Sondazhi me bizneset gjermane, 63% e vlerësojnë negativisht situatën ekonomike, por rriten shpresat për përmirësim

08/06/2021 2:19 PM 0 komente

Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) ka publikuar rezultatet e anketimit vjetor për klimën e biznesit dhe investimeve në Shqipëri.

Në anketimin mbi klimën e biznesit, i cili u plotësua nga kompanitë anëtare të DIHA-s në periudhën mars-prill 2021, situata aktuale ekonomike duket të jetë më pak pozitive, ku 63% e të anketuarve e vlerësojnë negativisht (2020: 54%). Vetëm 8% e të anketuarve e vlerësojnë më “mirë” situatën ekonomike, ndërkohë që nuk ka pothuajse asnjë ndryshim me vitin e kaluar që ishte 9%.

29% e kompanive e vlerësojnë situatën ekonomike si “të kënaqshme” (2020: 38%). 23% e të anketuarve vlerësojnë pritshmëritë për situatën ekonomike më mirë, ndërkohë që vitin e kaluar këtë vlerësim e kishin vetëm 5% e bizneseve.

Vitin e kaluar anketimi është zhvilluar në shkurt 2020, pra sapo kishin filluar efektet e pandemisë. Duket se pas një viti të vështirë, kompanitë shpresojnë në përmirësimin e situatës. 38% e kompanive vlerësojnë si të „pandryshuar“ pritshmëritë për situatën ekonomike (2020: 52%), ndërsa 40% e tyre e vlerësojnë negativisht (2020: 43%).

Ndër faktorët, të cilët ndikojnë në zgjedhjen e një destinacioni investimesh, janë vlerësuar me notë maksimale kualifikimi i punonjësve, produktiviteti dhe motivimi i tyre dhe arsimimi akademik. Për më tepër, një ndryshim pozitiv dallohet edhe tek faktorët që më parë shiheshin në mënyrë shumë kritike, si “Stabiliteti politik dhe social” dhe “Parashikueshmëria e politikave ekonomike”.

Në këtë anketim, bizneset kanë qenë përgjithësisht më skeptikë ndaj zhvillimit të vendit dhe më optimistë për sa i përket bizneseve të tyre. Krahas faktit që kemi lënë pas një vit shumë të vështirë dhe me pasiguri maksimale për shumicën e sektorëve, kjo shpjegon edhe një rënie të dëshirës për të ri-investuar, apo për të rritur numrin e punonjësve.

Në përgjigje të pyetjes “Kur mendoni se mund të arrini xhiron që biznesi juaj ka patur përpara fillimit te pandemisë?” 36% e të anketuarve parashikojnë në vitin 2023 ose më vonë, 31% në vitin 2022, 15% në gjysmën e dytë të vitit 2021, 2% në gjysmën e parë të vitit 2021. Ndërkohë 6% e bizneseve mendojnë se nuk do të mund të rikthehen ne nivelet e të ardhurave përpara pandemisë dhe 10% e të anketuarve e kanë arritur tashmë xhiron e mëparshme.

Zëvendëspresidentja e DIHA-s, znj. Ulrike Bega u shpreh në fjalën e saj përshëndetëse se shumë biznese pësuan një goditje të rëndë nga pandemia dhe ekonomia vazhdon të vuajë pasojat, të cilat do të vijojnë të ndjehen edhe pas përmirësimit të situatës shëndetësore, që fatmirësisht duket se po afron, duke qenë se numri i rasteve me Covid-19 po zvogëlohet ditë pas dite. Megjithatë ajo theksoi se rezultatet e pyetësorit mbi klimën e biznesit tregojnë se pavarësisht situatës së vështirë, dallohet dritë në fund të tunelit. Për të ndihmuar në kalimin e kësaj situate të vështirë, si dhe për të bërë Shqipërinë një vend më të mirë për të jetuar dhe për të bërë biznes, ajo ftoi të gjithë bashkëpunëtorët dhe anëtarët e DIHA-s, të vazhdojnë punën e përbashkët intensive. Ajo shprehu besimin se pavarësisht vështirësive të dukshme që po kalon aktualisht, Shqipëria ka një perspektivë shumë pozitive për të ardhmen dhe do të jetë një ndër vendet më të mirë për të jetuar pas dy apo tre dekadash.

Ambasadori Gjerman, z. Peter Zingraf theksoi në fjalën e tij se “Sundimi i ligjit dhe transparenca kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë vendimtare për klimën e investimeve, zhvillimin ekonomik të vendit dhe gjithashtu nëse mund të shtoj, për procesin e integrimit në BE. Tashmë është e rëndësishme që hapat e ndërmarrë deri më tani në

këto fusha të ndiqen në vazhdimësi – një proces në të cilin Shqipëria do të vazhdojë të ketë mbështetjen e plotë të Gjermanisë. Gjermania po ndihmon në zbutjen e pasojave ekonomike të pandemisë Covid-19, për shembull duke mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përmes një strukture këshilluese dhe programeve të  garantimit.”

Ministri i Sipërmarrjes, z. Eduard Shalsi vlerësoi se anketime të tilla janë të rëndësishme, sepse ndihmojnë Qeverinë për të kuptuar më qartë se ku duhet të përqendrohet puna. Ai theksoi se bizneset jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë botën, po kalojnë një periudhë të vështirë dhe Ministria për Mbrojtjen e Sipërmarrjes punon në mënyrë të vazhdueshme për të lehtësuar dhe përmirësuar komunikimin dhe bashkëpunimin ndërmjet bizneseve dhe Qeverisë. Ai përmendi planin për themelimin e një strukture koordinative për të rritur dialogun mes qeverisë dhe biznesit, si një mënyrë për të mbledhur drejtpërdrejt feedback, jo vetëm mbi problemet e bizneseve, por edhe propozime konkrete për zgjidhje, veçanërisht kur bëhet fjalë për bizneset e huaja që mund të ndajnë përvojat e vendeve nga vijnë.

Mbi anketimin Nga data 17 mars deri më 16 prill 2021, Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri, së bashku me 16 Dhoma Gjermane të Tregtisë me Jashtë (AHK) në Rajonin e Europës Qendrore dhe Juglindore (EQJL), realizoi me kompanitë anëtare anketimin vjetor mbi klimën e biznesit dhe investimeve në Shqipëri. Nga të gjitha zyrat (AHK) të rajonit EQJL morën pjesë në këtë anketim 1485 kompani, nga të cilat 48 ishin nga Shqipëria. Kjo korrespondon me një pjesëmarrje prej 60 % të kompanive anëtare të DIHA-s. Pjesëmarrësit marrin pjesë në këtë anketim online dhe përgjigjet analizohen në mënyrë anonime. Tematika dhe gama e pyetjeve është për të gjitha vendet njësoj.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of