Stoku i detyrimeve të prapambetura arriti në 20,7 miliardë lekë në tremujorin e parë të vitit 2021 me një ulje mbi 12 për qind në raport me fundin e vitit, raportoi Ministria e Financave.
Shkak për këtë ule u bë volumi i madh i rimbursimit të TVSH në prag të fushatës zgjedhore. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave detyrimet e prapambetura nga TVSH e parimbursuar arritën në 6 miliardë lekë në fund të marsit nga 9.7 miliardë lekë që ishin në fund të vitit, me një ule 40 për qind.
Siç shihet nga të dhënat e tabelës së mëposhtme e gjitha ulja e stokut të përgjithshëm të detyrimeve erdhi nga rimbursimi i TVSH-së.
Të ndarë sipas zërave shihet rritje e detyrimeve me 14 % për qeverinë qendrore. Detyrimet e prapambetura të qeverisë arritën gati në 8 miliardë lekë në tremujorin e parë nga rreth 7 miliardë lekë që ishte stoku në fund të vitit.
Vendimet gjyqësore përbënin pjesën më të madhe të detyrimeve të qeverisë me rreth 3,7 miliardë lekë me një zgjerim 5.7 për qind në raport me fundin e vitit 2020. Gjithashtu detyrimet ndaj investimeve në infrastrukturë panë zgjerimin më të shpejtë duke arritur në 2.1 miliardë lekë në fund të marsit, nga 1.2 miliardë lekë që ishin në fund të vitit.
Detyrimet e pushtetit vendor pësuan një rënie të lehtë duke u rritur në 6.8 miliardë lekë në fund të tremujorit të parë të vitit 2021 nga 7 miliardë lekë që ishte stoku me 31 dhjetor 2021.
Megjithë forcimin e ligjeve, udhëzimeve dhe rregullave qeveria dhe entet e saj nuk po arrijnë të të shlyejnë detyrimet ndaj palëve të treta në kohë. Detyrimet e prapambetura janë borxh që nuk përfshihen në llogaritë fiskale , por të detyrueshme për të shlyer. Për rrjedhojë ato janë një borxh real që do të rëndojë njësoj si borxhi i deklaruar ndaj taksapaguesve.
Qeveria shqiptare ka harxhuar miliona euro kredi të dhëna dhe institucionet financiare ndërkombëtare, FMN dhe Banka Botërore pas vitit 2015 të cilat kishin synim të forconin stabilitetin fiskal, të rrisnin transparencën e për rrjedhojë të pengonin krijimin e detyrimeve të fshehura.
Sipas Ministrisë së Financave, detyrimet e prapambetura në fund të marsit ishin 168 milionë euro, por Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportet për audtimin e buxhetit, fakton se këto detyrime janë së paku tre herë më të larta.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.