Statistikat e bilancit të pagesave do të publikohen çdo muaj. Banka e Shqipërisë bën të ditur se brenda këtij viti do të bëjë të mundur hartimin, publikimin dhe raportimin e statistikave të bilancit të pagesave me periodicitet mujor.
Gjithashtu, banka qendrore bën të ditur se gjithmonë brenda vitit 2021 do të mundësojë raportimin e tregtisë ndërkombëtare në shërbime dhe statistikat e bilancit të pagesave sipas ndarjes gjeografike, që do të mundësojë zgjerimin e bazës së treguesve statistikorë, rritjen e nivelit të detajimit dhe të shkallës së mbulimit të treguesve.
Aktualisht, Banka e Shqipërisë i publikon statistikat e bilancit të pagesave me frekuencë tremujore. Statistikat mujore janë të kufizuara vetëm në publikimet e Instat për tregtinë e jashtme të mallrave. Bilanci i pagesave mundëson një informacion shumë më të plotë, duke përfshirë pozicionin e ekonomisë shqiptare edhe në tregtinë e shërbimeve, flukset hyrëse dhe dalëse nga puna, nga emigrantët dhe nga burime të tjera dytësore. Gjithashtu, bilanci i pagesave ofron të dhëna për lëvizjet në llogarinë kapitale dhe financiare të vendit, përfshi këtu ecurinë e investimeve të huaja direkte.
Publikimi me bazë mujore të të dhënave të bilancit të pagesave do të mundësojë një informacion më të përditësuar për pozicionin e jashtëm, që është një tregues i rëndësishëm i shëndetit ekonomik të vendit. Ecuria e flukseve të jashtme hyrëse dhe dalëse të parave në ekonomi është tregues i tërthortë për ecurinë e kërkesës agregate gjatë vitit. Ndryshimet në bilancin e pagesave gjithashtu janë faktori me ndikimin kryesor në ecurinë e kursit të këmbimit të Lekut kundrejt Euros, monedha kryesore me të cilën zhvillohen këmbimet tregtare të vendit. Për këto arsye, informacioni më i përditësuar dhe më i detajuar rreth bilancit të pagesave do të krijojë mundësi për analiza më të thelluara lidhur me zhvillimet në ekonomi dhe në tregjet financiare.
Një tjetër risi e rëndësishme në statistika do të jetë edhe hartimi, publikimi dhe raportimi i statistikave të kompanive me origjinë shqiptare jashtë vendit. Ky projekt do të zhvillohet në bashkëpunim me Instat, por ende nuk ka një afat kohor se kur do të nisë publikimi i të dhënave./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.