Ofrimi i më shumë se 1200 shërbimeve publike online që përbën sipas qeverisë 95% të shërbimeve që marrin qytetarët nga insitucionet kërkon unifikim të standardit me të cilin ofrohen ato.
Kjo do të thotë që të gjithë insitucionet do të kenë matje të cilësisë me të cilin ofrojnë këtë shërbim përmes disa rregullave të paravendosura që do të zbatohen nga të gjithë dhe që në finale do të nxjerrin ata që kanë ecurinë më të mirë dhe më të dobët.
Një dokument i nxjerrë për konsultim publik nën emërtimin “Dokument politikash për standardet e shërbimeve në Shqipëri”. Në hyrje të tij nënvizohet se do të ketë përcaktim të disa treguesve që do të shërbejnë për matjen ndërkohë që do të përfshihet edhe një Barometër.
“Dokumenti i politikave synon të shërbejë si referencë për të gjitha institucionet dhe agjencitë që ofrojnë shërbime publike, pasi do të përcaktojë treguesit dhe nën-treguesit për matjen e cilësisë së ofrimit të shërbimeve publike, në përputhje me standardet evropiane.
Një mjet i veçantë vlerësimi do të jetë “Barometri i Cilësisë së Shërbimit Publik” (në tekstin e mëtejshëm “Barometri”) me qëllim monitorimin dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike. Mjeti synon të masë cilësinë efektive të shërbimeve, pra në kuptimin e tipologjisë mat cilësinë e ofruar. Në këtë mjet, veçoritë/vetitë e shërbimit që do të siguronin një shërbim cilësor, do të identifikohen si standardi minimal i shërbimit, kundrejt të cilit matet edhe cilësia” thuhet në dokument.
I njëjti saktëson se do të ketë monitorime periodike të ecurisë së standardizimit të shërbimeve publike duke mbledhur kështu të dhëna edhe mbi treguesit që janë më mirë apo më dobët dhe duke reflektuar më pas ndërhyrjet.
Dokumenti i nxjerrë për konsultim nënvizon se “duke qenë se ofrimi i shërbimeve të administratës publike varet fuqishëm nga proceset, pronësia e proceseve, optimizimi i rregullt dhe në disa raste, ridizenjimi i shërbimeve dhe produkteve përfundimtare, vendosja e mjeteve dhe sistemeve të menaxhimit të cilësisë mund të jetë e dobishme për palët e përgjithshme të interesit dhe qasjen me orientimin drejt klientit”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.