Të gjithë në bord…
Një udhëtim tërheqës me tren është pothuajse në listën e dëshirave të çdo udhëtari. Dhe cilido qoftë destinacioni, në klasin e parë apo standard, çdo udhëtim me tren fillon dhe mbaron diku.
Nga kryeveprat klasike te mrekullitë moderne, ja se cilat janë disa nga stacionet më të bukura të trenave në të gjithë botën.
Chhatrapati Shivaji, Mumbai, India
I njohur dikur si Stacioni Viktoria, kjo kryevepër e Rilindjes Gotike Viktoriane është Trashëgimi Botërore e UNESCO-s dhe një nga ndërtesat më të famshme në Mumbai. E ndërtuar në 1878, ajo është një shembull i jashtëzakonshëm se si dy kultura – Britanike dhe Indiane – kanë ndikuar të njëra-tjetrën. Arkitektët britanikë punuan së bashku me mjeshtrit indianë për të përfshirë detaje specifike të traditës arkitekturore indiane, si kupola e shquar prej guri dhe harqet me majë tipike të pallateve indiane.
Grand Central, Nju Jork, ShBA
I hapur në 1913, Grand Central ka pasur gjithmonë për qëllim të mirëpriste vizitorët e qytetit në mënyrën më madhështore. Harqet e larta dhe fasada e mermerit fshehin modelin praktik dhe inxhinierinë inovative që ndërthurin elegancën me efikasitetin. Stacioni ringjalli Midtoën të Manhatanit dhe është parë si një monument mahnitës për kryeqytetin financiar, tregtar dhe kulturor të vendit. Sot është bërë një nga pikat më të famshme të Nju Jorkut.
Liëge-Guillemins, Liëge, Belgjikë
Një qendër e rëndësishme për trenat me shpejtësi të lartë që udhëtojnë midis Parisit, Frankfurtit dhe Dortmundit, stacioni befasues Liëge-Guillemins në Belgjikë është një kryevepër moderne e projektuar nga arkitekti spanjoll Santiago Calatrava. Përfunduar në 2009, ka një tendë të harkuar prej xhami, çeliku dhe betoni të bardhë që mbulon pesë platforma dhe shtrihet më shumë se145 metra.
Stacioni Dunedin, Dunedin, Zelandë e Re
Shpesh quhet Gingerbread House, guri gëlqeror i bardhë Oamaru i stacionit Dunedin mbi gurin vullkanik të zi i jep asaj pamjen e tij karakteristike. Megjithëse nuk është më një stacion funksional, ai mbetet një pikat më të rëndësishme të Dunedin dhe është i hapur për publikun për të admiruar zbukurimet e mjediseve të brendshme dhe të jashtme. Një restorant zë pjesën më të madhe të katit përdhes dhe çdo të shtunë, parkingu ngjitur shndërrohet në Tregun e Fermerëve Otago.
Stacioni Antwerpen, Antwerp, Belgjikë
Antwerpen-Centraal është një ndërtesë eklektike, e zbukuruar nga jashtë dhe një kryevepër inxhinierike nga brenda. Ndërtesa e mbuluar me një shtresë guri, e përfunduar në 1905, të bën përshtypje me kupolën e gjerë mbi sallën e pritjes dhe shinat moderne, të ndërtuara njëra mbi tjetrën në katër nivele. Konsideruar si një nga stacionet më të bukura në botë, është një shembull i shkëlqyeshëm sesi arkitektura historike dhe inxhinieria moderne mund të ndërthuren në harmoni të plotë me njëra-tjetrën.
Milano Centrale, Milano, Itali
Hapur më shumë se 80 vjet më parë, fasada imponuese e stacionit është vetëm një nga detajet e saj mbresëlënëse. Projektuar sipas Union Station në Uashington DC, Milano Centrale u hap në 1931. I zbukuruar me një seri skulpturash, është një ndërthurje e shumë stileve arkitektonike, veçanërisht Art Deco dhe Art Nouveau.
