Enti Rregullator i Energjisë ka shtyrë për një afat 45 ditor zbatimin standardeve të trajtimit të ankesave të klientëve të energjisë elektrike dhe gazit natyror nga të licencuarit në aktivitetin e furnizimit por specifikisht vetëm për Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes. Sipas ERE në vendimin e miratuar pak javë më parë operatorëve të tregut të energjisë dhe gazit u lind detyrimi që të trajtojnë ankesat e konsumatorëve sipas disa praktikave të miratuara në një dokument duke garantuar kështu një standard të unifikuar. Shtyja specifike për OSSSH vjen pas kërkesës së këtij të fundit për të bërë disa komente në lidhje me nene të veçanta që lidhen me detyrimet e operatorëve dhe që mund të prekin edhe këtë të fundit.
“Bordi i ERE-s vendosi pranimin e kërkesës për rivendosjen në afat të shoqërisë OSSH sh.a., për përcjelljen e mendimeve apo objeksioneve në lidhje me Rregulloren e Standardeve të Trajtimit të Ankesave të Klientëve të Energjisë Elektrike dhe Gazit Natyror nga të Licencuarit në Aktivitetin e Furnizimit.
Pezullimin e zbatimit të afateve të parashikuara në vendimin e ERE nr. 60/2021, “Mbi miratimin e Standardeve të Trajtimit të Ankesave të Klientëve të Energjisë Elektrike dhe Gazit Natyror nga të Licencuarit në Aktivitetin e Furnizimit” për shoqërinë OSSH sh.a., për një periudhë 45 ditore, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
Shoqëria OSSH sh.a., të përcjellë në ERE qëndrimin apo propozimet e saj për ndryshime në Rregulloren e Standardeve të Trajtimit të Ankesave të Klientëve të Energjisë Elektrike dhe Gazit Natyror nga të Licencuarit në Aktivitetin e Furnizimit, brenda 30 ditëve nga marrja dijeni e këtij vendim” thuhet në dokumentin e ERE.
Kërkesa e OSSH erdhi në fakt pak kohë pas miratimit të dokumentit nga ana e Entit që më herët kishte pritur opinione nga palët e interesit si Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Furnizuesi i Shërbimit Universal, Shoqata Shqiptare e Furnizuesve të Energjisë Elektrike, Autoriteti i Konkurrencës, Ministria e Mirëqenies Sociale, Ministria për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Avokati i Popullit, Bashkimi i Prodhueseve Shqiptarë, Shoqata e Konsumatorit, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë.
OSSH nuk ka shprehur mendim në këtë fazë por duket se tashmë që dokumenti është miratuar ka argumentuar se ka nevojë për të rishikuar pjesën që i takon asaj dhe kjo praktikë rishikimi i njihet edhe me Kod çka ka bërë që Enti të japë aprovimin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.