Strategjia për biznesin dhe investimet, KI: Momenti për reformë fiskale thelbësore

16/07/2021 10:00 AM 0 komente

Qeveria po diskuton prej pak javësh draftin e  strategjisë së Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve 2021-2027 dhe pjesë e këtyre tryezave ka qenë edhe ajo me Këshillin e Investimeve.

Ky i fundit në vlerësimin që i ka bërë dokumentit dhe rekomandimet e tij ka nënvizuar disa aspekte të cilat mund të mbahen parasysh. Një prej tyre lidhet me qëndrueshmërinë, harmonizimin dhe thjeshtimin e masave të politikës fiskale ndaj investimeve dhe NMVM.

“Mund të jetë momenti për të menduar një “reformë fiskale gijotinë/reformë thelbësore”: Stabilizimin e kuadrit ligjor dhe nënligjor fiskal. Këtu bëhet fjalë veçanërisht për procedurat tatimore dhe udhëzimet përkatëse të cilat janë ndryshuar më shumë se 17 herë sa herë që është parë e nevojshme të adresohet një problematikë ad-hoc dhe jo në mënyrë integrale duke krijuar mospërputhje në disa raste midis ligjit dhe udhëzimeve” thuhet në dokumentin e Këshillit.

Ky i fundit nënvizon se ndryshimet e shpeshta përgjatë këtyre viteve, edhe pse në shumicën e rasteve kanë konsistuar në parashikimin e incentivave dhe masave lehtësuese për kategori të caktuara tatimpaguesish, kanë krijuar shumë përjashtime dhe fragmentime tatimore, rregulla dhe kritere specifike të zbatueshme sipas kategorive të tatimpaguesve, të cilat nëse nuk mirëadministrohen mund të krijojnë efektin e kundër dëshiruar sa i përket formalizimit të ekonomisë.

“Mirëadministrimi i tyre në afatshkurtër kërkon: (1) dedikimin e burimeve shtesë, një administratë efikase, e shpejtë, joburokratike dhe e përgjegjshme; (2) transparencë të incentivave sektoriale të zbatueshme për investitorët dhe palët e interesuara nëpërmjet përgatitjes së një inventari sistematik (të përditësuar në mënyrë periodike). Ndërsa në një kontekst afatmesëm, sugjerohet rishikimi themelor i ligjeve të tilla si: ligji 9920/2008 “Për Procedurat Tatimore”, ligji 9632/2006 “Për sistemin e taksave vendore” dhe veçanërisht ligjit 8438/1998 “Për tatimin mbi të ardhurat” i cili ka qenë edhe më herët objekt diskutimi dhe nuk reflekton si duhet kontekstin ekonomik të biznesit dhe të individëve” vlerëson Këshilli.

Sipas këtij të fundit ky komponent është mjaft i rëndësishëm dhe duhet të jetë pjesë e angazhimit serioz të qeverisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë si institucioni përgjegjës për Strategjinë e Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve për të mundësuar që përpjekjet të japin rezultatin e parashikuar si edhe të rrisin besimin ndaj institucioneve dhe qeverisjes pas krizës shëndetësore COVID-19 dhe tërmetit të nëntorit 2019.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of