Tregu europian i sponsorizimeve është rritur me 4.3% në vitin 2022, duke arritur 29 miliardë euro, ku sporti përfaqëson 20.69 miliardë euro të totalit, sipas një studimi të European Sponsorship Association dhe Nielsen Sports.
Shifra e vitit 2022 në lidhje me sponsorizimet sportive shënoi një rekord të ri për sektorin sportiv – 20.69 miliardë euro krahasuar me 19.80 miliardë euro në vitin 2021 dhe 20.26 miliardë euro në vitin 2019.
Ndërkohë që sporti thyente rekordet e të ardhurave nga sponsorizimet, sponsorizimi në total në Europë ishte ende 1 miliard euro më pak se nivelet e 2018 dhe 2019, me një rekord të lartë prej 30.69 miliardë euro në 2019.
Rritja e sponsorizimeve në sport lidhet me heqjen e kufizimeve të Covid në të gjithë kontinentin, rikthimin e tifozëve në stadiume dhe ngjarje të mëdha si Euro 2022 për femra që elektrizojnë tregun, si dhe me Kupën e Botës Katar 2022.
Samantha Lamberti, Managing Director International në Nielsen Sports, e cila publikon raportin çdo vit, që prej 2008-s, deklaroi: “Një vështrim te të dhënat konfirmon tendencën e vitit 2021, tregu i sponsorizimeve në Europë është në rritje për të dytin vit me radhë.
Heqja e kufizimeve dhe përshtatja në rritje e teknologjive Web 3.0 shërbyen si nxitës të rritjes”. Raporti thekson se rritja e shpejtë e sponsorizimeve të kriptovalutave ka pasur ndikim pozitiv dhe negativ “duke sjellë një injeksion parash së bashku me paqartësi, për shkak të paqëndrueshmërisë së sektorit”. Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka pasur gjithashtu ndikim negativ.
Raporti mat edhe 10 tregjet kryesore në Europë, duke theksuar se Spanja (14%) dhe Mbretëria e Bashkuar (10%) janë tregjet me rritjen më të shpejtë këtë vit.
Është interesante të shohësh se Spanja ka përfituar nga stabilizimi i tregut pas ndalimit të sponsorizimit të kompanive të basteve në 2021, me rritjen e përtërirë tregtare të udhëhequr nga Barcelona dhe Atletico Madrid.
Premier League është motori i rritjes së sponsorizimeve në Mbretërinë e Bashkuar.
Andy Westlake, president i ESA, deklaroi: “Aftësia e rimëkëmbjes së sponsorizimeve pas pasojave shkatërruese të pandemisë është e jashtëzakonshme. Të gjithë ne iu gëzuam rifillimit të ngjarjeve sportive dhe kulturore, të cilat kanë ndikuar në rritjen sërish të sektorit në vitin 2022.
Të shohësh vëllimin e sektorit 2022 që u afrohet niveleve të para pandemisë thekson rëndësinë e sponsorizimeve për kompanitë në të gjithë Europën, të cilat kanë nevojë të krijojnë një marrëdhënie konkrete me klientët. Vitin e kaluar, sponsorizimet sportive arritën nivele rekord dhe jam i bindur se viti 2023 do të shohë një rritje të vazhdueshme në sponsorizimet josportive”.
/ Inside World Football