Indeksi i aksioneve Standard & Poor’s 500 në SHBA kërceu në tregtimet e paradites të së enjtes, duke tejkaluar për një kohë të shkurtër nivelin e tij më të lartë të të gjitha kohërave, të vendosur në 2007-n, duke ecur drejt rikuperimit të të gjitha humbjeve nga kriza financiare, së bashku me treguesin industrial Dow Jones.
Niveli rekord u arrit në tregtimet e paradites, teksa S&P 500 kaloi rekordin e mbylljes prej 1565.15 në 9 tetor 2007. Pasi arriti në këtë pikë më shumë se pesë vjet më parë, treguesi referencë kishte humbur më shumë se gjysmën e vlerës gjatë krizës financiare, duke u zhytur në 676.53 në 9 mars 2009.
Që atëherë, ai u ngjit në mënyrë të qëndrueshme si rrjedhojë e rritjes së fitimeve të kompanive amerikane. Rritja e fundit prej 10% në tre muajt e parë të vitit, erdhi pavarësisht ringjalljes së shqetësimeve për krizën e borxheve të eurozonës. Por, ndërkohë që anëtari i eurozonës me probleme, Qipro, rihapi bankat e veta të enjten, kishte pak vend për panik, çka qetësoi investitorët dhe hapi rrugën që indeksi të arrinte në nivele rekord.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.