4 mijë e 680 doza të vaksinës Pfizer, do të arrijnë në Kosovë gjatë ditës së sotme.
Këto doza të vaksinës janë donacion nga Bashkimi Evropian, nga i cili Kosova do të përfitojë gjithsej 95 mijë doza.
Sot në Kosovë pritet që të arrijnë 4680 dozat e para të vaksinës anti-COVID të llojit Pfizer.
Këto vaksina janë pjesë e kontingjentit të 95 mijë vaksinave Pfizer që Bashkimi Evropian do t’i sjellë në Kosovë.
Këtë e kanë konfirmuar zyra për komunikim e MSH-së, nga e cila kanë deklaruar se edhe javëve në vazhdim do të arrijnë disa kontingjente, duke mos dhënë më shumë detaje.
“Sot pritet të vijnë 4680 vaksina Pfizer të BE-së. Edhe gjatë javëve në vijim pritet të vijnë kontingjent deri në marrjen e të gjitha 95 000 dozave”.
Kosova gjatë këtij muaji do të pranojë 95,000 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, të cilat janë donacion nga Bashkimi Evropian.
Komisioneri i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi tha se shpërndarja e dozave të para në vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëhen “brenda një apo dy javësh” dhe do të vazhdojnë deri në fund të muajit.
BE-ja ka siguruar një sasi prej 651,000 dozash të vaksinave për vendet e Ballkanit Perëndimor. Bosnjë dhe Hercegovina do të përfitojë numrin më të madh të dozave, përkatësisht 214,000. Pastaj vjen Shqipëria me 145,000 doza, Maqedonia e Veriut do të marrë 119,000 doza, Mali i Zi 42,000 doza, ndërkaq, një numër më i vogël dozash BE-ja do të dërgojë në Serbi, shtet ky që ka avancuar më shumë sa i përket fushatës së vaksinimit.
Kosova ka nisur procesin e vaksinimit kundër koronavirusit më 29 mars, pas sigurimit të 24,000 dozave të vaksinës AstraZeneca, përmes programit COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.
Ky vend është thënë se do të pranojë edhe 76,800 doza tjera të vaksinës së AstraZeneca nga ky program në periudhën prill-qershor, ashtu sikurse mbi 100,000 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, deri në fund të qershorit.
Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 105,636 pacientë me këtë virus. Prej tyre 2,187 kanë vdekur.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.