Studimi i IDM: 9 ligjet që vërtetojnë kapjen e shtetit, nga shembja e Teatrit tek PPP-të

30/03/2021 12:05 PM 0 komente

Kapja e shtetit në Shqipëri është rritur ndjeshëm midis viteve 2008 dhe 2019.

Korrupsioni i nivelit të lartë vazhdon të nxitet nga privatizimi i pronës publike dhe shërbimeve.

Kjo është mundësuar nga mekanizmat e pamjaftueshme institucionale të kontrollit dhe balancës së pushteteve, si dhe nga politizimi i administratës publike. Këta faktorë mbështeten nga një gjyqësor i korruptuar që siguron pandëshkueshmëri për autorët e krimeve, thuhet në një studim që publikoi sot Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM).

Studimi është thelluar mbi mënyrën se grupe të caktuara interesi kanë influencuar dhe ndikuar së paku miratimin e 9 ligjeve, pas të cilave qëndrojnë interesa të ngushta si më poshtë:

1-Ligji për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar

Në fillim të vitit 2018, qeveria e shpalli publikisht qëllimin e saj për të ndërtuar një teatër të ri kombëtar përmes një marrëveshjeje PPP me Fusha ShPK, një kompani private që kishte paraqitur një propozim të pa-kërkuar për këtë qëllim. Komisioni Europian sugjeroi që negociatat e drejtpërdrejta me një kompani private ishin në kundërshtim me ligjet e konkurrencës. Në përgjigje, qeveria e ndryshoi projektligjin për t’ua lejuar kompanive të tjera private të paraqesin oferta. Sidoqoftë, edhe drafti i ri, i cili u miratua (Ligji Nr. 37/2018), dhe posaçërisht aktet nënligjore, parashikonin një status preferencial për kompaninë Fusha ShPK.

2-Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që shfuqizon nenin 62 të Ligjit për Mediat Audiovizive — Neni 62

Neni 62 i Ligjit Nr. 97/2013 për Mediat Audiovizive paraqiti një kufizim të pronësisë në media duke përcaktuar se “asnjë person fizik ose juridik nuk mund të ketë në pronësi më shumë se 40% të një kompanie aksionare që zotëron një licencë kombëtare për transmetim audio ose audioviziv”. Pronarët e mediave e kanë kundërshtuar një kufizim të tillë që nga ajo kohë.

Në vitin 2015, mazhoranca socialiste në pushtet u përpoq ta ndryshonte ligjin dhe ta shfuqizonte nenin 62 të ligjit. BE-ja dhe OSBE-ja e këshilluan mazhorancën socialiste në pushtet ta tërhiqte amendamentin e saj. Për pasojë, pronarët e kompanive të mediave elektronike e çuan çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila vendosi në favor të tyre e cila injoroi argumentin e interesit publik duke favorizuar në vend të tij argumentin e lirisë ekonomike.

3- Ligji për Lojërat e Fatit

Projektligji u përpoq të kufizonte industrinë e lojërave të fatit dhe efektet e saj negative tek të rinjtë dhe familjet duke vendosur një numër masash të tilla si tatimi prej 25 për qind; duke e kufizuar numrin maksimal të njësive në maksimumi 500 për kompani të lojërave të fatit; duke përcaktuar që lokalet e lojërave të fatit nuk duhet të hapen brenda 200 metrash nga institucionet fetare dhe arsimore duke filluar nga Shkurti 2016.

Megjithatë, 24 orë para seancës plenare të Kuvendit, dy deputetë paraqitën një numër amendamentesh që e ndryshuan në mënyrë dramatike ligjin dhe lejuan zgjerimin masiv (në vend të kufizimit) të lojërave të fatit në Shqipëri në dy vitet që pasuan. Amendamentet e ulën tatimin nga 25 për qind në nën 15 për qind, e ulën kriterin e përcaktuar të distancës, e dyfishuan numrin e njësive të lojërave të fatit (duke i ulur kështu me 50 për qind kostot operative) dhe e shtynë afatin kohor për të përmbushur kërkesat e ligjit.

