20 prilli është dita e aksionit kombëtar të shpallur nga qeveria në bashkëpunim me pushtetin lokal dhe shoqërinë civile, nën sloganin “Shqipëria e pastër”, ku aktivistë të shumtë në të gjithë territorin e vendit po japin shembullin e tyre.
Kryeministri Berisha iu bashkua aktiviteteve të komunitetit të bashkisë Kamzë, në Tiranë.
Fillimisht, Kryeministri inspektoi rehabilitimin e vendgrumbullimit të mbetjeve urbane, dikur një terren tepër problematik e i rrezikshëm. Kryeministri vlerësoi punën e bërë nga pushteti lokal në Kamzë për t’i dhënë zgjidhje një prej situatave tepër problematike në afërsi të Kamzës e Tiranës, e krijuar nga depozitimet 20 vjeçare të dhjetëra e mijëra tonëve hedhje e mbetura të rrezikshme.
“Tani ky terren është shndërruar në shesh të gatshëm për ndërtimin e një prej landfilleve më modern të vendit. Ju e dini se Kamza është sot, qyteti i 6-të më i madh i vendit dhe në këtë qytet, nga viti 2005 dhe në vazhdim janë ndërtuar rreth 80 kilometra rrugë të reja, 21 shkolla e kopshte, është ndërtuar një nga pallatet e kulture ndër më modernet në Shqipëri, është rindërtuar stadiumi dhe lehtësira të tjera. Unë dua ta përgëzoj zotin Mziu [kryetari i bashkisë Kamzë] për veprimin e tij energjik ndaj këtij hot spoti të vërtetë dhe dëshmi se si një bashki me kapacitetet e veta e trajton atë në mënyrën më të përgjegjshme dhe nga kjo situatë ka mbetur një pjesë e vogël, në të cilën po depozitohen mbetje,” u shpreh Kryeministri, pasi u njoh me punën e bërë për rehabilitimin e këtij vendgrumbullimi të mbetjeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.