Arkitekti italian Stefano Boeri ka zbuluar planet për të krijuar një qytet të mbushur me pemë, në Kankun të Meksikës, që do të quhet Smart Forest City, i cili është projektuar për të qenë “pioner” i zhvillimeve sa më eko-efikase.
Smart Forest City Cancun ka për qëllim të ndërtohet në një hapësirë prej 557 hektarësh në Kankun. Sipas arkitektit ky qytet do të përmbajë 7.5 milionë bimë, përfshirë këtu lloje të ndryshme pemësh, bimësh, shkurresh, të cilat janë të gjitha të përzgjedhura nga botanistja Laura Gatti.
“Smart Forest City” në Kankun është një Kopësht Botanik, brenda një qyteti bashkëkohor, bazuar në trashëgiminë Mayan dhe në marrëdhëniet e tij me botën natyrore dhe të shenjtë”, u shpreh akriktekti Stefano Boeri. “Një ekosistem urban ku ndërthuren natyra dhe qyteti do të veprojë si një organizëm i vetëm”, vazhdoi ai më tej.
Edhe projektet e mëparshme të Boerit, po në këtë linjë, të cilat kanë për qëllim krijimin e çative të “gjelbra për qytetet”, duke mbuluar kështu çatitë e godinave me bimë të ndryshme, nga ato më të ulëtat e deri tek qiellgërvishtëset, synojnë pastrimin e ajrit, i cili po bëhet gjithnjë e më i ndotur.
Parashikohet që “The Smart Forest City”, do të absorbojë rreth 116, 000 tonë dioksid karboni.
Kjo firmë synon që ky projekt të shndërrohet në një “pioner” të zhvillimeve sa më eko-efikase, duke ulur ndjeshëm ndikimet negative në mjedis dhe mbi të gjitha duke krijuar një qytet nga dora e njeriut në mbrojtje të natyrës dhe biodiversitetit.
Për realizmin e këtij projekti, Boeri do të bashkëpunojë me kompaninë inxhinierike gjermane Transsolar, në mënyrë të tillë që Smart Forest City të jetë sa më efikas në prodhimin e energjisë. Ndër elementët e përfshirë për të promovuar ekonominë rrethore janë panelet diellore, ndërsa toka bujqësore do të ujitet nga një sistem ujor i inkorporuar.
Smart Forest City do t’u sigurojë vendbanim rreth 130,000 banorëve, të cilët do të bëhen “kopshtarë” të bimëve të ndryshme dhe që do të punojnë tokën bujqësore. Çmimet për strehim do të jenë mëse të përballueshme, edhe për katëgori të tilla si ajo e kopshtarëve, studentëve, studiuesve, etj.
Kompleksi është krijuar gjithashtu për t’u bërë në një të ardhme të afërt, një qendër për kërkime të avancuara.
“Ideja që qëndron pas këtij projekti është të krijojë një zonë të dedikuar kërkimit dhe inovacionit (fushat do të jenë biologjia molekulare, robotika, Teknologjia e Informacionit, etj), ku institucionet akademike dhe qendrat kërkimore do të takohen së bashku me korporatat e mëdha shumëkombëshe dhe gjeneratat e reja të studentëve dhe studiuesve, jo vetëm nga Meksika por nga e gjithë bota”, përfundoi fimra.