Sot mblidhet Kuvendi, Vetëvendosje e LDK pa marrëveshje për formimin e Qeverisë

26/12/2019 10:33 AM 0 komente

Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet sot në seancën konstituive pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 6 tetor. Por, mbajtja e kësaj seance është vënë në pikëpyetje pasi që dy partitë që synojnë formimin e qeverisë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur ta finalizojnë marrëveshjen për koalicionin qeverisës. Konform vendimit të presidentit Hashim Thaçi seanca konstituive e Kuvendit do të mbahet prej orës 15:00. Gjatë ditës mund të ketë takim mes Kurtit e Mustafës.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur marrëveshje për formimin e qeverisë së Kosovës. Kurse, sot pasdite do të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së shtatë e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, është deklaruar se nuk e preferon konstituimin e Kuvendit pa arritjen e marrëveshjes për qeverinë.
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, nuk i ka shpallur të përfunduara negociatat për qeverinë e re, por ka thënë se në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, Vetëvendosje dhe LDK shkojnë pa marrëveshje.
Albin Kurti, përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetin social Facebook, ka thënë se LDK ka refuzuar ofertën e fundit të partisë së tij.
“Oferta ime e parmbrëmshme, 23 dhjetor, u refuzua dje. Ajo i kishte tri pika dhe afatin deri në mesnatën e mbrëmshme. Pika 1: VV-së si parti e parë, i takon kryetari i Kuvendit dhe nënkryetari i parë, LDK-së i takon nënkryetari i dytë. Le ta bëjmë rokadën midis kryeparlamentarit dhe nënkryetarit të dytë të Kuvendit. Kryeparlamentarin e merr LDK ndërkaq nënkryetarin e dytë VV-ja. Pika 2: Çështjen e presidentit më së miri e lëmë për më vonë. Mirëpo nëse LDK-ja patjetër insiston që ne patjetër ta bëjmë premtimin për nominimin nga LDK, atëherë neve duhet të na shtohet tash një ministri: Ministria e Punëve të Brendshme e cila ka rëndësi jetike për luftimin e krimit dhe korrupsionit. Nominimi i LDK-ja për kandidatin për president bëhet pasi të mos kemi gjetur një personalitet koncensual jashtëpartiak, kurse kur të përcaktohet LDK-ja për emrin e tij ose saj, do të kërkohet edhe pëlqimi i VV-së. Dhe pika 3: sipas kërkesës së LDK-së, ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndahet me ç’rast Kultura dhe Rinia i kalojnë ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ndërkaq Sporti i kalon ministrisë së Shëndetësisë. Pakicat joserbe e marrin ministrinë e Zhvillimit Rajonal ose atë të Pushtetit Lokal, kurse pakica serbe ministrinë për Komunitetet”, tha ai.
Kurse kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, shkroi ndërkaq se gatishmëria e Lëvizjes Vetëvendosje për ta mbështetur kandidatin e propozuar nga LDK-ja për President të Kosovës, por duke kërkuar më shumë hise në qeveri, nuk është parim, por tentim për të përfituar më shumë.
“Ne mendojmë se ndarja e balancuar e përgjegjësive, konform rezulatit të zgjedhjeve, rezulton në këtë formulë, Kryetari i Kuvendit, Presidenti, kur të mbetet pozita e lirë, dhe gjysma e qeverisë duhet t’i takojnë LDK-së, nëse Vetëvendosje dëshiron mbështetjen e LDK-së për t’ia besuar asaj drejtimin e ekzekutivit dhe gjysmën e Qeverisë. Ndryshe, marrëveshja do të ishte e pabalancuar dhe nuk do të siguronte stabilitet qeverisës, as funksionim demokratik të institucioneve kryesore. Vetëvendosja ka filluar ta kuptoj këtë dhe shpresoj që në ditët në vazhdim, do të ulemi dhe do t’i definojmë të gjitha aspektet. E drejta dhe detyrimi kushtetues i takojnë te parit, ashtu si dhe përgjegjësi për te gjetur zgjidhje dhe për t’i ndërtuar institucionet e reja. Ne jemi gati për negociata”, ka shkruar Mustafa.
Lidhja Demokratike e Kosovës, kërkon që pjesë e marrëveshjes për koalicionin qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje duhet të jenë të gjitha pozitat udhëheqëse të vendit, përfshirë edhe atë të presidentit të vendit.
Kosova ka përvojë të proceseve të gjata të negocimit të koalicioneve qeverisëse në të kaluarën. Vëzhguesit ndërkaq thonë se vendi ndodhet në një periudhë kur duhet përshpejtuar proceset për të shmangur zgjatjen e një boshllëku institucional që mund të ketë pasoja për të ardhmen.
Në seancën e sotme konstituive deputetët e rinj do të betohen, ndërsa është e paraparë edhe zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës. Kryetarin e propozon partia fituese që në këtë rast është Lëvizja Vetëvendosje.
Seanca do të kryesohet nga deputeti më i vjetër në moshë, përkatësisht Jahja Koka, shoqëruar nga deputeti më i ri, në rastin konkret, deputetja Fjolla Ujkani, që të dy deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje.
Pikë e parë e seancës do të jetë formimi i komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve, për t’u pasuar me betimin e deputetëve.
Po ashtu janë përcaktuar edhe ulëset për grupet parlamentare.
Kështu, konform rregullores dhe praktikës së deritashme, grupi më i madh parlamentar që është Vetëvendosje do të ulet në qendër, grupi i dytë me radhë e që është LDK në anën e djathtë të kryesuesit të seancës, ndërsa grupi i tretë që është PDK në anën e majtë të kryesuesit.
Përcaktimi i ulëseve për grupet e tjera do të bëhet në vijim.
Aktualisht, sipas partive në negociata, janë dy skenarë për seancën konstituive. Skenari i parë është ai i konstituimit të këtij institucioni, por që do ta komplikonte edhe më shumë arritjen e marrëveshjes për qeverinë, kurse i dyti, ai i shpalljes së pauzës deri në arritjen e marrëveshjes LVV-LDK. Skenari i dytë ishte aplikuar më 2014, kur konstituimi i Kuvendit kishte zgjatur me muaj.
Kushtetuta e Kosovës e përcakton që Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive.
Kuvendi konsiderohet i konstituuar në momentin kur nga radhët e veta zgjedh kryetarin dhe pesë nënkryetarët (Kryesinë e Kuvendit). Bazuar në Kushtetutë, kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Kurse tre nënkryetarët, të propozuar nga tri grupet më të mëdha parlamentare, zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përderisa dy nënkryetarë përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kuvend dhe ata zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.
Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse, prej tyre 20 ulëse janë të garantuara për komunitetet joshumicë, përkatësisht 10 për komunitetin serb dhe po aq për komunitet tjera joshumicë.
Neni 95 i Kushtetutës e parasheh formën e zgjedhjes së Qeverisë. Aty thuhet se pas zgjedhjeve, presidenti i Republikës së Kosovës i propozon kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për ta formuar Qeverinë.
Në bazë të Kushtetutës, kandidati për kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e legjislativit.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, e përcjellë nga Lidhja Demokratike e Kosovës. /Monitor.al/.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of