Stavileci: Ndërmarrjet publike, në gjendje të rëndë

16/02/2017 9:38 AM 0 komente

Ndërmarrjet publike në Kosovë ndodhen në pozita jo të favorshme, madje, disa prej tyre po ballafaqohen me probleme të ndryshme.
Kështu tha ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Blerand Stavileci, gjatë prezantimit të planeve që ka ministria e tij për këtë vit.

Sipas Stavilecit, për të përmirësuar mënyrën e menaxhimit dhe llogaridhënies së ndërmarrjeve publike, qeveria ka në plane të hartojë një ligj të veçantë për këto ndërmarrje. “Ndërmarrjet publike për vite me radhë po gjenden në një pozitë jo të favorshme. Pjesa më e madhe e tyre përballen me vështirësi nga më të ndryshmet. Ne jemi munduar që edhe në vitin e kaluar për një pjesë të madhe të ofrojmë shërbime, t’i përkrahim. Por, unë ndaj një koncept tjetër e që besoj që do të reflektohet edhe në ligjin e ri për ndërmarrjet publike”, tha Stavileci.

Projekti kryesor që do ta kemi në kuadër të axhendës për ndërmarrjet publike do të jetë një ligj i ri i cili do të reflektoj nevojat bashkëkohore që kanë ndërmarrjet publike në raport me shërbimet që ato i ofrojnë për qytetarët, por mbi bazën e një koncepti të mirëfilltë të qeverisjes së korporatave me parimet e fundit të qeverisjes kooperative. Do të ketë qasje krejt tjetër sa i përket raportit të llogaridhënies në mes aksionarit dhe drejtuesve të këtyre ndërmarrjeve publike”, tha Stavileci.

Sa i përket sektorit të energjisë, ministri i Zhvillimit Ekonomik ka treguar për hapat që do të bëjë Qeveria për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re. Blerand Stavileci ka treguar se është duke u punuar modeli se si do të veprohet me këtë projekt. Sipas tij, pritet që të ketë garë më të madhe të ndërtuesve, bilës, Stavileci thotë se ka interesim të madh edhe të ndërmarrjeve të mëdha ndërkombëtare të cilët do të jenë pjesë e kësaj gare. Ministri ka prezantuar edhe projektet për sektorin minerarë, ku në veçanti është ndalur tek ligji për Trepçën dhe ka shpalosur planet për këtë aset që Qeveria ka.

Sipas tij shumë shpejt do të bëhet inaugurimi i fabrikës së ujit në Shakabaj, i cili do t’u mundësojë ujë të pijshëm rreth 400 mijë qytetarëve të Prishtinës me rrethinë. Sipas ministrit të Zhvillimit Ekonomik në plan janë edhe projekte tjera të cilat do të vazhdojnë të përkrahen dhe finalizohen nga qeverisja e tyre, përfshirë projektin e hekurudhave, linjën 400 kilovatësh dhe projektet të tjera të teknologjisë informative. /KosovaPress/

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of