Nuk ka pasur kurrë një përpjekje kolektive njerëzore më ambicioze se stabilizimi i klimës. Në këtë reportazh të posaçëm, gazetarët e The Economist vlerësojnë se çfarë do të jetë e nevojshme për të përmbushur objektivat historike të rëna dakord në Paris, gjashtë vite më parë.
Rreth 1500 vite para lindjes së Krishtit, në kohën e Ahmose I, faraonit të parë të dinastisë së 18, kur i gjithë Egjipti kishte rënë nën sundimin e Tebës, niveli i dioksidit të karbonit në atmosferën e Tokës ishte rreth 277 pjesë për milion (ppm). Kur Gautama Buda arriti ndriçimin e mendjes nën Pemën Bodhi një mijëvjeçar më vonë, dhe kur Sokrati piu me fund kupën me kukutë një shekull më vonë, niveli i CO2 pothuajse nuk kishte ndryshuar fare.
Niveli pothuajse nuk ndryshoi edhe kur u ngritën dinastia Tang në Kinë dhe Kalifati i parë mysliman në shekullin VII pas Krishtit, ose kur Perandoria Aztec ra në duart e pushtuesve, nëntë shekuj më vonë në anën tjetër të botës. Për pjesën më të madhe të historisë, përbërja e atmosferës së Tokës ka qenë e pandryshueshme, njëlloj si sipërfaqja e kontinenteve apo faqja e Hënës.
Në mesin e shekullit XIX, kjo ndryshoi. Shumë shpejt, niveli i CO2 filloi të rritet. Duke qëndruar midis 275ppm dhe 285ppm për mijëvjeçarë, në vitet 1910, ai kishte arritur në 300ppm. Deri në vitin 2020, niveli ishte 412 ppm (shih grafikun). Në një shekull apo më shumë, një aspekt vendimtar i funksionimit të Tokës kishte pësuar një ndryshim 100 herë më të madh se sa ishte vënë re më parë në një mijëvjeçar.
Ndryshimet
Një ndryshim kaq i papritur në sipërfaqen e kontinenteve do të kishte qenë shumë më i dukshëm. Por mund të mos kishte qenë kaq i rëndësishëm. Edhe pse mënyra si niveli i dioksidit të karbonit në atmosferës ndikon në biologjinë, kiminë dhe fizikën e planetit nuk ka efekt mbi pllakat tektonike, ajo ndryshon botën në të cilën ato qëndrojnë.
Më shumë dioksid karboni nënkupton më shumë rritje të bimëve. Në 30 vitet nga periudha 1980 deri në 2009, vëzhgimet satelitore zbuluan se një e katërta e gjysmës së sipërfaqes së Tokës të mbuluar me bimë – zona midis Afrikës, Azisë dhe Europës – u bë dukshëm më e gjelbër. Bimët po lulëzonin në ajrin e pasuruar me CO2, duke shtuar dhjetëra miliarda ton në biomasën e planetit. Oqeanet, nga ana tjetër, janë bërë më acidë pasi kanë thithur disa nga tepricat e CO2 në atmosferë. Duket sikur dhjetë lumenj me acid të pastër sa madhësia e lumit Tamiz, janë zbrazur nëpër dete.
Është edhe ndikimi në aspektin fizik. Dioksidi i karbonit thith rrezatimin infra të kuq. Duke çliruar rrezatim infra të kuq, sipërfaqja e Tokës ftohet vetë. Më shumë CO2 në atmosferë e bën këtë proces më të vështirë, kështu që kjo nënkupton një Tokë më të ngrohtë. Rritja e nivelit të CO2 që nga mesi i shekullit XIX, së bashku me prodhimin industrial dhe bujqësor dhe lëshimin e gazrave të tjera serë, si metani, oksidi i azotit dhe gazet industriale CFCS dhe HCFCS, kanë rritur temperaturën mesatare të sipërfaqes së planetit me rreth 1.1° C dhe 1.2°C.
Kjo tashmë ka pasur efekt negativ në rendimentet e të korrave që tejkalojnë çdo efekt pozitiv nga një nivel më i lartë CO2. Ndikimi po rrit shpeshtësinë, intensitetin dhe kohëzgjatjen e thatësirave dhe valëve të të nxehtit. Ai ka bërë të paqëndrueshme ngricat e përhershme, ka shkrirë akullnajat malore dhe ka zvogëluar sipërfaqen e akullit në Oqeanin Arktik.
Ndikimi gjithashtu po destabilizon shtresat e mëdha të akullit në Groenlandë dhe Antarktidën Perëndimore dhe ka çuar në intensifikimin e uraganeve dhe stuhive. Po ashtu e ka bërë më të vështirë që lëndët ushqyese në thellësi të arrijnë tek gjallesat që varen prej tyre afër sipërfaqes, duke reduktuar nivelet e oksigjenit. Niveli i detit po rritet me një centimetër çdo tre vjet ose më shumë.
