Sot skadon ultimatumi i Hashim Thaçit për VV-në, Kurti e Mustafa ende pa marrëveshje

08/01/2020 10:23 AM 0 komente

Sot në orën 16:00 përfundon ultimatumi prej 48 orësh që presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ia dha liderit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtit që ta propozojë emrin e mandatarit të qeverisë së re. Thaçi ka paralajmëruar Kurtin se pas këtij afati do të ndërmarrë veprime kushtetuese. VV e LDK ende nuk kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje. Pas takimit të djeshëm, Albin Kurti  dhe Isa Mustafa kanë paralajmëruar një tjetër takim sot.

 

Vetëm disa orë kanë mbetur nga përfundimi i afatit kohor që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ia dha pretenduesit kryesor për kryeministër të Kosovës Albin Kurtit.

Pas takimit që Kurti e Thaçi patën të hënën, takim ky që nuk prodhoi asnjë efekt juridik, presidenti njoftoi se ia ka caktuar Kurtit vetëm 48 orë për ta caktuar të nominuarin e partisë së tij për kryeministër të ri të vendit.

“Kam vendosur t’i ofroj z. Kurtit kohë shtesë edhe 48 orët e ardhshme për nominimin e kandidatit/kandidates për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës para se t’i marr veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore”, kishte thënë Thaçi.

Se Thaçi ka përmendur ndonjë afat për të bërë propozimin e kanë mohuar në Lëvizjen Vetëvendosje.

Dje gjatë ditës, Albin Kurti ka thënë se në mbledhje ishin gjashtë persona, që mund të dëshmojnë se nuk është diskutuar për atë çështje.

“Gjatë takimit të shkurtë konsultativ, i cili nuk mund të ketë efekte ligjore, presidenti nuk ka përmendur kurrfarë afatesh dhe nuk e ka përmendur shprehjen ‘48 orë’, e që më vonë është mundur të lexohet në publikimin e tij në Facebook. Gjatë takimit, i cili ka zgjatur më pak se 6 minuta, në dhomë kemi qenë 6 persona”.

Afati i dhënë nga Thaçi është kundërshtuar edhe nga njohësit e çështjeve kushtetuese.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se afati i përcaktuar nga presidenti Hashim Thaçi ndaj Albin Kurtit që 48 orë të nominojë kandidatin/kandidaten për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, është në kundërshtim me Kushtetutën.

“Presidenti i Republikës nuk mund të caktojë afate sepse procesi i formimit të institucioneve është një proces politik që bazohet në Kushtetutë. Presidenti duhet t’i përmbahet Kushtetutës, e cila në asnjë interpretim nuk i jep të drejtë Presidentit për vënie të afateve ultimative, kurse forcat politike kujdesen për formimin e vullnetit politik të qytetarit të Kosovës”.

Në anën tjetër, ka munguar një deklaratë e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, përkitazi me takimin e zhvilluar, dy javë pas ngecjes së negociatave.

Kurse, Albin Kurti me fillim nga ora 10:00 do të mbledhë për herë të dytë brenda javës kryesinë e partisë në të cilën ai udhëheq, për të diskutuar për mandatarin.

Mbledhja e djeshme ishte lënë në gjysmë, pasi që Kurti me një pjesë të partisë ishin nisur për në Kuvend të Kosovës, aty ku u takuan me liderët e LDK-së, në krye me Isa Mustafën.

Edhe një takim Kurti-Mustafa

Pas takimit të djeshëm mes vete, Albin Kurti i Vetëvendosjes e Isa Mustafa i Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë paralajmëruar një tjetër takim sot.

Kreu i VV-së Albin Kurti paralajmëroi se sot do të mbahet prapë një mbledhje e Kryesisë së partisë, derisa më pas zhvillon takim me Mustafën.

Nga takimi i djeshëm i cili ka zgjatur rreth tri orë, asnjëri nga liderët nuk kanë pranuar të shpalosin detaje.

Sipas raportimeve LDK në takimi e sotëm do të prezantohen kushtet e kësaj partie për të hyrë eventualisht në koalicion.

nga diskutimet e bëra, megjithëse nuk ka pasur kërkesë specifike, është kuptuar se LDK-ja kërkon më shumë ministri, si kompensim për postin e kryeparlamentarit.

Kujtojmë se Lidhja Demokratike e Kosovës kishte mbetur e “befasuar” dhe e quajti të njëanshëm veprimin e Vetëvendosjes në seancën e 26 dhjetorit, edhe pse të gjithë 28 deputetët e kësaj partie votuan për kandidatin e propozuar të VV-së. Pas këtij veprimi, për LDK-në të gjitha marrëveshjet e deritashme me VV-në kanë rënë në ujë./Monitor.al/.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of