Kompania e transmetimit të muzikës Spotify, më në fund dhe zyrtarisht, po teston një listë muzikore, që shkarkon automatikisht disa nga këngët e preferuara.
Në një postim në Twitter, CEO i kompanisë, Daniel Ek, tha se Spotify ka testuar “Your offline mix”. Por, nuk janë dhënë detaje të tjera. Nuk dihet se kur kompania planifikon të fillojë përdorimin e funksionit.
Listat e këngëve mund të ruajnë muzikë me shumë orë kohë dëgjimi. Kjo mund të jetë e dobishme kur jeni në fluturim, por keni harruar të shkarkoni muzikë. Si kujtesë, Spotify tashmë lejon të shkarkoni këto lista për t’i dëgjuar offline.
Disa përdorues thonë se e kanë parë këtë veçori të shfaqet në aplikacionet e tyre. Por, është e paqartë se në cilat vende Spotify po fillon përdorimin e këtij opsioni.
Për më tepër, nuk dihet nëse dëgjimi i këngëve offline do të jetë i mundur për përdoruesit falas.
Në vitin 2020, inxhinierja Jane Manchun Wong, zbuloi se Spotify po punonte në një veçori dëgjimi offline. Por, ajo nuk u prezantua kurrë.
Sidoqoftë, me konfirmimin zyrtar të Ek, funksioni duhet të jetë në rrugën e duhur për t’u përdorur në të ardhmen.
Shërbimi rival i Spotify, YouTube Music tashmë ka një veçori “Offline mixtape”.
Për më tepër, shërbimi në pronësi të Google, mund të shkarkojë automatikisht deri në 500 këngë në lista të ndryshme muzikore nëse përdoruesit aktivizojnë funksionin “Smart download”.
Sipas shifrave të fundit të fitimeve, Spotify tani ka një bazë përdoruesish që arrin në 500 milionë. / TechCrunch+