Në qoftë se nuk keni dëgjuar ndonjëherë për formatin “SpeedDating” në fushën e biznesit, në takimet mes kompanive apo instancave të tjera, bëjeni. Një kërkim i thjeshtë në internet tregon se si një metodë e tillë ka nxitur (dhe nxit) bashkëpunimin mes bizneseve, kompanive të ndryshme në fusha të gjera kudo nëpër botë. Ajo që e bën interesante këtë format, është tavolina e përbashkët, bashkimi me grupin e interesit në të cilin do të diskutohet apo bashkëpunohet, një kronometër dhe gjithçka fillon në 1,2,3…!
E hasur për herë të parë në Shqipëri, një vend ku tavolinat e përbashkëta joformale shihen me interes për të bërë biznes, organizuesit nga “PartnersAlbania” pohojnë se kjo nismë erdhi si rrjedhojë e disa arsyeve.
“Mungesa e një ure komunikimi dhe bashkëpunimi mes sektorit jofitimprurës dhe atij privat në Shqipëri ishte një pikënisje e rëndësishme”, – tregon menaxherja e projekteve pranë Partnerëve Shqipëri, znj. Erila Haska.
Ajo shton se ky event konsiderohet si test dhe do të pasohet edhe nga dy të tjerë vitin e ardhshëm. Znj. Haska tregon se në këtë proces, e rëndësishme do të ishte edhe gjetja e interesave të përbashkëta për financime, apo shitja e produkteve a shërbimeve.
Partnerët Shqipëri në vijim të nismave të saj në kuadër të nxitjes dhe promovimit të praktikave më të mira të bashkëpunimit midis sektorit jo fitimprurës dhe atij privat, përmes këtij eventi synoi të kontribuojë në përmirësimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe gjetjes së formave të ndryshme të partneritetit midis dy sektorëve për të ardhmen.
Nga ana tjetër, përfaqësues të OJF-ve të pranishme në këtë takim pohuan se hasin shumë vështirësi në vendosjen e një komunikimi, aq më pak bashkëpunimi me bizneset shqiptare. Ata tregojnë për Monitor se bizneset shqiptare vendosin barriera në komunikim, nuk pranojnë lehtë që të takohen apo burokracitë në vendosjen e një bashkëpunimi janë të dukshme.
Drejtuese e një OJF në vendin tonë, Elma Tërshana, nga “Observatori i të drejtave të fëmijëve”, pohon se ka mangësi në komunikim dhe sjellje mes biznesit dhe organizatave të ndryshme jofitimprurëse.
“Ndaj një takim të tillë, e shoh si një moment komunikimi, për të plotësuar këtë handikap dhe për të ngjizur një marrëdhënie komunikuese, bashkëpunuese, mbase për t’i dhënë jetë disa ideve”, -thotë znj. Tërshana.
Sipas saj, ideja kryesore ka qenë ngritja e urave të komunikimit me biznesin, në një lloj formati të tillë të organizuar në mënyrë të këndshme. Në Shqipëri, komunikimi i elitës filantropike që një biznes mund të realizojë për shoqërinë, në forma dhe kontribute të ndryshme, qoftë edhe duke bashkëpunuar me një organizatë, është i mangët. Ka mangësi si kulturë, si sjellje, si njohuri dhe duke qenë e tillë, nuk plotësohet komunikimi, nuk krijohet shkëmbimi, nuk zhvillohen potenciale të mundshme që këto dy marrëdhënie të mund të avancojnë më tej. Ndaj një takim të tillë, unë e shoh si një moment komunikimi, për të plotësuar këtë handikap dhe për të ngjizur një marrëdhënie komunikuese, bashkëpunuese, mbase për t’i dhënë jetë disa ideve.
Flet Erila Haska, Partnerët Shqipëri
“Gjetja e interesave të përbashkëta për financim ose shitje përmes speed-date”
Çfarë mendoni se do të sjellë kjo metodë në funksion të të bërit biznes në Shqipëri?
Ky është një event, i pari i këtij lloji midis biznesit dhe OJFsë në Shqipëri. Rëndësia më e madhe në këtë projekt është nxitja e bashkëpunimit të sektorit fitimprurës me atë jofitimprurës dhe gjetja e interesave të përbashkët. Ne kemi bërë disa kombinime të paracaktuara, në bazë të fushës së interesit që kanë pasur OJF-të, në shërbimet që ato duan të shesin apo promovojnë. Sigurisht ka shumëçka mund të bëhet me bashkëpunimin mes tyre, ky është eventi i parë dhe në njëfarë mënyre është një lloj testimi për të gjithë ne.
Çfarë eventesh të tjera priten që të realizohen vitin e ardhshëm?
Ne do të realizojmë edhe “speed-date” të tjera në muajt në vazhdim, ku do të marrin pjesë më shumë biznese, për t’i dhënë mundësi edhe organizatave të tjera të shoqërisë civile, për të krijuar kontakte midis tyre. E rëndësishme do të ishte gjetja e interesave të përbashkëta për financime, apo edhe shitja e produkteve dhe shërbimeve.
Sa mendoni se do të ofrojë bashkëpunim ky format?
Qëllimi kryesor është eksplorimi mbi ngritjen e urave të bashkëpunimit, por edhe drejt orientimit të politikave të Përgjegjësisë Sociale të Biznesit, për të adresuar nevojat e komuniteteve në fokus të sektorit jofitimprurës. Momentalisht, ky që po organizohet do të mund të përmbushë qëllimin e tij edhe sikur të ketë vetëm shkëmbime kontaktesh mes tyre, dhe njohje të punës së gjithësecilit, duke qenë se po e konsiderojmë si fazë e parë.
Si është realizuar përzgjedhja e bizneseve të pranishme?
Ne patëm një formular aplikimi, për organizatat e jofitimprurëse, në të cilin ishte theksuar fusha e operimit të tyre dhe produktet apo shërbimet që ofrojnë. Bazuar në këtë, ne përzgjodhëm edhe sektorët e bizneseve. Ata të cilët patën mundësinë dhe interesin për të qenë pjesë e këtij formati, janë sot të pranishëm
Nga Deada Hyka
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.