Kanë kaluar më shumë se 17 shekuj që kur perandori romak Diokleciani ndërtoi një pallat për të kaluar ditët e tij të fundit pranë qytetit të madh antik të Salonës në Kroacinë e sotme.
Qyteti i Splitit lindi brenda këtij pallati të vjetër perandorak, përpara se të zgjerohej përtej mureve të tij, teksa pasurohej nëpërmjet tregtisë falë vendndodhjes së lakmueshme në brigjet plot diell të Adriatikut.
Sot, ky qytet emocionon vizitorët nga e gjithë bota me kombinimin magjik të historisë madhështore, të traditës së pasur dhe të bukurive natyrore të jashtëzakonshme.
Më poshtë do të gjeni vetëm disa nga eksperiencat që mund të përjetoni në këtë qytet ndryshe nga të tjerët.
Historia dallohet kudo
Pallati i Dioklecianit dhe qendra historike e Splitit janë pjesë e listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga viti 1979.
Kompleksi i jashtëzakonshëm është një nga strukturat më imponuese të periudhës romake që vazhdon të ekzistojë edhe sot e kësaj dite, por ajo që e bën atë vërtet unik është statusi i tij si një ndërtesë e banueshme. Sot, pallati përbën rreth gjysmën e qytetit të vjetër të Splitit dhe mijëra njerëz vazhdojnë të jetojnë dhe të punojnë brenda mureve të tij.
Një shëtitje nëpër rrugët si labirint të qytetit antik është si të udhëtosh nëpër kohë, me një përzierje eklektike të mrekullive arkitekturore nga çdo epokë e historisë së tij të gjatë, duke filluar nga romakët, bizantinët, e deri te administratat veneciane, franceze dhe austriake.
Në sheshin kryesor, nuk është e vështirë të imagjinohet lëvizja e togave mes kolonave të lashta të mermerit. Duke ecur për vetëm disa minuta mund të shihni gjithçka, që nga një kishë romake dhe një pallat gotik, e deri te fasadat baroke të shtëpive të tregtarëve të pasur.
Mënyra më e mirë për të përjetuar eksperiencën që të ofron ky qytet është duke parë fillimisht jetën lokale, me një vizitë në tregun e peshkut dhe në tregun e gjelbër, ku tregtohen fruta dhe perime të freskëta, të prodhuara lokalisht, ose thjesht duke shijuar diellin duke pirë një kafe dhe duke provuar kuzhinën e mrekullueshme vendase.
Plazhe të bukura, parqe dhe ngjitje në shkëmbinj
Përveç trashëgimisë kulturore mbresëlënëse, Spliti ka gjithashtu shumë hapësira të bukura në natyrë, të cilat bëhen edhe më tërheqëse nga klima e mrekullueshme e qytetit dhe nga diversiteti natyror.
Vija bregdetare e qytetit që ndodhet në brigjet e Adriatikut është një nga më të gjatat në Kroaci, me shumë kilometra plot me plazhe mahnitëse që variojnë nga zonat ranore e deri te brigjet shkëmbore të mbuluara me kodra dhe me pisha.
Nuk është nevoja të udhëtoni shumë larg për të gjetur vendin e përshtatshëm në bregdet: në këto plazhe mund të shkohet lehtësisht nga qendra e qytetit, ndërsa personat që pëlqejnë notin mund të shijojnë ujin e ngrohtë të detit nga fillimi i majit deri në fund të tetorit.
Disa nga plazhet më të virgjëra janë pjesë e Parkut Pyjor Marjan, një oaz i gjelbër ku mund të pushoni në natyrë, vetëm pak minuta larg nga qyteti i vjetër plot gjallëri.
Aty do të gjeni shtigje të pafundme për vrap, shëtitje, ecje ose çiklizëm, shkëmbinj gëlqerorë të lartë për ngjitje në shkëmb, palestra në ajër të hapur dhe vende pikniku, ndërsa pamjet panoramike të qytetit nga maja e kodrës së Marjanit janë thjesht të paharrueshme.
Dhe, si kudo në Split, zonat historike nuk janë kurrë shumë larg, me kishat mesjetare që ndodhen në faqet e kodrave dhe shpellat e gërmuara nga të çarat e shkëmbinjve që dikur ishin të banuara nga të krishterët në mesjetë që jetonin të veçuar nga pjesa tjetër e popullsisë.
Udhëtimet ditore në dhjetë vende të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s
Teksa do të mahniteni nga shumëllojshmëria e eksperiencave që mund të përjetoni në Split, ky qytet është gjithashtu një bazë e shkëlqyer për ekskursione në Ishujt Dalmatë – të cilët ndodhen pak larg bregut – si dhe në zonat e brendshme rurale të qytetit.
Të dyja këto destinacione janë plot me thesare natyrore dhe kulturore. Në fund të fundit, nuk ka shumë vende në botë ku mund të bëni një udhëtim ditor në jo më pak se dhjetë vende të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe në dy parqe kombëtare!
Spliti është gjithashtu shumë i njohur për kroçerat përgjatë bregdetit Adriatik të Kroacisë. Aty do të gjeni më shumë se 1,000 ishuj në ujërat e pastër kristal, si dhe shumë qytete bregdetare, secili me karakterin e vet unik.
Dashamirësit e natyrës do të gjejnë shumë atraksione emocionuese në rajonin e Dalmacisë: një peizazh mahnitës i larmishëm me male, kodra dhe fusha të ndërthurura me lumenjtë me rrjedhje të shpejtë, me ujëvara të shumta dhe me liqene blu. / Daily Mail