Vijon të rritet numri i futbollistëve të prekur nga Covid-19. Në anën tjetër, bota e sportit ka ndalur gjithë aktivitetet…
UEFA vendosi që të shtyjë ndeshjet e kompeticioneve europiane të parashikuara javën tjetër. “Për shkak të përhapjes së Covid-19 në Europë dhe vendimeve në lidhje me këtë situatë nga qeveri të ndryshme, të gjitha ndeshjet e kompeticioneve të UEFA për klube, të programuara javën tjetër, shtyhen” – lexohet në një njoftim për shtyp.
Edhe për kampionatet e futbollit në Europë, që kanë pezulluar zhvillimin e ndeshjeve, dëmet do të jenë miliarda euro. Të ardhurat e klubeve të kampionateve më të mëdha europiane janë rritur në total 21 mld euro, edhe pse 75% përqendrohet në të ashtuquajturit ‘big five’. Pezullimi për shkak të koronavirusit dhe kohëzgjatja e nevojshme e karantinimit do të përcaktojnë në javët e ardhshme faturën që futbolli i Kontinentit të Vjetër duhet të paguajë.
Ndërkohë të ardhurat nga Champions dhe Europa League arrijnë në rreth 3,2 mld euro në vit. Më 17 mars, UEFA do të vendosë për zhvillimin ose jo të EURO 2020. Fitimet që vijnë nga të drejtat televizive dhe sponsorët në Kampionatin Europian kapërcyen shifrën 2 mld euro, duke thyer edhe rekordin e Euro 2016, kur të ardhurat e Federatës Europiane të Futbollin arritën në 1,9 mld euro.
Pak orë më parë, u njoftua se edhe ndeshjet e tenisit do të ndalen për gjashtë javë. Association of Tennis Professionals bëri të ditur pezullimin e turneve deri më datë 26 prill, për shkak të frikës për përhapjen e pandemisë.
Nga Golfi te çiklizmi, nga rugby te basketbolli, e tani së fundi edhe Formula 1 etj., të gjitha sportet kanë pezulluar kompeticionet e tyre.
“Për shkak të konfirmimit që një anëtar i McLaren Racing Team rezultoi pozitiv me Covid-19 dhe vetë vendimit të skuderisë për t’u tërhequr nga Çmimi i Madh i Australisë, Formula 1 dhe FIA, me mbështetjen e plotë të Australian Grand Prix Corporation (AGPC), vendosën anulimin e gjithë aktiviteteve të F1 për Çmimin e Madh të Australisë në Melburn”. Po ashtu janë shtyrë edhe garat në Bahrejn dhe në Vietnam, siç shkruhet në një njoftim zyrtar.
OBSH e shpall pandemi
Ndërkohë që rritej numri i të infektuarve nëpër botë nga koronavirus, dhe OBSH nuk pati më dyshime dhe njoftoi shpalljen pandemi të kësaj situate, edhe sportet më popullore dhe të njohura në planet u detyruan të ndalen me pasoja ekonomike që kapin miliarda.
Pas pezullimit të ndeshjeve në kampionate të ndryshme në Europë, edhe NBA vendosi që të ndërpresë çdo aktivitet. Turneu i basketbollit amerikan u ndal pak minuta pas fillimit të disa ndeshjeve. Drejtuesit e NBA vendosën menjëherë pezullimin e çdo aktiviteti. Megjithatë prej disa ditësh po merrej në konsideratë se si të menaxhohej emergjenca e koronavirusit që po përhapet me shpejtësi edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fillim u mor në konsideratë mundësia për të reduktuar numrin e tifozëve, dhe më pas që ndeshjet të luheshin me dyer të mbyllura. Tashmë edhe NBA ka vendosur ndërprerjen e çdo aktiviteti.
Pasojat ekonomike janë të mëdha. Vetëm nga shitja e biletave, ekipi i Golden State Warriors fiton 3,4 mln dollarë për çdo ndeshje të luajtur në shtëpi, ndërsa New York Knicks fitojnë në pallatin e sportit Madison Square Garden 2,9 mln dollarë. Në përgjithësi, NBA që ishte thuajse në mbyllje të fazës së ‘regular season’ pati një qarkullim total prej 8 mld dollarë në sezon, mesatarisht 250 mln dollarë për 30 skuadrat.
Burimi: Il Sole 24 Ore