Flet Albana Shkurta, administratore e “Lufthansa Industry Solutions sh.p.k”
Rritja e përdorimit të teknologjisë dhe dixhitalizimit në shumë sektorë të ekonomisë, që doli edhe më tepër në pah nga pandemia konsiderohen faktorët kryesorë për rritjen e kërkesës në punësimin e punonjësve IT, sipas administratores së kompanisë “Lufthansa Industry Solutions sh.p.k., znj. Albana Shkurta.
Përfaqësuesja e kompanisë “Lufthansa Industry Solutions” thotë se tendenca është rritur vitet e fundit në Shqipëri, duke shërbyer jo vetëm te rritja e konkurrencës së ndershme mes kompanive, por edhe për zhvillimin e tregut.
Si është kërkesa e sektorit të informatikës dhe teknologjisë për punonjës profesionistë të IT-së, pasi duket sikur mes kompanive ka nisur një “luftë” për rekrutimin e tyre?
Zhvillimi i vazhdueshëm i teknologjisë dhe prania e dixhitalizimit tashmë në çdo fushë të jetës, janë faktorët thelbësorë që kanë ndikuar drejtpërdrejt si në rritjen e kërkesës së të rinjve për të studiuar në degët e teknologjisë së informacionit dhe inxhinierisë kompjuterike, po ashtu edhe në kërkesën e tregut për profesionistë të kësaj fushe.
Në Shqipëri, kjo tendencë ka ardhur në rritje, veçanërisht gjatë pesë viteve të fundit, ku shumë kompani që operojnë në fushën e konsulencës në IT janë themeluar e numërojnë jo pak punonjës. Nuk do ta quaja luftë mes kompanive, përkundrazi. Kjo është një konkurrencë e shëndetshme, si në favor të profesionistëve të së ardhmes, ashtu edhe të vetë tregut, që kështu mund të zhvillohet edhe më tej.
A është rritur kërkesa e bizneseve për teknologji të re, e cila doli në pah nga pandemia? Cilat janë efektet e kësaj kërkese, apo ndikojnë te çmimet?
Në çdo rast, kur bota ndeshet me situata të tilla të pazakonta, lind në njëfarë mënyre një revolucion i ri. “Fituesit” e vetëm pas kësaj pandemie mund të thuhet me plot bindje se janë teknologjia dhe dixhitalizimi, sepse rëndësia dhe nevoja e këtyre dy të fundit u vu re së tepërmi. Bizneset u përballën me një nevojë të jashtëzakonshme për të pasur teknologji të zhvilluar për të mundësuar vazhdimësinë e ofrimit të shërbimeve e tyre edhe në kushtet e vështira të pandemisë.
Kompani në fushën e konsulencës IT, si “Lufthansa Industry Solutions”, e patën më të lehtë përshtatjen me këtë proces, duke qenë se kjo ishte pjesë integrale e punës edhe më herët. Disa nga shembujt konkretë që mund të përmendim janë krijimi dhe përdorimi i software-ve që lehtësojnë punën remote dhe ndërveprimin online mes kolegësh për të siguruar mbarëvajtjen e punës.
Gjithashtu, eventet dhe konferencat online apo streaming u bënë një formë e preferuar dhe në fakt, e vetmja zgjidhje gjatë pandemisë, për të mos hequr dorë nga eventet sociale. Një gjë është e sigurt, se edhe tashmë që situata e pandemisë është stabilizuar dhe disa prej eventeve kanë rinisur të zhvillohen si normalisht, eventet virtuale nuk do të ndërpriten, për vetë faktin, se kompanitë kanë investuar jo pak në infrastrukturën e nevojshme që ato të funksiononin si duhet.
Ka një rritje në kërkesën për migrim të thuajse të gjithë aplikacioneve dhe infrastrukturës së kompanive në cloud, gjë që ka shtuar ndjeshëm kërkesën për profile DevOps dhe zhvillues në cloud. Rritja e tregtisë online, stimulon format B2C të biznesit, gjë që për shumë nga klientët tanë, ka vënë në fokus integrimin e të dhënave dhe analizën e tyre në kohë reale. Kjo ka rritur kërkesën për Data Scientists, Data Engineers dhe Big Data Analytics.
