Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Standard & Poor’s (S&P) në rishikimin e saj të fundit ka konfirmuar për Shqipërinë vlerësimin në “B+”, si dhe me perspektivë “të qëndrueshme”.
Agjencia parashikon se rritja e PBB-së së Shqipërisë ka të ngjarë të ngadalësohet 2023 në 2.2% nga 3.2% e vlerësuar këtë vit, më pas të rikuperohet në një mesatare prej 3.4% në 2024-2025, duke u treguar elastike ndaj rrymave të kundërta globale dhe kërkesës më të dobët nga Evropa.
Agjencia projekton një tkurrje në deficitin fiskal të Shqipërisë në 3.7% të PBB-së në 2022, më pas një përmirësim në 2.9% deri në fund të 2025, në përputhje me zotimin e qeverisë për të balancuar financat publike.
Perspektiva e qëndrueshme pasqyron pikëpamjen e agjencisë se Shqipëria mund të vazhdojë të menaxhojë rreziqet nga konflikti Ukrainë-Rusi. Sipas agjencisë vlerësimet mbështeten nga perspektiva e moderuar e rritjes ekonomike të Shqipërisë dhe fleksibilitetit të saj monetar nëpërmjet regjimit të kursit të lirë të këmbimit dhe rezervave valutore relativisht të larta. Këto, në veçanti, vazhdojnë të shërbejnë si amortizues të rëndësishëm ndaj goditjeve të mundshme të jashtme. Për më tepër, agjencia beson se autoritetet do të rikthehen në pozicionin e tyre konsolidues fiskal, duke ulur kështu borxhin publik gjatë viteve 2022-2025, pavarësisht goditjeve të jashtme me të cilat përballet Shqipëria vitet e fundit.
Me rëndësi është që agjencia beson se autoritetet do të respektojnë rregullat e tyre fiskale siç përcaktohet në Ligjin Organik të Buxhetit (OBL). Këto rregulla fiskale kërkojnë që qeveria të arrijë një bilanc primar pozitiv që prej vitit 2024 dhe të targetojë raportin e borxhit ndaj PBB-së në rënie të vazhdueshme deri sa ai të bjerë dhe qëndrojë poshtë nivelit 45%. Agjencia vë në dukje se autoritetet po synojnë një bilanc primar pozitiv që në vitin 2023, një vit përpara afatit.
Pavarësisht shtrëngimit të kushteve financiare globale, konfliktit Rusi-Ukrainë dhe ngadalësimit të aktivitetit ekonomik botëror, leku shqiptar (që ndjek një regjim të kursit të lirë të këmbimit) është mbiçmuar ndaj euros. Stabiliteti i lekut ka ulur presionin mbi financat publike dhe sistemin bankar vendas. Flukset e huaja neto hyrëse të forta të kanë forcuar rezervat valutore të huaja. Agjencia konstaton pozitivisht përpjekjet e BSH-së për akumulimin e rezervave.
Agjencia parashikon që deficiti i llogarisë korente të zgjerohet në 8.3% të PBB-së në vitin 2022, nga 7.7% në 2021, kryesisht për shkak të rritjes së importeve të energjisë dhe lëndëve të para. Megjithatë, këto importe pritet të kompensohen disi nga një rritje në remitancat e emigrantëve dhe eksportet e shërbimeve, në veçanti të ardhurat nga turizmi. Gjatë viteve të ardhshme, deficiti i llogarisë korente pritet të vazhdojë të ngushtohet me uljen e çmimeve të mallrave, rimëkëmbjen e të ardhurave nga turizmi dhe mbylljen e aktiviteteve të rindërtimit pas tërmetit. Flukset neto të IHD-ve dhe huamarrja e jashtme pritet të vazhdojnë të financojnë deficitin e jashtëm.
Sektori bankar i Shqipërisë vlerësohet likuid, i mirëkapitalizuar dhe fitimprurës. Kreditë me probleme arritën në 5.1% të kredive në shtator, krahasuar me një kulm prej gati 25.0% në vitin 2014.
Anëtarësimi në BE ka mbetur një prioritet kyç i politikave të administratave qeveritare të njëpasnjëshme, që kur Shqipëria u shpall kandidate në qershor 2014.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.