Sonte do të arrijë në Kosovë kontigjenti i parë i vaksinave kundër koronavirusit. Me rastin e ardhjes së tyr do të organizohet një ceremony, ku do të jenë të pranishëm kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate për media ka njoftuar se ceremonia e pranimit të vaksinave do të mbahet në aeroportin “Adem Jashari” me fillim nga ora 20:15.
“Ju njoftojmë se sot, 28 mars 2021, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, do të marrin pjesë në ceremoninë e pranimit të kontingjentit të parë të vaksinave kundër COVID-19. Ky kontingjent është mundësuar nga organizata UNICEF, nëpërmjet programit COVAX. Ceremonia e pranimit të vaksinave mbahet në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, (para terminalit VIP), me fillim nga ora 20:15″, thuhet në komunikatë.
Ky kontingjent është në kuadër të 100.800 dozave të vaksinës së AstraZenecas që Kosova do të marrë falas nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Vaksina e kompanisë britanike AstraZeneca, që e ka zhvilluar unë bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, vlerësohet se është 76 për qind efektive kundër sëmundjes COVID-19.
Kosova është vendi i fundit në rajon që do të nisë fushatën e imunizimit të popullsisë kundër koronavirusit. Autoritetet tashmë kanë hartuar një plan të imunizimit, të ndarë në tri faza, ku fillimisht pritet të vaksinohen punëtorët shëndetësorë, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike./ Fatos Shala
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.