Fushat me adoptim më të madh standardesh në vitin 2022 në Shqipëri ishin analizat e produkteve ushqimore dhe pas tyre Eurokodet strukturore.
Teksa për grupin e parë tendenca ka mbetur e njëjtë duket se në raport me vitin 2021 kur dominonin pajisjet mjekësorë nxitur edhe nga ethet e pandemisë së COVID-19 ndërtimi ka pasur shkallën më të lartë të interesit.
Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit në analizën vjetore të vitit të shkuar nënvizon se Komitetet Teknike me adoptime standardesh më të lartë janë të paktën 10.
Përveç produkteve ushqimore dhe eurokodeve në listë janë renditur edhe sportet e sheshe lojërash, cilësua e ujit, ajrit dhe tokës apo pajisje të mbrojtjes personale dhe pas tyre ato mjekësore. E fundit në listën e adoptimeve është ajo për materialet elektronike dhe elektrike.
DPS vlerëson se në vitin 2022 u adoptuan në total 1828 standarde dhe dokumente standardizimi si Standarde Shqiptare dhe Dokumente Standardizimi Shqiptare nga ku 1016 në fushën e elektronikës dhe telekomunikacionit si dhe 812 standarde në të gjitha fushat e ekonomisë.
Pjesa më e madhe janë standarde me origjinë europiane rreth 1337 ndërkohë që 491 janë ndërkombëtare si ISO apo IEC.
Raporti vërën se në vitin që lamë pas u shfuqizuan 233 standarde nga të cilat 169 me origjinë europiane dhe 64 me origjinë ndërkombëtare.
Nga ana tjetër janë adoptuar me procedurë të përshpejtuar 77 standarde sipas kërkesave të klientëve apo palëve të interesuara (biznese, institucione, laboratorë, persona fizikë) kryesisht në fusha të tilla si : cilësia e ajrit, ujit, tokës; fruta perime të freskëta; vajra dhe yndyra ushqimore, fara vajore, plastika, siguria teknike dhe mjedisi apo pajisje elektrike dhe elektronike.
Standardet janë dokumente teknike, vullnetare, të cilët: përmbajnë specifikime teknike për produkte apo shërbime të fushave të ndryshme.
Këto të fundit përgatiten me propozimin e palëve të interesuara, pjesëmarrës ose jo në Komitetet Teknike të DPS dhe bazohen në rezultatet e zhvillimit bashkëkohor të teknologjisë. miratohen me konsensus nga Komitetet Teknike të DPS dhe ratifikohen nga DPS duke iu vënë në dispozicion kujtdo.
Përmes standardeve bëhet e mundur që për konsumatorin të ofrohen produkte dhe shërbime me cilësi më të lartë kurse për biznesin është një garanci më e madhe për treg të sigurt si dhe rritje të eksporteve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.