4-Ligji Nr. 95/2013, datë 4 Mars 2013 për Miratimin e Marrëveshjes për Licencën e Lotarisë Kombëtare

Ligji ka formalizuar procedurën e dhënies së licencës së lotarisë kombëtare një kompanie që duket se ishte zgjedhur paraprakisht nga ministri i atëhershëm i financave. Teksa ligji e formalizon këtë proces, procedura e ankandit për licencën e lotarisë kombëtare siç rregullohet në Vendimin Nr. 25 të Këshillit të Ministrave të 11 janarit 2012, përfshiu kritere të dyshimta që çuan në pretendime të bazuara për një fitues të para-caktuar (për shembull, çmim fiks, posedim i licencave të caktuara që nuk shtonin ndonjë vlerë për kontekstin shqiptar).

Për më tepër, siç zbuluan raportet e mediave në atë kohë, kriteret e përshkruara në Vendimin Nr. 25 të Këshillit të Ministrave, të 11 janarit 2012, bazoheshin në një vlerësim të bërë përpara procesit të ankandit nga zv. drejtori i kompanisë austriake që në të vërtetë e fitoi procedurën e tenderit. Duke miratuar një ligj special për ta miratuar formalisht marrëveshjen e licencës kompania fituese fitoi garanci shtesë, veçanërisht duke pasur parasysh se opozita e atëhershme deklaroi publikisht se do ta anulonte marrëveshjen.

5-Amendamentet e vitit 2015 në Ligjin për Koncesionet dhe Partneritetet Publiko-Private (PPP)

Në vitin 2013, Shqipëria miratoi Ligjin për Koncesionet dhe PPP-të, i cili lejonte një bonus deri në 10 për qind më shumë pikë për propozimet e pakërkuara për koncesione në sektorin e energjisë. Amendamentet e vitit 2015 në ligj e zgjeruan bonusin për propozime të pakërkuara në të gjitha fushat që i nënshtrohen ligjit për koncesione dhe PPP, duke përfshirë për herë të parë të njëjtin bonus për kontratat PPP.

Kjo shkaktoi fillimin e bumit të PPP-ve dhe koncesioneve në Shqipëri. Ndërkohë që shumë kontrata koncesionare janë raportuar nga media si shumë të dyshimta, amendamentet e vitit 2015 shënuan fillimin e një serie të projekteve PPP të dhëna kompanive që kanë paraqitur propozime të pakërkuara.

6-Ligji Nr. 52/2019 për miratimin e Kontratës PPP për Autostradën Milot– Balldre

Ky ligj lidhet me një propozim të pakërkuar të marrë nga qeveria e Shqipërisë (QSH) prej një kompanie (A.N.K. SHPK) në fillim të vitit 2018 për ndërtimin e autostradës Milot–Balldre. Vendimi Nr. 387 i Këshillit të Ministrave, i 27 qershorit 2018, dha një bonus prej 8.5 për qind më shumë për kompaninë në procedurën e tenderimit. Më 9 tetor 2018, Ministria e infrastrukturës njoftoi se kontrata për projektin PPP dhe koncesioni 13 vjeçar për autostradën Milot– Balldre do t’i jepeshin A.N.K. SHPK.

Bazuar në kontratën përfundimtare, e cila u miratua me Ligjin 52/2019 – për ndërtimin e një rruge 17.2 km të gjatë – kompania do të kërkojë 256 milionë euro (përfshirë TVSH-në); gati 15 milionë euro për km, një nga rrugët më të shtrenjta në Europë për km që do të ndërtohet në një peizazh gjeografik relativisht të favorshëm. Disa projekte të tjera PPP ose koncesionare kanë ndjekur të njëjtën procedurë (miratimi nga Kuvendi i një kontrate përmes një ligji. special) dhe ngrenë shqetësime serioze rreth korrupsionit. Projekte të tilla përfshijnë “Koncesionin e Orikumit” dhe “Rrugën e Arbrit”.

