Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se gjatë javës së ardhshme do të bëhet shqyrtimi i aplikacioneve dhe ekzekutimi i mjeteve për 100 eurot shtesë për punëtorët e sektorit privat. Deri tash mbi 300 mijë punëtorë kanë aplikuar për këtë mbështetje.
Sot është dita e fundit për të aplikuar për mbështetje prej 100 eurosh për punëtorët e sektorit privat.
Megjithëse thirrja është bërë prej më shumë se një muaji, punëtorët e sektorit privat që kanë aplikuar deri më tani nuk i ka përfituar ende këto shtesa.
Ministria e Financave, përmes një njoftimi të shkurtër të premten ka bërë të ditur se kanë aplikuar mbi 300.000 punëtorë.
Sipas ministrisë, ekzekutimi i mjeteve pritet të bëhet javën e ardhshme.
“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton qytetarët se sot është afati i fundit për të aplikuar për mbështetje për punëtorët që nuk marrin pagë nga buxheti i shtetit. Aktualisht, mbi 300 mijë punëtorë kanë aplikuar për mbështetje financiare prej 100 Euro. Gjithashtu, vlen të theksohet se MFPT tashmë ka themeluar Komisionin Zbatues për vlerësimin e aplikacioneve dhe gjatë javës së ardhshme pritet të bëhet shqyrtimi i tyre dhe ekzekutimi i mjeteve”, thuhet në njoftim.
Ditë më parë, Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës hodhi kritika të rënda për mosekzekutim të mjeteve prej 100 eurosh nga Qeveria e Kosovës duke e akuzuar për mashtrim.
Ndryshe, më 12 prill, kryeministri Albin Kurti kishte njoftuar se për muajin prill, pensionistëve, punëtorëve të sektorit privat e publik dhe studentëve do t’iu ndahen nga 100 euro.
Sipas tij, vlera totale për këtë ndihmë do të jetë rreth 100 milionë euro.
Deri tani shumën prej 100 euro e kanë marr pensionistë dhe punëtorët e sektorit publik.
Muajin e kaluar, Qeveria e Kosovës ka miratuar një projektligj që i hap rrugë rritjes së pagës minimale në 264 euro bruto apo 250 euro neto.
Aktualisht, kjo pagë është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit mbi 35 vjeç.
Rritja e miratuar nga Qeveria nuk ka qenë e kënaqshme për sindikalistët, të cilët kanë kërkuar që paga minimale të mos jetë nën 400 euro.
Me Ligjin e punës në Kosovë, Këshilli Ekonomik Social është organi që e propozon vlerën e pagës minimale në fund të çdo viti kalendarik, e cila më pas kalon për miratim te Qeveria.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.