Nga sot në Kosovë nis ekzekutimi i 170 eurove të Pakos Emergjente për muajt të cilët nuk janë paguar. Deri më tani, për shkak të mungesës së buxhetit, është bërë vetëm një pagesë. Projektligji i rishikuar parasheh 1 miliard e 788 milionë euro, ndërsa totali i shpenzimeve të rishikuara të buxhetit është 2 miliardë e 620 milionë euro.
Nga sot Ministria e Financave nis shpërndarjen e pagesave nga Pakoja Emergjente për qytetarët dhe bizneset.
Kështu ka bërë të ditur ministrja që udhëheq me këtë dikaster, Hykmete Bajrami.
Bajrami është shprehur se për këtë, në Ministrinë e Financave po punohet pa orar, ndërsa ka shtuar se këtë javë do të ekzekutohen të gjitha mjetet për muajt e papaguar nga Pakoja Emergjente.
“Në Ministrinë e Financave po punohet pa orar. Thesari dhe Departamenti i Buxhetit po bëjnë të gjitha përgatitjet që nga e hëna të fillojnë ekzekutimin e pagesave nga Pakoja Emergjente për qytetarët dhe bizneset. Javën që po vjen do t’i ekzekutojmë të gjitha mjetet për muajt e papaguar bazuar në Pakon Emergjente”, thuhet në njoftimin e ministres.
Ministria e Financave nga e hëna do të nisë ekzekutimin e pagesave për qytetarët dhe bizneset për muajt e papaguar
“Ju kërkojmë falje qytetarëve dhe bizneseve për vonesat pasi ishte pamundshme të kryheshin pagesat pa u rishikuar buxheti. Falënderoj stafin e Ministrisë së Financave, të cilët po punojnë pa orar dhe kanë punuar gjithë kohën e pandemisë duke vënë edhe shëndetin në rrezik. Disa punëtorë të Ministrisë kanë rezultuar pozitiv me virus dhe ju urojmë shërim të shpejtë”.
Pengesa kryesore e këtyre 170 eurove ishte Ligji për Buxhetin e Kosovës. E kjo pengesë u kalua kur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi beri me dije se ka dekretuar Ligjin për Buxhetin dhe plotësim-ndryshimet e tij.
Thaçi tregoi se është i vetëdijshëm për shqetësimet e ngritura nga përfaqësues të sektorëve të ndryshëm dhe hyrja në fuqi e këtij ligji është domosdoshmëri urgjente për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve.
“Sapo dekretova Ligjin për Buxhetin dhe plotësim/ndryshimet e tij, të cilin e kam pranuar dje pasdite. E bëra dekretimin e menjëhershëm që sa më parë të ekzekutohen pagesat për qytetarët tanë dhe të zbuten pasojat e pandemisë. Jam i vetëdijshëm për shqetësimet e ngritura nga përfaqësues të sektorëve të ndryshëm, por hyrja në fuqi e këtij ligji është domosdoshmëri urgjente për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve”.
Punëtorët, të cilët janë pezulluar apo larguar nga puna pas muajit maj, nuk përfshihen në Pakon Emergjente Fiskale të Qeverisë së Kosovës dhe as në ndonjë pako tjetër. Aplikimi për të përfituar nga kjo pako është mbyllur më datën 15 maj.
Pakoja emergjente fiskale, në vlerë prej rreth 180 milionë eurosh, kishte paraparë që punëtorët që kanë humbur vendin e punës, pas shpalljes së masave emergjente, të përfitojnë nga 170 euro për dy muajt e ardhshëm (prill dhe maj).
Pagesa për muajin maj do të mund bëhet pas miratimit të Ligjit të rishikuar për ndarjet buxhetore 2020, i cili tashmë është dekretuar nga presidenti i Kosovës.
Deri më tani, për shkak të mungesës së buxhetit, është bërë vetëm një pagesë.
Ndryshe, më 30 korrik deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar në lexim të dytë Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2020.
Projektligji i rishikuar parasheh 1 miliard e 788 milionë euro, ndërsa totali i shpenzimeve të rishikuara të buxhetit është 2 miliardë e 620 milionë euro.
Buxheti i rishikuar për vitin 2020 adreson sfidat e krijuara nga pandemia COVID-19 dhe gjetjen e mënyrës së financimit të realizimit të programit qeverisës.
Përveç Pakos Emergjente Fiskale, Qeveria e Kosovës në këtë Projektligj ka krijuar edhe një fond, i cili do të shërbejë për rimëkëmbjen ekonomike.
Me rishikimin e bërë të buxhetit janë mobilizuar 600 milionë euro për të mbuluar mungesën e të hyrave prej 232 milionë eurosh si pasojë e pandemisë dhe gjithashtu për të krijuar Fondin për Rimëkëmbje Ekonomike në shumë prej 385 milionë eurosh.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.