7-Ligji Nr. 107/2017 datë 30 Nëntor 2017 për ndryshimin e Ligjin Nr. 92/2014 për TVSH-në në Republikën e Shqipërisë — Pragu i TVSH-së

Ulja e pragut të TVSH-së ishte një nga masat që qeveria pretendonte se po ndihmonin për të luftuar nivelet e larta të ekonomisë gri. Kjo masë i detyroi bizneset e vogla të hyjnë në skemën e TVSH-së. Kjo u bë e mundur duke mbyllur hendekun në zinxhirin tregtar dhe duke i detyruar bizneset e vogla të kërkojnë lëshimin e faturave nga bizneset e mëdha, duke çuar kështu në një rritje të deklaratave nga bizneset e mëdha. Kjo u bë përmes nenit 4 të ligjit nr. 107, të 30 nëntorit 2017 (për ndryshimin e ligjit nr. 92/2014 për TVSH-në në Republikën e Shqipërisë), i cili përcakton se pragu minimal për regjistrimin e TVSH-së rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrat.

Në përputhje me këtë nen, neni 2 i Vendimit Nr. 652 të Këshillit të Ministrave, i 10 dhjetorit 2017, përcakton pragun minimal për regjistrimin e TVSH-së për kompanitë me xhiro vjetore deri në 2 milionë lekë (afërsisht 16,000 euro). Shumica dërrmuese e kësaj kategorie biznesesh janë biznese të vogla me pakicë siç janë dyqanet ushqimore. Masa u kritikua si joproduktive për qëllimin në fjalë. Disa raporte të mediave investigative gjithashtu e denoncuan si ligj të bërë me porosi që u shërbente interesave të disa zinxhirëve të supermarketeve (si zinxhiri BIG Market, i cili është në pronësi të një deputeti nga maxhoranca socialiste në pushtet).

8-Ligji Nr. 4/2018 datë 1 Shkurt 2018, për Përcaktimin e Procedurës së Veçantë për Negocimin dhe Nënshkrimin e Kontratave mes Shtetit Shqiptar dhe kompanive CENGIZ CONSTRUCTION dhe KALYON & KOLIN CONSTRUCTION, me objekt Planifikimin, Ndërtimin, Operimin, Mirëmbajtjen dhe Menaxhimin e Aeroportit të Vlorës

Ligji për procedurën e veçantë për ndërtimin e aeroportit të Vlorës si PPP u shpall në fillim të vitit 2018 dhe u miratua me procedurë jashtëzakonisht të shpejtë. Kuvendi e miratoi vetëm 13 ditë pasi u hartua nga Këshilli i Ministrave. Nuk është vetëm mungesa e konkurrencës për këtë investim të madh, por edhe shqetësimet e shumta që lidhen me vetë ligjin dhe procesin e errët të përgatitjes së këtij projekti, që tregojnë shenja të rënda të ligjit me porosi. Për shembull, qëllimi i ligjit është të negociohen kushtet kontraktuale me kompaninë turke pavarësisht nga fakti se kompania nuk u përzgjodh në një procedurë ofertimi ose procedurë tenderimi.

9-Themelimi i kompanisë Air Albania

Themelimi i Kompanisë Air Albania vjen në kontekstin e planeve për “aeroportin e Vlorës”. Qeveria e Shqipërisë e krijoi kompaninë duke përdorur kapital të përbashkët nga TÜRK HAVA YOLLARI A.O. (Linja Ajrore Turke), Albkontrol (një kompani shtetërore) dhe një kompani private (MDN investment) që u krijua vetëm disa ditë para themelimit të vetë kompanisë Air Albania.

Nuk është e qartë pse qeveria e zgjodhi këtë kompani private, çfarë procedure u përdor, dhe pse refuzoi të hapet konkurs. Statuti i MDN investment pohon se kompania do të operojë me qëllim të zhvillimit dhe menaxhimit të Aeroportit të Vlorës. Kjo sugjeron që të dy projektet – aeroporti i Vlorës dhe Air Albania – u bënë me porosi si një paketë.

