Gjatë këtij viti, Prodhimi i Brendshëm Bruto spanjoll do të zbresë me 1,5% dhe vendi do të kthehet në recesion. Botimi i fundit mujor i bankës spanjolle shënon edhe ulje të kërkesës së brendshme, për shkak të masave shtrënguese të ndërmarra nga qeveria dhe nivelit të lartë të papunësisë që erdhi nga përkeqësimi i ekonomisë. “Rritja e fortë e tensioneve në tregjet financiare në Eurozonë, duke filluar nga vera e vitit të kaluar, ka dobësuar besimin e operatorëve privatë dhe ka përkeqësuar kushtet e financimit, duke dhënë efekte negative në rritjen ekonomike”, thyhet në buletinin e Bankës Qendrore, e cila për vitin 2011 vlerëson rritje prej 0,7%. Zapatero kishte parashikuar një rritje prej 2.3% për vitin që kaloi. Banka konfirmon parashikimet negative për këtë vit, kur niveli i papunësisë pritet të rritet 23.4%. Për një rimëkëmbje modeste, Spanja duhet të presë deri në vitin 2013. Vitin e ardhshëm PBB spanjolle pritet të rritet 0.2%. Vlerësimet e bëra publike nga banka spanjolle kundërshtojnë vlerësimet nga ekzekutivi i mëparshëm, i udhëhequr nga socialisti Josef Luis Rodriguez Zapatero. Recesioni i këtij viti do ta bëjë edhe më të vështirë ruajtjen e deficitit me 4,4% të PBB-së. Lidhur me këtë, Kryeministri Mariano Rajoy theksoi pak kohë më parë politikën e kontrollit të deficitit, duke siguruar se reformat janë të nevojshme në të gjitha vendet e Bashkimit Europian. “Qeveria di shumë mirë çfarë duhet të bëjë për të përmirësuar reputacionin e Spanjës, për të siguruar rritjen e për të krijuar vende pune”, deklaroi shefi i qeverisë spanjolle. Rajoy ka shtuar se në takimin informal të 30 janarit do të transmetojë mesazhin se “nuk mund të shpenzojmë para që nuk i kemi dhe duhet të kontrollojmë deficitin”. Do të them që të gjitha vendet e BE-së duhet të bëjnë reforma ekonomike dhe që Bashkimi Europian duhet të zgjidhë problemet e tij të financimit”. Për Spanjën, sfidë kryesore është ulja e nivelit të papunësisë. Viti 2011 u mbyll me 5.4 milionë të papunë. Rritja më e madhe e papunësisë erdhi në tremujorin e fundit 2011, kur numri i të papunëve u shtua me 400 mijë. Qeveria spanjolle është shprehur se “të gjitha përpjekjet e politikat tona do të jenë orientuar në këtë objektiv”.