportin e inerteve me ekskavator. Ai thotë se arsyeja e mbylljes së biznesit të hapur vite më parë dominimi i tregut prej kompanive të mëdha. “Kompanitë e mëdha të transportit të inerteve paguajnë 250 lekë/ton taksë në Bashkinë e Tiranës, nga 480 lekë/ton që është. Për shkak të këtyre favorizimeve, bizneset e vogla të këtij sektori nuk po arrijnë të mbijetojnë”, shprehet i revoltuar Bari Kapo.

Edhe Anila Harxhi, me profesion vlerësuese e licencuar pasurie që nga viti 2014, thotë se tregu në këtë sektor është i përqendruar vetëm te disa individë. “Për këto arsye e mbylla punën. Edhe për të marrë projekte te Bashkia e Tiranës është e vështirë, pasi edhe ato jepen për disa persona. Ne të tjerët nuk na afrojnë. Aktualisht jam punësuar te privati dhe nuk mendoj ta rihap më punën”.

 

Rehabilitimi i rrugëve po mbyll bizneset

Pandemia ndikoi për rënie 80% të xhiros te bizneset e Rrugës së Durrësit në kryeqytet. Por siç raportojnë disa prej të anketuarve, punimet për rikonstruksionin e këtij aksi, zeruan të ardhurat e tyre. Sami Bukri, përfaqësues i agjencisë së udhëtimit “Sam Holidays” në Rrugën e Durrësit, e hapur në 2019, jep dy arsye të mbylljes së aktivitetit, rënien e xhiros nga pandemia dhe punimet për rikonstruksionin e rrugës.

“Ndikimi më i madh te rënia e xhiros deri në 80% ishte nga mungesa e udhëtimeve. Këto humbje deri diku kompensoheshin si nga ofrimi i shërbimeve për siguracione makinash, rimbushje elektronike dhe kancelari. Por me bllokimin e rrugës, për shkak të punimeve, pati rënie të ndjeshme të xhiros. Dyqani është mbyllur prej një muaji dhe mendoj se nuk do të rihapet pa u stabilizuar situata”. Të njëjtin shqetësim për mbylljen e aktivitetit të bizhuterive dhe parfumeve në muajin gusht ndan edhe Bardhok Kola.

“Në tre muaj karantinë të ardhurat ishin zero. Pas hapjes së ekonomisë nga pandemia dhe punimeve për rikonstruksionin e rrugës, xhiro ra 80%. Me këtë punë ishte e pamundur të përballonim koston e qirasë 600 euro dhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për shitësen”, tregon Bardhoku, i cili është ende pesimist për rinisjen e biznesit të hapur 3 vite më parë.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of