Bashkimi Europian është i gatshëm për të vazhduar me mbështetjen e Shqipërisë në këtë kohë krize të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, deklaroi ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca.
Deri më tani Bashkimi Europian ka siguruar më shumë se 230 milionë euro mbështetje financiare për Shqipërinë, shkruar ambasadori në Twitter.
“I gatshëm për të vazhduar mbështetjen e Bankës së Shqipërisë, një aktor thelbësor në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimit Europian. Covid-19 përfaqëson një sfidë të pashembullt për Shqipërinë për sa i përket rritjes ekonomike dhe stabilitetit financiar. Bashkimit Europian ka siguruar më shumë se 230 milionë euro mbështetje financiare për Shqipërinë, për të ndihmuar në rimëkëmbjen ekonomike dhe për të mbështetur përfshirjen sociale. Edhe një herë, theksoj solidaritetin evropian dhe angazhimin e vendosur ndaj Shqipërisë”.
Reagimi erdhi pas pjesëmarrjes së ambasadorit në eventin përmbyllës të projektit të binjakëzimit “Forcimi i kapaciteteve të Bankës së Shqipërisë në kuadër të përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Europian”.
Në këtë takim Soreca tha se Banka e Shqipërisë aktualisht po përfiton edhe nga një projekt rajonal IPA prej 2 milionë eurosh.
“Qëllimi i tij është të forcojë kapacitetet e bankave qendrore në Ballkanin Perëndimor, me qëllim integrimin në Sistemin Europian të Bankave Qendrore. Binjakëzimi dhe projektet rajonale po e mbështesin në mënyrë të konsiderueshme zbatimin e rekomandimeve të politikave sipas Kapitullit 17 (Politika Ekonomike dhe Monetare) të acquis dhe Udhëzimin e Përbashkët të Politikave mbi politikën monetare në kuadër të ushtrimit të Programit të Reformës Ekonomike. Ne jemi të gatshëm të marrim në konsideratë përdorimin e instrumenteve tona teknike dhe financiare për ta vazhduar mbështetjen e Bankës së Shqipërisë, e cila duhet të vazhdojë të jetë një aktore thelbësore në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.