Vendi i dytë më i vizituar në botë që mbylli dyert dhe plazhet e tij në mars për të trajtuar pandeminë e Covid-19, tani po planifikon të heqë kërkesën për karantinë 14-ditore për turistët e huaj brenda disa javësh.
“Është krejtësisht koherente të planifikoni pushimet verore për të ardhur në Spanjë në korrik,” tha Ministri i Turizmit, Reyes Maroto.
Spanja normalisht tërheq 80 milionë njerëz në vit dhe turizmi llogaritet mbi 12 për qind e prodhimit të brendshëm bruto, ndërsa numri i vendeve të punës zë një vend akoma më të madh, kështuqë sezoni i verës është thelbësor për mundësitë e zbutjes të një recesioni të afërt.
Megjithëse u lejuan të hapen në hapësirat e jashme me gjysmë kapaciteti, shumë bare dhe restorante vijojnë të jenë të mbyllura, pasi pronarët kanë vlerësuar që hoteleria pëshon pak krahasuar me kostot.
Disa nga ata që u hapën, pasi personeli i veshur me doreza dhe maska pastruan tarracat dhe vendosën tavolina në distancë, ishin pesimist.
“Është shumë e ndërlikuar, ne nuk do të jemi në gjendje të shpëtojmë sezonin turistik, përveç nëse vijë mjaftueshëm të huaj”, tha Alfonso Gomez, një pronar restoranti në Barcelona.
Jose Carlos Ramon, kreu i shoqatës së restoranteve Madrid AMER, tha se vetëm një në katër bare dhe restorante në kryeqytet ka një tarracë dhe rihapja është e kushtueshme. Në Spanjë si një e tërë, vetëm rreth 15% janë rihapur, tha ai.
Komentet e ministrit duke shpresuar të mirëpresin turistët e huaj në korrik, ngritën aksionet e lidhura me turizmin.
Turizmi është sektori që ka përfituar më shumë nga linjat e kreditit të mbështetur nga shteti, të destinuara për të ndihmuar bizneset. Deri më tani ka përfituar 6.4 miliardë nga 38 miliardë euro të dhëna gjatë javëve të kaluara, sipas të dhënave nga agjensia shtetërore e kredisë ICO.
Spanja ka regjistruar mbi 28 mijë vdekje nga koronavirusi dhe mbi 235 mijë raste pozitive, ndërsa vdekjet ditore kanë rënë në më pak se 100 në javën e fundit./Reuters