Koncesioni i sterilizimit është propozim i kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, i nënshkruar në vitin 2015 me shoqërinë koncesionare ‘Sani Service sh.p.k,” dhe ka si qëllim menaxhimin e qendrës së sterilizimit, ofrimin e instrumenteve kirurgjikale sterile sipas setit të personalizuar, veshjet në sallat kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve mjekësore me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale ku do të ofrohet ky shërbim.
Kostoja e këtij koncesioni është rritur ndjeshëm, për shkak të numrit të lartë të ndërhyrjeve kirurgjikale, në raport me parashikimet. Në projektbuxhetin e vitin 2020, në tabelën që sqaron financimet buxhetore për koncesionet, Ministria e Financave raportoi se vlera totale e kontratës për koncesionin e sterilizimit të mjeteve kirurgjikale në salla do të arrijë në 16.5 miliardë lekë, nga 10 miliardë lekë që ishte raportuar në buxhetin e vitit 2018. Vlera e financimit për koncesionin e sterilizimit është rritur me 65 % në harkun e dy viteve, ose rreth 6.5 miliardë lekë (53 milionë euro) më shumë.
Ministria e Financave, në një raport të fundit për zbatimin e kontratës koncesionare për sterilizimin ka pranuar se risku i financimit është marrë përsipër tërësisht nga buxheti dhe deri tani janë materializuar risku i kërkesës dhe risku i negocimit, çka ka bërë që buxheti të paguajë rreth 5 milionë euro më shumë vetëm për vitin 2018.
Sipas raportit të financave, pagesat për këtë kontratë realizohen sipas skemës (pay x use), prandaj tejkalimi në nivel vjetor i numrit të ndërhyrjeve të planifikuara sjell kosto shtesë për buxhetin e shtetit.
Por, të dhënat e paraqitura nga Ministria e Financave tregojnë se planifikimi ka qenë shumë i gabuar dhe situata ka dalë nga kontrolli në 2018-n. “Niveli i ndërhyrjeve i parashikuar në kontratë është 62 957 ndërhyrje, ndërkohë që vetëm për vitin 2018 janë realizuar 117 000 ndërhyrje”, thuhet në raport.
Si rrjedhojë, pagesat e detyrimeve për tejkalimin e numrit të ndërhyrjeve gjatë vitit 2018 ishin 610 milionë lekë, ose rreth 5 milionë euro më shumë, të cilat po paguhen edhe përgjatë 2019-s. “Pagesat për 9-mujorin e vitit 2019 janë rreth 1.64 miliardë lekë ose rreth 85.7 për qind e planit të rishikuar vjetor të pagesave të parashikuara për vitin 2019. Ky realizim i lartë lidhet me pagesat e detyrimeve për tejkalimin e numrit të ndërhyrjeve gjatë vitit 2018 (610 milionë lekë)”, thuhet në raport.
Urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë për kufizimin e operacioneve duket se e ka dhënë efektin në vitin 2019, ku numri i tyre është ulur ndjeshëm. Ministria e Financave raporton se për vitin 2019 janë parashikuar 63 600 ndërhyrje dhe për periudhën janar-shtator janë realizuar 47 241 ndërhyrje, ose rreth 74 për qind e planit vjetor të parashikuar. Nga tabela (shih tabela 11 më poshtë) rezulton se është ulur ndjeshëm pesha e ndërhyrjeve me kompleksitet të ulët, nga 61.4% në 2018-n, në 42.2% për 9-mujorin 2019. Për gjithë vitin 2019, financat parashikojnë të paguajnë 1.9 miliardë lekë nga buxheti për këtë koncesion. Financat pranojnë që kanë rishikuar në rritje planin e pagesave si për 2018, ashtu dhe 2019.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.