Marrjen e statusit të vendit kandidat edhe pse i kushtëzuar, na pëlqen ta shikojmë si gjysma e gotës plot. Kjo, për një arsye fare të thjeshtë, sepse për shumë e shumë vite kjo gotë ka qenë e zbrazur, por që tani mund të mbushet shumë shpejt plot. Madje, brenda dy muajve. Kaq është edhe afati që Bashkimi Europian (BE) i ka vendosur Shqipërisë për plotësimin e kritereve të mbetura, të cilat nëse realizohen e bëjnë aktiv këtë status, i cili do të thotë më tepër fokus i BE-së drejt Shqipërisë, më tepër mbikëqyrje e më shumë ndihmë financiare.
Ka vetëm një mënyrë për të humbur edhe për disa vite këtë mundësi: nëse politika e pamarrëvesh do të qëndrojë kokëfortë në pretendimet e saj boshe që mbushin vetëm agjendat e rëndomta të ditës, por jo agjendën e integrimit. Rruga drejt BE-së tashmë është e testuar për arritjen dhe shpejtësinë e rezultateve, nëse fokusohesh tek qëllimi. Anëtarësimi në NATO dhe liberalizimi i vizave ishin produkte konkrete, që demonstruan se çfarë mund të përfitojmë nga ajo anë, së cilës ne shqiptarët kërkojmë t’i përkasim. Nuk është më çështje përftimesh të ngushta monetare apo konjukturash politike momentale, por bëhet fjalë për përftime afatgjata, për vlera të shoqërisë dhe shtet të së drejtës, ku Perëndimi është modeli ynë më i mirë për të cilën kemi luftuar prej shekujsh. Statusi i vendit kandidat është dhurata më e mirë që shqiptarët e morën për 100 vjetorin e pavarësisë dhe detyra e politikës është vetëm t’ia dorëzojë solemnisht dhe ta përdorë atë me respektin e duhur. Çdo përpjekje tjetër për të përvetësuar procesin zhbën më shumë se dëshirë, ajo zhbën një përkatësi.
Dhënia e statusit përkon edhe me 100 vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar dhe ndoshta nga BE është menduar edhe si gjest zemërgjerësie apo dashamirësie. Mund të jetë edhe kështu. Por ashtu si gota gjysmë plot, këtë vendim në 100 vjetorin e shtetit shqiptar parapëlqejmë ta shohim si mirënjohje dhe vlerësim të qëndresës së shqiptarëve, edhe në periudhat e tyre më të errëta, për t’u rreshtuar pa mëdyshje drejt Perëndimit, që për shkak të historisë sonë është parë si ana e vlerave dhe e civilizimit kundrejt regresit, ana e shtetit kundrejt anarkisë, ana e lirisë kundrejt skllavërisë. Për fatin tonë të keq, apo për inat të vetes, gjatë gjithë këtij shekulli shtet formues, shqiptarët kanë marrë etiketime dashakeqe, por kurrë ne nuk e kemi venë në dyshim përkatësinë tone drejt civilizimit e prosperitetit. Tani është momenti, që këto vlera t’i institucionalizojmë në shtetin e së drejtës dhe lirisë. Statusi për ne është karrigia bosh në familjen evropiane, të cilës ne duhet t’i tregojmë se dimë si të ulemi, është rilindja jonë e dytë pas rizgjimit të viteve ‘90. Humbja nuk do të ishte vetëm gabimi ynë i pafalshëm, të cilën historia siç na ka treguar do të dojë kohë dhe mund ta rikuperojë, por tronditja më e madhe e themeleve të ekzistencës sonë si komb më vlera perëndimore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.