Numri i abonentëve premium (me pagesë) të Spotify u rrit në 205 milionë më 31 dhjetor, njoftoi kompania në deklaratën e sotme të fitimeve, me rritje 14% krahasuar me një vit më parë.
Kjo solli rritje të përdoruesve aktivë mujorë në 489 milionë, me rritje 20%. Bëhet fjalë për një rezultat më të mirë se sa parashikimet e tremujorit të kaluar, kur kompania pati deklaruar se priste që numri i abonentëve premium të arrinte në 202 milionë, kurse përdoruesit aktivë mujorë, në 479 milionë.
Deklarata mbi fitimet vjen një javë pasi Spotify njoftoi pushimet nga puna që prekën 6% të kompanisë, ose rreth 600 punonjës.
Megjithatë, ashtu si kompani të tjera teknologjike që po përballen me të njëjtën krizë ekonomike, njoftimi i fundit mbi fitimet e Spotify të bën të mendosh se situata financiare nuk është përkeqësuar ndjeshëm në muajt e fundit.
Në tremujorin e marrë në analizë, Spotify regjistroi humbje operative 231 milionë euro (rreth 250 milionë dollarë). Shifra është më e ulët krahasuar me humbjen 300 milionë euro (rreth 325 milionë dollarë) për këtë tremujor.
E ardhura mesatare për abonent premium është tani 4,55 euro (rreth 4,93 dollarë), me rritje 3% krahasuar me një vit më parë, por në rënie të lehtë krahasuar me 4,63 euro (rreth 5,01 dollarë) tremujorin e kaluar.
Deklarata e sotme mbi fitimet nuk pati lajme të reja për Spotify HiFi, një lloj i ri abonimi që premton streaming audio në cilësi CD pa humbje, i njoftuar nga Spotify thuajse dy vite më parë.
Në këtë pikë dyshohet se Spotify e ka rimenduar këtë funksion, duke qenë se konkurrentët Apple Music dhe Amazon Music e ofrojnë streaming lossless pa kosto shtesë për abonentët.
Spotify konsiderohet shërbimi më i madh i streaming muzikor në botë, edhe pse shifrat e abonentëve të kompanive konkurrente Apple Music dhe Amazon Music nuk janë lehtësisht të disponueshme.
Të dhënat e fundit të përpiluara nga Music Ally tregonin se Apple Music kishte rreth 60 milionë abonentë me pagesë në vitin 2019, ndërsa Amazon Music, 55 milionë në vitin 2020.
/ The Verge