Si është cilësia e profesionistëve të IT-së, a mos po mbivlerësohen me pagat e larta?
Është e vërtetë që profilet në fushën e IT-së tashmë bëjnë pjesë në grupin e profesioneve të paguara relativisht më mirë në krahasim me mesataren e tregut. Cilësia e shërbimit të ofruar prej tyre, duke u nisur nga përvoja që kemi në kompaninë tonë, është në përputhje me pritshmëritë që kanë projektet për të cilat ne punojmë, në varësi të formimit të përgjithshëm, si dhe viteve të përvojës s në punë. Për ne është e rëndësishme të kemi një model biznesi të qëndrueshëm dhe afatgjatë që për Grupin Lufthansa të ketë një kthim pozitiv të vlerës së investimit për të ngritur një biznes të tillë në Shqipëri.
Strategjia e kompanisë sonë është të mbështetemi në krijimin dhe trajnimin e burimeve dhe në dhënien e sa më shumë mundësive për punësim, për të gjithë ata që duan të hyjnë në këtë industri, duke mbështetur punonjësit më me përvojë të zhvillohen profesionalisht te ne. Besoj se do të ishte me risk për vazhdimësinë e një biznesi të këtij sektori rritja në mënyrë joorganike e nivelit të pagave. Kjo gjë do t’i bënte këto biznese më pak kompetitivë te klientët të cilëve u ofrojnë këto shërbime.
Disa kompani të reja kanë ngritur shkolla profesionale (akademi) për përgatitjen e profesionistëve të IT-së, si mendoni a e ndihmon kjo rritjen e cilësisë së punonjësve?
Duke qenë se sistemi dhe kurrikula mësimore e arsimit të lartë në fushën e inxhinierisë kompjuterike dhe teknologjisë së informacionit, jo domosdoshmërisht njësohet me kërkesat specifike të tregut në ritmin dhe në llojin e kërkuar, kompanitë që operojnë në këtë fushë kanë gjetur mënyra të ndryshme për të mbyllur këtë boshllëk.
Termi “akademi” më duket pak i ekzagjeruar, sepse në vështrimin tim, një institucion, për të merituar këtë emërtim, duhet të plotësojë disa kushte dhe standarde të caktuara të mësimdhënies. Në varësi të llojit të kërkesave për burime në teknologji të veçanta, për të cilat tregu ka mungesë, ne tashmë përdorim një kombinim të metodave për formimin e mëtejshëm; në disa raste është “training on the job”, në raste të tjera mund të jenë programe internship-i të organizuar nga vetë ne, dhe në raste të tjera, partneritet strategjik me institucione të posaçme të kësaj fushe, për programe intensive dhe të personalizuara zhvillimi.
A ndihet në sektorin tuaj tendenca e emigrimit të profesionistëve, siç po ndodh me mjekët apo inxhinierët?
Trendi i largimit të të rinjve jashtë vendit është i pashmangshëm, sidomos në një botë të lirë në të cilën jetojmë. Kushdo ka të drejtë të shkojë pas alternativës më të mirë për të ardhmen e tij. Sa i përket sektorit të inxhinierisë kompjuterike dhe teknologjisë së informacionit, situata është paksa më ndryshe, duke qenë se vetë natyra e punës nuk kërkon domosdoshmërisht prani fizike në një ambient të caktuar.
Ky fakt është bërë edhe më i dukshëm, sidomos pas pandemisë. Nga kjo pikëpamje, mund të them, se shumë të rinj profesionistë të këtij sektori, zgjedhin të qëndrojnë në vendin e tyre dhe të punojnë remote për kompani të ndryshme ndërkombëtare, pra tendenca e largimit jashtë është më pak e ndjeshme.
Megjithatë, largimi drejt Perëndimit mbetet një zgjedhje e dëshiruar e shumë të rinjve dhe mund të konsiderohet si një sfidë për biznese që operojnë në Shqipëri. Për këtë arsye, krijimi i kushteve dhe standardeve europiane të punës, pagave konkurruese dhe një atmosfere pozitive në tërësi në një kompani të caktuar, mund të kontribuojë pozitivisht që këta të rinj, të ndihen sikur po punojnë në një vend të Perëndimit, pa u larguar nga vendi i tyre.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.