Studimi i INSTAT: Investimet në rrugë nuk i kanë ulur aksidentet, ecet më shpejt

09/03/2021 12:00 PM 0 komente

Një studim i ekspertëve të INSTAT ka gjetur se, infrastruktura më e mirë rrugore nuk ka ndikuar në uljen e aksidenteve automobilistike.

I njëjti studim thotë se rritja e automjeteve në qarkullim nuk ka ndikuar në rritjen e aksidenteve.

Logjika të çon se investimet në rrugë dhe përmirësimi i infrastrukturës e sigurisë rrugore ndikojnë në uljen e numrit të aksidenteve. Por të dhënat shumëvjeçare tregojnë se nuk ka lidhje mes dy treguesve.

INSTAT ka gjetur se aksidentet në rrugët premtuese (infrastrukturë e re) janë rritur gjatë 2013-2018, në raport me aksidentet që kanë ndodhur në rrugë të këqija. (shih grafikun bashkëngjitur).

Numri më i lartë i aksidenteve ka ndodhur në rrugët me kushte premtuese, ndërkohë që në rrugët me gropa, valëzime, rrëshqitje dhe pluhur, ky numër është më i ulët. Statistikat tregojnë se mbi 94% e aksidenteve ndodhin në rrugë të mira.

Në vitin 2017, përqindja e aksidenteve në rrugë me kushte premtuese ndaj numrit gjithsej të aksidenteve të ndodhura këtë vit, rezulton më e lartë gjatë periudhës së marrë në shqyrtim me 94,8%. Ndërkohë në vitin 2013, aksidentet në rrugë me kushte premtuese ishin 89,9%. Si pasojë, përqindja e aksidenteve në kushte jopremtuese paraqitet më e lartë në vitin 2013 me 10,1%. Kjo shpjegohet dhe me faktin e lëvizjes së automjeteve me shpejtësi të reduktuar në grupin e rrugëve me kushte jopremtuese.

Edhe rritja e numrit të automjeteve në rrugë nuk shihet si një faktor për rritjen e numrit të aksidenteve. Pavarësisht se numri i mjeteve rrugore gjatë viteve 2011-2018 është në rritje, numri i aksidenteve rrugore për 1.000 mjete rrugore është në rënie.

Në vitin 2011, kishte 4,6 aksidente për 1.000 mjete rrugore, ndërkohë në vitet e fundit, ky tregues ka pësuar rënie duke arritur në 3 aksidente për 1.000 mjete rrugore. Të dhënat (e pasqyruara në grafikun në fund) tregojnë se ndryshimi i numrit të mjeteve nuk ka ndikuar në numrin e aksidenteve rrugore pasi rënia e numrit të aksidenteve nga njëri vit në tjetrin është më e madhe sesa rritja e mjeteve rrugore.

Studimi nxjerr në pah se shkaktari kryesor i aksidenteve rrugore në vendin tonë janë faktorët që lidhen me sjelljen e drejtueseve të mjeteve dhe kalimtarëve. Këta faktorë bëjnë që përmirësimi i infrastrukturës aktuale dhe rritja e mjeteve në qarkullim të mos kenë ndikim shumë të madh në reduktimin e numrit të aksidenteve.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of