Sot pritet të votohet në lexim të dytë buxheti për vitin 2021

29/12/2020 10:10 AM 0 komente

Sot në Kuvendin e Kosovës do të mbahet seancë ku pritet miratimi i buxhetit në lexim të dytë.

Gjatë ditës së hënë me 64 vota për, është miratuar në parim buxheti i vitit 2021.

Pas kësaj, shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka kërkuar të futet në rend të ditës për lexim të dytë sot në ora 14:00 dhe deputetët të dërgojnë amandamente deri në ora 10:00.

Me shumicë votash u aprovua kjo kërkesë dhe seanca do të mbahet sot në orën 14:00.

Më 89 vota për, është miratuar marrëveshja ndërkombëtare për impiantin e ujërave të zeza në Gjilan. Në seancë pritet të votohen disa marrëveshje tjera ndërkombëtare.

Projektligji për buxhetin e vitit 2021 kap vlerën e 2.4 miliardë eurove.

Nëse buxheti nuk miratohet deri më 31 dhjetor, kuvendi, me anë të një vendimi, mund të autorizojë vazhdimin e zbatimit të Ligjit për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar fiskal.

Qeveria e kishte bartur Projektligjin për Buxhetin 2021 në Kuvend, ku shpërndarja e tij rrezikon ta lërë Kosovën edhe pa buxhet në muajin mars. Në momentin kur shpërndahet Kuvendi ose puna e tij pezullohet, të gjitha nismat ligjore u kthehen sponsoruesve përfshirë edhe Projektligjin për Buxhetin dhe marrëveshjet financiare ndërkombëtare.

Sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, në mungesë të një Ligji për Ndarjet Buxhetore do të vlenin vetëm për dy muajt e parë të vitit 2021 nëse zgjedhjet e përgjithshme për deputetët e Kuvendit janë mbajtur më pak se katër muaj para fillimit të vitit përkatës fiskal duke siguruar një ndarje buxhetore për çdo organizatë buxhetore, që është e barabartë me 16.67 për qind të ndarjes buxhetore nga Ligji i Ndarjeve Buxhetore të vitit 2020.

Pas kësaj periudhe vetëm Kuvendi, me anë të një vendimi, mund të autorizojë zgjatjen e Ligjit për Ndarjet Buxhetore të vitit të kaluar fiskal edhe për muajin mars.

Ligji për Ndarjet Buxhetore i vitit të kaluar fiskal, në asnjë rast, nuk mund të zgjatet për më shumë se tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of