Jemi, më së fundi, në periudhën më magjike të vitit, gjatë së cilës njerëzit udhëtojnë për të zbuluar atmosferën më të bukur të festave të fundvitit.
Është momenti ideal për të organizuar udhëtime të reja, për të parë me sytë tuaj mrekullinë e Krishtlindjeve.
Rrugët, sheshet dhe lagjet e qyteteve në të gjithë botën shndërrohen në skenën e një shfaqjeje të pashembullt që deh dhe trullos shqisat, me drita vezulluese, pemë madhështore Krishtlindjesh dhe produkte tradicionale.
Tregjet e Krishtlindjeve janë protagonistë absolutë të festave të fundvitit, që pushtojnë qytetet në gjithë botën. Ka tregje të mëdha, tradicionale dhe tregje të lindur së fundmi.
Dhe pastaj është “Striezelmarkt” në Dresden, i cili përveçse konsiderohet një nga tregjet më të bukur dhe më të mëdhenj të Gjermanisë, është edhe më i vjetri në Europë.
Drezden, një përrallë Krishtlindje
Dresden, kryeqyteti i Saksonisë, të magjeps dhe befason me arkitekturën klasike, kishën baroke të Frauenkirche dhe Pallatin madhështor të Zwinger, por edhe për muzetë e shumtë dhe të famshëm, ku ndodhen disa nga kryeveprat artistike më të vlerësuara në të gjithë botën.
Një udhëtim në Dresden, është e sigurt, nuk do t’ju zhgënjejë kurrë. Por nëse dëshironi të njihni shpirtin më romantik dhe më emocionues të qytetit, atëherë ju këshillojmë ta vizitoni kryeqytetin e Saksonisë gjatë periudhës së festave të fundvitit.
Me këtë rast, mes nëntorit dhe dhjetorit, qyteti shndërrohet në një kartolinë Krishtlindjeje, me tinguj dhe ngjyra, drita të shndritshme dhe magji. E gjithë merita i takon “Striezelmark”, një ndër tregjeve të Krishtlindjes më të bukur dhe të mëdhenj të Gjermanisë dhe Europës, si dhe më i vjetri.
Historia e “Striezelmarkt” në Dresden daton shekuj më parë.
Një nga dokumentet e parë që dëshmon ekzistencën e një tregu Krishtlindjesh të ngritur në qytet daton pikërisht në vitin 1434. Dokumenti dëshmon praninë e një tregu me ëmbëlsira tipike të traditës gjermane – Striezel (nga e ka marrë emrin “Striezelmarkt”).
Falë këtij dokumenti, tregu i Krishtlindjeve në Dresden është tregu më i vjetër në Europë, e ndoshta në gjithë botën.
Tradita e ngritjes së tregut në periudhën e Krishtlindjeve është përjetësuar gjatë shekujve, deri në këtë moment, duke e shndërruar “Striezelmarkt” në një atraksion të vërtetë turistik. Nuk është vetëm historia por edhe përmasat e tij që të tërheqin.
Tregu i “Striezelmarkt”, i cili ngrihet në Altmarkt, sheshi kryesor dhe më i vjetër i qytetit është një nga më të mëdhenjtë në vend dhe Europë. Këtu mbi dyqind shtëpi prej druri – me produkte vendase, artizanale dhe tradicionale – krijojnë një shteg mrekullish që gjarpëron mbi një kilometër.
Të shëtisësh në treg do të thotë të jetosh një përvojë emocionuese të së shkuarës.
Të shkosh në “Striezelmarkt”, është e lehtë – aroma e bajameve të thekura, frutave të ëmbëlsuara dhe vin brulé do t’ju çojnë pikërisht atje, në atë shteg të ndriçuar nga dritat vezulluese që zbukurojnë shtëpitë prej druri dhe ndriçojnë gjithçka me magji.
Si Viaggia.it