Kuvendi i Shqipërisë pritet të miratojë në seancën plenare të së enjtes “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, i cili legjitimon kriptomonedhat.
Shqipëria bëhet në këtë mënyrë një nga të paktat vende të Europës që legalizon dhe rregullon kuadrin ligjor për monedhat virtuale.
Deri tani, në Europë vetëm dy shtete kanë marrë hapa për të zbatuar një legjislacion të caktuar për aktivet virtuale, të cilat nuk mbulohen nga kuadri ekzistues i Bashkimit Europian. Kështu, Malta ka në fuqi një ligj për aktivet virtuale, Franca e ka miratuar ligjin në prill të vitit 2019, sipas relacionit që shoqëron projektligjin.
Në relacion thuhet se synohet të bëhet rregullimi me ligj, ndalimi në rast abuzimi dhe marrja e penaliteteve në lidhje me aktivitetet virtuale dhe shërbimet e lidhura me to, duke nënvizuar se rregullimi është variant që po përqafohet në shumë vende si alternativë për kontrollin dhe mbarëvajtjen.
Tokenët dixhitalë dhe monedhat virtuale janë një lloj aktivi virtual, thelbësisht të varur nga teknologjia e regjistrave të shpërndarë (“Distributed Ledger Technology” – DLT), të cilët i japin përdoruesit të drejta përfitimi, pronësie ose mund të përdoren si instrument pagese apo mjet utilitar, në procesin e blerjes së produkteve apo të shërbimeve, shpjegohet në relacion.
Relacioni pranon se siç ka përfitime ka edhe rreziqe.
“Për të shfrytëzuar sa më mirë përfitimet që ofron kjo teknologji, por edhe për të adresuar një sërë rreziqesh të mundshme, siç janë krijimi i skemave mashtruese, apo i skemave të paautorizuara për të ofruar aktive virtuale, rreziku i përdorimit të aktiveve virtuale për të pastruar para, si dhe manipulimi i tregut, nevojitet një kornizë ligjore e plotë, në mënyrë që ky aktivitet të rregullohet” thuhet në relacion.
Në relacion pranohet se pastrimi i parave është një nga rreziqet që lidhet me përdorimin e monedhave virtuale.
Sa i takon vetëm pastrimit të parave, thuhet se projektligji adreson edhe çështje që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave, duke kërkuar nga çdo titullar licencë-krijimin e një sistemi të sigurt dhe të mbrojtur nga risqet për të monitoruar transaksionet në përputhje me ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit, nëpërmjet hartimit të politikave për parandalimin e pastrimit të parave dhe angazhimit të punonjësve me përvojën e duhur për raportimin e çështjeve që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave.
Blockchain shmang rregullatorët, rrezik për pastrim parash
Blockchain është një teknologji e re dhe jo më e thjeshta për t’u kuptuar. Kjo teknologji vlerësohet se do të kërkojë vite për t’u zbatuar nga komunitete shumë më të edukuara nga pikëpamja financiare se Shqipëria për të zgjidhur problemet me standardet e sigurisë dhe për të kthyer reputacionin nga hakerimet e fundit.
Blockchain premton t’ia kthejë kontrollin e data njerëzve, por kjo së paku kërkon besimin në teknologji. Paradoksi këtu është se blockchain, në fakt, shmang pikërisht nevojën për të besuar dhe heq hallkat ndërmjetëse, si për shembull noterët, siguruesit dhe bankierët,duke na kërkuar që të besojmë në teknologji. Por si mund të besosh në teknologji, nëse kodet e blockchain janë thyer në mënyrë të përsëritur.
Nëpërmjet teknologjisë mund të kalosh pa kontrollin e bankës qendrore aksionet e një biznesi, hipotekën e shtëpisë, sigurimin e pronës apo transfertat e emigrantëve, duke shmangur sinjalizuesit e fenomenit të pastrimit të parave. Këtë funksion e kryejnë aktualisht bankat / shoqëritë financiare që duhet të njoftojnë në kohë reale pastrimin e parave për transaksione mbi 10 000 euro, ashtu si dhe noterët që e kanë të detyrueshme të njoftojnë, në rast dyshimi për pastrim parash.
Zyrtarizimi i kriptomonedhave në Shqipëri, Flluskë apo Pastrim Parash?!
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Imagjino me parlament, qe nuk dine shkrim e kendim pjesa me e madhe, do miratojne ligje per kriptovalutat. Shqiperi tha Faiku ste mora vesh asnjehere….
Kjo pjese e shkrimit eshte e gabur “Por si mund të besosh në teknologji, nëse kodet e blockchain janë thyer në mënyrë të përsëritur”
nuk eshte teknokogjia e blockchain qe eshte thyer ndonjehere qe nga gjeneza e saj por thyerje ka patur ne sistemet ku keto kripto monedha konvertohen mes njera tjetres dhe me monedhat tradicionale.