Ekonomia e SHBA-së ka nevojë për ndërhyrje nga kahu i ofertës dhe jo për rritje të normave të interesit nga Rezerva Federale, të cilat nuk do të mund të vendosin nën kontroll inflacionin, tha ekonomisti fitues i çmimit Nobel, Joe Stiglitz.
“Rritja e normave të interesit nuk do të zgjidhë problemin e inflacionit,” tha profesori i Universitetit të Kolumbisë për Lisa Abramovicz dhe Tom Keene të Televizionit Bloomberg në Forumin Ekonomik Botëror që po mbahet në Davos, Zvicër. “Ajo nuk do të sjellë më shumë ushqime për njerëzit. Përkundrazi, do ta bëjë më të vështirë këtë, sepse nuk do të jeni në gjendje që të bëni investime.”
Këto vërejtje do të pasohen brenda pak ditësh nga publikimi i procesverbaleve të Fed-it që lidhen me diskutimet e fundit mbi politikën monetare, duke hedhur potencialisht më shumë dritë mbi shtrëngimet gjithnjë e më agresive të politikave nga ana e Fed-it, të cilat përfshinin një rritje prej gjysmë pike të normës së interesit në fillim të këtij muaji. Stiglitz ofroi një qasje tjetër.
“Ajo që duhet bërë është që të kemi një ndërhyrje nga kahu i ofertës,” tha ai. “Një nga gjërat që Presidenti Biden u përpoq të bënte, është që të rriste shërbimet e përkujdesit për fëmijët dhe kjo do të nënkuptonte që një numër më i lartë grash do të hynin në forcën e punës, gjë e cila do të çlironte njërin prej kufizimeve – ofertën e punës”.
Ekonomisti këmbënguli që prodhimi i ushqimit duhet të jetë gjithashtu një prioritet, si në SHBA, ashtu edhe globalisht.
“Ne kemi pasur teprica të ushqimeve në Shtetet e Bashkuara – kështu që mund t’i kthejmë ato për t’i përdorur,” tha ai. “Të paktën, nëse përpiqemi të bëjmë gjithçka që mundemi në rang global për të rritur furnizimin, do të mund ta trajtonim më mirë problemin sesa duke shkaktuar një depresion.”
Ai shtoi se “vrasja e ekonomisë përmes rritjes së normave të interesit nuk do të zgjidhë inflacionin në asnjë afat kohor”./ Bloomberg