S&P Global Ratings konfirmoi vlerësimet e saj ‘BBB-/A-3’ afatgjata dhe afatshkurtra mbi Kroacinë dhe perspektivën e qëndrueshme, pavarësisht rritjes më të dobët të brendshme dhe të jashtme të vendit këtë vit, për shkak të krizës së koronavirusit.
“Ne besojmë se ndihmat ekzistuese, përfshirë rezervat e mjaftueshme ndërkombëtare dhe linja e këmbimit të valutës me Bankën Qendrore Europiane (BQE), duhet të zbusin presionet e jashtme të likuiditetit”, deklaroi S&P.
Ajo shtoi se, këtë vit, parashikon një tkurrje prej 9% të ekonomisë kroate të varur nga turizmi, për shkak të kufizimeve të imponuara për të parandaluar përhapjen e COVID-19, që shkaktuan rënien e të ardhurave nga turizmi, duke ushtruar në këtë mënyrë presion të konsiderueshëm në performancën e bilancit të pagesave në vend.
Ekonomia pritet të rimëkëmbet disi, duke u rritur me 5.3% në vitin 2021 dhe 2.5% në vitin 2022, sipas parashikimeve të S&P. “Perspektiva e qëndrueshme balancon rreziqet e likuiditetit të dobët të jashtëm, për shkak të rënies nga pandemia e COVID-19, e cila i dha një goditje të konsiderueshme sektorit të turizmit në Kroaci, në kontrast me përmirësimin e bilancit të jashtëm të vendit.
Skenari negativ
Presionet e vlerësimit negativ mund të rriten nëse kufizimet e udhëtimit dhe rënia ekonomike rezultojnë në presione më të theksuara në performancën e bilancit të pagesave në Kroaci, dhe likuiditeti i jashtëm përkeqësohet përtej pritshmërive, ose nëse ato çojnë në një dobësim më të gjatë të financave publike, duke e çuar borxhin publik në një trajektore të fortë ngritëse.
Skenari pozitiv
Vlerësimet mund të rriten gjatë dy ose tre viteve të ardhshme, nëse performanca e rritjes së Kroacisë i tejkalon pritshmëritë aktuale, duke rritur nivelin e të ardhurave në vend.
Tkurrja ekonomike
S&P Global Ratings parashikon se ekonomia e Kroacisë do të tkurret me 9% në vitin 2020, si rezultat i masave të rrepta për të frenuar përhapjen e COVID-19, të imponuara brenda dhe jashtë vendit. Këto masa kanë goditur sektorët e mëdhenj të turizmit dhe hotelerisë në vend. Sidoqoftë, ne vazhdojmë të besojmë se reduktimi i pabarazive makroekonomike në vitet e fundit, ka ndihmuar që Kroacia të jetë në një pozitë më të favorshme për të zbutur një tronditje të përkohshme në ekonominë e saj, pa dëmtuar në mënyrë të përhershme parametrat e kreditit të vendit.
Kroacia është një nga vendet më të varura nga turizmi në Europë, duke qenë se turizmi kontribuon me rreth 20% të PBB-së dhe një të tretën e arkëtimeve të llogarisë rrjedhëse. Kufizimet e udhëtimit të imponuara në muajt e fundit do të godasin rëndë sektorin. Sipas parashikimit tonë bazë, të ardhurat nga turizmi do të bien me rreth 70% në vitin 2020, në krahasim me vitin 2019.
Për më tepër, pasiguria mbi ritmin e heqjes së plotë të kufizimeve të udhëtimit, si në Kroaci ashtu edhe në shtetet e tjera të BE-së, si dhe ndryshimet e mundshme në rregullat e udhëtimit, mund të ndikojnë që sektori i turizmit të rimëkëmbet vetëm në mënyrë graduale. “Kjo është një arsye pse ne parashikojmë vetëm një rikthim të pjesshëm të rritjes së PBB-së së Kroacisë në vitin 2021, dhe se niveli i PBB-së së vitit 2019 do të rikthehet vetëm në vitin 2023. Rëniet e mëdha nga pandemia do të vazhdojnë të ushtrojnë presion në performancën e bilancit të pagesave të vendit dhe hyrjet e llogarive rrjedhëse në Kroaci do të ulen me të paktën një të tretën në vitin 2020.
Sidoqoftë, në mungesë të kufizimeve më të gjata të lëvizjes ndërkufitare, ne besojmë se Kroacia do të jetë në gjendje të shmangë një dëmtim të përhershëm në themelet e saj të kredisë.
Së pari, një tipar që dallon Kroacinë nga vendet e tjera është mundësia që pushuesit evropianë të vijnë në vend me makinë, duke e bërë atë më pak të varur nga rikuperimi i udhëtimeve ajrore. Shumica e vizitorëve në vend vijnë nga Gjermania e afërt (24% e qëndrimeve gjatë natës), e ndjekur nga Sllovenia dhe Austria (secila me 9% të qëndrimeve totale gjatë natës). Kjo është një nga arsyet pse nuk mendojmë se sezoni veror turistik do të humbasë këtë vit.
Së dyti, presionet e financimit të jashtëm të Kroacisë mund të zbuten nga rezervat e shumta të këmbimit valutor të vendit, i cili përbënte rreth 30% të PBB-së edhe pas ndërhyrjeve të drejtpërdrejta të këmbimit valutor prej 2.2 miliardë eurosh në mars, dhe nga linja e këmbimit të valutave prej 2 miliardë eurosh me BQE-në. Ne besojmë se, edhe në një skenar negativ të rënies së të ardhurave nga turizmi me 90%, këto ndihma dhe mjete të tjera të politikës monetare duhet të lejojnë Bankën Kombëtare Kroate (HNB, banka qendrore) të frenojë zhvlerësimin e monedhës”, thuhet në raport.