Sot, ditë zie kombëtare, qeveria shpall gjendjen e jashtëzakonshme

27/11/2019 8:45 AM 0 komente

Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka shpallur sot në mëngjes gjendjen e jashtëzakonshme pas tërmetit me pasoja të rënda shkatërruese që goditi vendin ditën e djeshme. Rama tha se gjendja e jashtëzakonshme është shpallur në perimetrin Tiranë-Durrës.

Nga tërmeti që ra në orën 4:00 të mëngjesit duke u gdhirë 26 nëntori deri tani janë shënuar 28 viktima, 600 të plagosur dhe ende ka të humbur nën rrënoja. Dëmet më të mëdha u shkaktuan në Durrës dhe në Thumanë, si pasojë e shembjes së disa pallateve e hoteleve. Rama tha se 27 nëntori është shpallur ditë zie kombëtare, ndërsa nuk do të ketë asnjë festim për 28 dhe 29 Nëntorin.

Ai tha se vendi është përballur me një situatë sfiduese por që po e përballon me të gjitha mjetet e nevojshme, duke i quajtur heronj të gjithë ata që u angazhuan pa pushim në shpëtimin e njerëzve të mbetur nën rrënoja. Kryeministri tha se të gjitha vendet e BE-së, SHBA, Turqia, Kosova, iu gjendën pranë Shqipërisë me ndihma në këto ditë të vështira

Do të duhen shumë kohë sa të përcaktohet bilanci i saktë i dëmeve, por ai vlerësohet që do të jetë shumë i lartë, çka mund të detyrojë qeveritë të ndryshojë buxhetin e vitit 2020, i cili është ende në fazë diskutimi dhe nuk ka kaluar ende në Parlament. Në buxhetin aktual, fondi rezervë është vetëm 1.7 miliardë lekë, tërësisht i pamjaftueshëm për të përballuar tragjedinë që ndodhi. Debate do të ketë sërish edhe lidhur me skemën e sigurimeve nga fatkeqësitë kombëtare, që po diskutohet prej kohësh.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of