Stacioni Istanbul Sirkeci, Stamboll, Turqi
I vendosur në pjesën europiane të Stambollit, ai u ndërtua në 1890 nga Hekurudha Orientale si stacioni fundor i Orient Express. Sot stacioni ofron shërbime në Beograd, Bukuresht dhe Budapest dhe strehon një muze të vogël me objekte që lidhen me hekurudhat osmane dhe historinë e stacionit.
Caminhos de Ferro de Moçambique, Maputo, Mozambik
Është e lehtë të kuptohet pse ky stacion është renditur gjithmonë ndër më të bukurit në botë. Pjesa e jashtme me pastel të gjelbër e stilit Beaux-Arts, e kombinuar me shtylla mermeri dhe rrjetë hekuri të punuar kontribuon në pamjen e tij zbukuruese. Përveç stacionit të trenit, ndërtesa gjithashtu ka një muze dhe ku organizohen shfaqje muzikore.
Madrid Atocha, Madrid, Spanjë
Jo të gjithë stacionet krenohen që kanë një kopsht botanik tropikal. Në fakt, ekziston vetëm një – stacioni Atocha në Madrid. Ndërtesa origjinale daton që nga viti 1851 dhe kopshti zë atë që dikur ishte zona e vjetër e ndaljes së trenit para zgjerimit të stacionit. Ka më shumë se 7,000 bimë ndryshme që jetojnë nën dritën e dritares së harkuar. Ju gjithashtu do të gjeni një numër të madh dyqanesh, kafenesh dhe një klubi nate.
Helsingin päärautatieasema, Helsinki, Finlandë
Një shembull i shkëlqyer i ndërtesave të Art Nouveau të Helsinkit, stacioni u hap në 1919. Karakterizohet nga harku qendror imponues, kulla e orës dhe dy statuja që mbajnë llambat në të dy anët e hyrjes. Stacioni është ndërtesa më e vizituar e Finlandës për shkak numrit të lartë të turistëve dhe banorëve të periferive . Gjithashtu është vlerësuar se mbi 400,000 njerëz në ditë kontrollojnë kohën në kullën e orës ndërsa kalojnë në stacion.
Amsterdam Centraal, Amsterdam, Holandë
I projektuar nga Pierre Cuypers, arkitekt i Rijksmuseum në Amsterdam, stacioni është një ndërthurje e stilit gotik me atë të rilindjes. I projektuar për të nderuar dhe thurur lavde fuqisë ekonomike dhe koloniale të asaj kohe, ndërtesa u përurua në vitin 1889 dhe prej atëherë është një atraksion që nuk duhet humbur.
Estação Ferroviária de São Bento, Porto, Portugali
I përuruar në vitin 1916, bukuria e vërtetë e këtij stacioni gjendet brenda. Muret e sallës kryesore janë të mbuluara nga më shumë se 20 mijë pllaka bardheblu që përshkruajnë historinë e Portugalisë. Pllakat e qeramikës azulejo janë pikturuar nga artisti i famshëm Jorge Colaço të cilit iu deshën 11 vjet për ta përfunduar.
Gare de Lyon, Paris, Francë
Stacioni i tretë me më shumë trafik në Francë, Gare de Lyon në Paris u ndërtua me rastin e Paris Exposition, në vitin 1900 dhe është një shembull i përsosur i arkitekturës së asaj periudhe. Kulla e Orës së ndërtesës, e lartë 67 metra, ngrihet mbi Place Louis-Armand dhe të sjell ndër mend stilin e Elizabeth Tower, selia e Big Ben në Londër. Në stacion ndodhet edhe restoranti legjendar Le Train Bleu që u shërben ushqim dhe pije udhëtarëve që nga viti 1901.
Kanazawa Station, Kanazawa, Japoni
Stacioni i Kanazawa në Japoni është një ndërthurje e përsosur e arkitekturës moderne me atë tradicionale – simbolizmi dhe lidhjet me historinë e qytetit mund të shihen si në detajet e jashtme si në ato të brendshme. Pjesa që të befason është porta prej druri. Nga larg, ndërtesa ka formën e një përkrenare tradicionale samuraji. Kanazawa është një qytet me kulturë dhe pasuria artizanale në zdrukthëtari pasqyrohet në të gjithë stacionin. / MSN.com