Nëse ky efekt do të përkthehej në çrregullimin e sipërfaqes kontinentale, ai do të nënkuptonte një spazmë tektonike globale që do të zhvendoste të gjitha kontinentet dhe banorët e tyre fatkeq, larg poleve dhe drejt Ekuatorit, dhe në të njëjtën kohë, do të ulte lartësitë malore dikur të ftohta, drejt fushave të mbytura dhe do të zhyste vijat bregdetare nën dallgë.
Nuk ka dyshim se ndryshimi në nivelin e CO2 është shkaktuar nga njerëzit — kryesisht nëpërmjet djegies së lëndëve fosile, por edhe nëpërmjet shndërrimit të pyjeve dhe ekosistemeve të tjera natyrore në tokë bujqësore. Për sa kohë që këto aktivitete do të vazhdojnë në formën e tyre aktuale, niveli i CO2 do të vazhdojë të rritet dhe bota do të drejtohet gjithnjë e më tepër drejt një gjendjeje të pariparueshme.
Përpjekjet globale
Në vitin 1992, kur niveli i CO2 kishte arritur në 356 ppm dhe provat e ngrohjes antropogjene ishin të dallueshme, udhëheqësit e botës ranë dakord që të bënin diçka për të ndryshuar drejtimin potencialisht katastrofik që kishin nisur padashur.
Në Konventën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC) të rënë dakord në një samit në Rio de Zhaneiro atë vit, udhëheqësit u angazhuan për “stabilizimin e përqendrimeve të gazit serë në atmosferë në një nivel që do të parandalonte ndërhyrjet e rrezikshme antropogjene në klimë”. Kjo do të bëhej në një “kornizë kohore të mjaftueshme për të lejuar që ekosistemet të përshtateshin natyrshëm me ndryshimet klimatike, për të siguruar që prodhimi i ushqimit të mos kërcënohej dhe për të mundësuar zhvillimin ekonomik në një mënyrë të qëndrueshme”.
Kjo atëherë ishte marrëveshja ndërkombëtare më ambicioze e të gjitha kohërave. Nuk ka asnjë mënyrë për të stabilizuar klimën pa ndalur rritjen e niveleve të gazrave serë në atmosferë. Edhe pse nuk e tha haptazi, sepse shumë vende mund të mos kishin rënë dakord, asokohe, UNFCCC, i kishte angazhuar nënshkruesit e marrëveshjes për t’i dhënë fund epokës së karburanteve fosile.
Një epokë e re
Lëndët djegëse fosile kanë qenë vendimtare në zhvillimin e ekonomisë për dy shekuj. Ato kanë luajtur një rol thelbësor në transformimin e gjendjes njerëzore, që nga zhvillimi i bujqësisë, një transformim që u shoqërua me një rritje të madhe të popullsisë së botës, ashtu edhe të pasurisë së njerëzve. Por përdorimi i tyre rriti edhe rolin e nivelit të gazit CO2, duke e vënë atë në qendër të vëmendjes. Ai duhej të vihej nën kontroll. Duhej të stabilizohej.
Në vitin 2015, i njëjti grup vendesh u angazhua sërish në Paris, duke zbuluar kështu seriozitetin e problemit. “Parandalimi i ndryshimeve të rrezikshme antropogjene”, thotë Marrëveshja e Parisit, që në praktikë nënkupton “mbajtjen e rritjes së temperaturës mesatare globale nën 2°C mbi nivelet para-industriale dhe forcimin e përpjekjeve për të kufizuar rritjen e temperaturës në 1.5°C mbi nivelin para industrial”. Për sa i përket kornizës kohore, reduktimi i gazrave serë duhet të arrihet “sa më shpejt të jetë e mundur”.
Ndërsa palët në UNFCCC takohen tashmë në Glasgow për Samitin COP 26, ky raport i posaçëm vëzhgon se çfarë nënkuptojnë këto angazhime. Ato nuk janë një udhëzues për politikat dhe teknologjitë e reduktimit të karbonit, as për mënyrat e veçanta për të arritur angazhimet kombëtare të bëra në Glasgow. Samiti është një studim i shkallës së veprimit të kërkuar dhe fushëbetejës në të cilën do të luftohet për të stabilizuar klimën.
Momenti kur niveli i CO2, i sheshtë për kaq shumë kohë, filloi të rritet papritur, shënoi fillimin e paqëllimshëm të një epoke të re ku u bashkuan ekonomia industriale dhe forcat e natyrës. Stabilizimi i klimës do të jetë rezultat i ndërhyrjeve të qëllimshme si në ekonomi ashtu edhe në natyrë, në shkallë globale. Dhe për ta ruajtur atë, kërkohen përpjekje konkrete, afatgjata dhe të qarta. /Përktheu: Lira Muça