Shtëpia automobilistike Stellantis njoftoi një sipërmarrje të re të përbashkët (joint venture) me kompaninë e specializuar të riciklimit të metaleve Galloo, për të zhvilluar një ekonomi më qarkulluese dhe për t’u bërë më e gjelbër në aktivitetet e saj brenda vitit 2030.
Së bashku, Stellantis dhe Gallon synojnë të zbatojnë një shërbim riciklimi të makinave në fund të jetës (ELV) të vetë markës së pari dhe më tej, të shtëpive të tjera automobilistike.
Edhe pse u desh pak kohë, Stellantis më së fundi po i afrohet elektrifikimit dhe po përqafon strategji për të mbështetur një mënyrë më të pastër dhe efikase të prodhimit të automjeteve.
Përveç projekteve të shumta për prodhimin e baterive EV, Stellantis është përqendruar në tregun e makinave elektrike në Amerikën e Veriut, duke promovuar fuqishëm markat e saj elektrike, Ram dhe Jeep.
Kompania ka një plan biznesi, të quajtur “Dare Forward 2030”, në të cilin 50% e shitjeve të makinave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 100% të shitjeve në Europë duhet të jenë automjete BEV (makina me bateri elektrike) brenda fundit të dekadës.
Ndër të tjera, Stellantis synon të bëhet tërësisht neutrale nga pikëpamja e emetimeve të karbonit brenda vitit 2038.
Për të arritur këtë objektiv, Stellantis po përqendrohet te strategjitë e ekonomisë qarkulluese që përdorin këto ide – rimontimi, riparimi, ripërdorimi dhe riciklimi. Në këtë të fundit hyn në lojë Galloo, me përvojë 85-vjeçare.
Stellantis do të riciklojë makina në gjithë Europën
Sipas Stellantis, marrëveshja me Galloo nuk është mbyllur ende, por të dyja palët kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi që mundëson negociata ekskluzive për të krijuar sipërmarrjen e përbashkët, të fokusuar në riciklimin e automjeteve në fund të jetës (ELV).
Së bashku, Stellantis dhe Galloo synojnë të bashkëpunojnë me struktura të autorizuara të trajtimit për mbledhjen e makinave jashtë përdorimi nga pronari i tyre përfundimtar, që t’i marrin pjesë të cilat mund të ripërdoren, riparohen ose të riciklohen.
Alison Jones, zëvendëspresident i Stellantis për ekonominë qarkulluese globale, deklaroi:
“Lehtësimi i klientëve në riciklimin e automjeteve të tyre në fund të jetës është një element thelbësor për të reduktuar ndikimin mjedisor të automjeteve tona.
Kthimi i pjesëve dhe materialeve në zinxhirin e vlerës ruan burime të pakta dhe ndihmon në objektivin tonë për të arritur emetime zero karboni deri në vitin 2038. Presim me padurim zbatimin e programit këtë vit dhe zgjerimin e shpejtë”.
Sipërmarrja e përbashkët Stellantis-Galloo duhet të nisë shërbimet e riciklimit të automjeteve jashtë përdorimi brenda fundit të vitit, duke filluar në Francë, Belgjikë dhe Luksemburg e më pas do të zgjerohet në gjithë Europën.
CEO i Galloo, Rik Debaere, deklaroi:
“Jemi të lumtur të njoftojmë një hap të ri përpara në marrëdhënien tonë të gjatë fillimisht me Peugeot dhe Citroën, dhe tani me Stellantis, ndërsa vazhdojmë të udhëheqim rrugën në biznesin e qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm, duke e çuar riciklimin e makinave në fund të jetës në një nivel tjetër.
Së bashku me Stellantis po promovojmë inovacionin duke garantuar një të ardhme më të qëndrueshme për të gjithë”.
/ Electrek
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.