“Hendeku midis asaj që njëherë e një kohë imagjinohej dhe asaj që sot bëhet realitet po zvogëlohet” – ka thënë Josh Wolfe, bashkëthemelues dhe partner i Lux Capital.
Me fjalë të tjera, ndikimi i startup-eve teknologjike në botë është i destinuar të rritet dhe kjo konfirmohet nga harta e “game changer” për vitin 2019, e publikuar nga CB Insights që identifikoi kompanitë e reja inovative me potencialin për të transformuar për mirë ekonomitë në gjithë planetin.
Për të krijuar këtë hartë u analizuan dhjetëra kategori – nga informatika kuantike tek Inteligjenca Artificiale e aplikuar në mjekësi apo tek Interneti i Gjërave, makinat autonome apo ndërtesat inteligjente me impakt zero. Janë 36 startup që janë vlerësuar se mund të ndryshojnë botën. 28 prej tyre kanë lindur ose kanë zhvendosur selinë e tyre në SHBA; të tjerat ndodhen në Kanada (3), Izrael (2), Indi, Mbretëri e Bashkuar dhe Holandë.
Nga ana tjetër, janë 190 investitorët që kanë mbështetur gjatë 2018-s “game changer”; më aktivët janë Lux Capital dhe themeluesi i Microsoft, Bill Gates, ndërkohë që 14 subjekte kanë financuar më shumë se një startup. Mbledhja e kapitaleve në 12 muajt e fundit llogaritet rreth 500 mln dollarë (në rreth 30 marrëveshje), ndërsa nga viti 2014 e deri më sot, vlera arrin në rreth 1 miliard.
Ndër më interesantet është kompania kanadeze Xanadu që po zhvillon sisteme të llogaritjes fotonike (të bazuara te drita) për t’u aplikuar në fushën kimike, financiare dhe farmaceutike. Një tjetër kompani me seli në Ontario, Qindom, po aplikon quantum computing te algoritme dhe modele të Inteligjencës Artificiale që mund të përmirësojnë tendencat e tregut, menaxhimin e riskut, logjistikën etj.
Syntiant është një kompani kaliforniane që po punon në fushën e Inteligjencës Artificiale, e cila përdor gjysmëpërçuesit me fuqi të ulët për të zhvendosur procesin e mësimit të makinës nga cloud te pajisja periferike. Kneron është aktive në rrjetet nervore për të rritur performancën e llogaritjes me konsum të ulët energjetik për njohjen e emocioneve e sjelljes dhe mbikëqyrjes inteligjente.
Në fushën e sigurisë kibernetike spikasin kompania nga Teksasi New Knowledge dhe ajo izraelite AdVerif.ai. E para është e specializuar në mbrojtjen e fushatave të keqinvormimit të koordinuar; e dyta shfrytëzon aftësitë e Inteligjencës Artificiale për të verifikuar me saktësi përmbajtjen e reklamuesve, botuesve dhe rrjeteve reklamuese.
Burimi: Il Sole 24 Ore