Kapja e shtetit është rritur në dekadën e fundit

Studimi thotë se, dekada e fundit ka dëshmuar një forcim të bashkëpunimit midis politikës, biznesit dhe krimit të organizuar, që ka arritur kulmin e tij gjatë viteve të fundit. Kontratat qeveritare për biznese të zgjedhura dhe të lidhura me funksionarë të spikatur publikë kanë çuar në keqadministrim të pasurive publike, humbje të jetës dhe rritje të borxheve financiare që i rëndojnë taksapaguesit shqiptar.

Bashkëpunimi mes partive politike, zyrtarëve publikë dhe grupeve të krimit të organizuar për blerjen e votave në zgjedhjet vendore dhe të përgjithshme në këmbim të shfrytëzimit të institucioneve publike për interesa private e ka dëmtuar rëndë integritetin e procesit zgjedhor. Këto prirje vazhdojnë pa u ndalur, pavarësisht reformave të mbështetura nga BE-ja që synojnë të krijojnë e një administratë publike profesionale dhe një gjyqësor të paanshëm dhe profesional.

Në rastin e reformës në drejtësi, ritmi i saj i ngadaltë dhe boshllëku i krijuar nga rivlerësimi gjithëpërfshirës i gjyqtarëve dhe prokurorëve, kanë bllokuar disa hetime dhe kanë zgjatur hetime të tjera. Për më tepër, reforma nuk ka arritur të parandalojë mosmarrëveshjet mes prokurorive dhe gjykatave në lidhje me kompetencën e tyre për t’i ndjekur penalisht dhe për t’i gjykuar çështjet. Mosfunksionimi prej më shumë se dy vjetësh (2018-2020) e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, i ka gërryer mekanizmat institucionalë të kontrollit dhe balancës së pushteteve, duke sjellë përfitime për interesa të paligjshme përmes garantimit të pandëshkueshmërisë.

Për më tepër, mungesa e ekspertizës dhe kapacitetet e dobëta administrative të shërbimit të kërkimit parlamentar, së bashku me vendimin e opozitës në Shkurt 2019 për dorëzuar mandatet parlamentare, kanë lehtësuar miratimin e ligjeve të bëra me porosi. Përqendrimi i përpjekjeve nga institucioneve dhe shoqëria civile shqiptare dhe nga BE-ja në reformën në drejtësi gjatë pesë viteve të fundit ka larguar vëmendjen dhe burimet nga nisma të nevojshme për të forcuar pavarësinë dhe integritetin e administratës publike dhe institucioneve të pavarura – si për shembull Kontrolli i Lartë i Shtetit – dhe organe të ndryshme rregullatorë që janë përgjegjëse për mbikëqyrjen e politikës së prokurimit publik dhe privatizimit.

Veç kësaj, institucioni më i rëndësishëm në drejtim të ushtrimit të mbikëqyrjes së ekzekutivit për të siguruar që politikat publike u shërbejnë interesave publike – Kuvendi – nuk po e përmbush mandatin e tij kushtetues. Përballja me kapjen e shtetit në Shqipëri do të vazhdojë të paraqesë një sfidë të rëndësishme për shkak të trashëgimisë së vazhdueshme të një ekzekutivi autokratik, që përpiqet të kontrollojë dy pushtet e tjera – legjislativin dhe gjyqësorin – pasigurisë së rezultateve të reformës në drejtësi, dhe një procesi politik të dominuar nga paqëndrueshmëria. Por kjo sfidë mund të jetë më pak e dhimbshme nëse reformat e qeverisjes së mirë dhe të shtetit të së drejtës bëhen më gjithëpërfshirëse – përmes një angazhimi më të madh të shoqërisë civile – dhe kanë si qëllim ndryshime tërësore më shumë sesa ndryshime të pjesshme.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of