Dëgjimi i muzikës në sfond “dëmton” aftësinë e njerëzve për të përfunduar detyrat e tyre dhe mbi të gjitha duke ulur nivelin e kreativitetit, shprehen shkencëtarët që kanë vendosur të sfidojnë mitin se muzika na ndihmon dhe na bën që të jemi më kreativë.
Psikologët nga Universiteti Gavle në Suedi, universiteti i Lancashire-it dhe ai Lancaster në Britaninë e Madhe kanë kryer studime në lidhje me ndikimin që ka dëgjimi i muzikës në sfond në performancën dhe në kreativitetin e punonjësve dhe zbuluan se ajo ndikon negativisht.
Të gjithë personat që morën pjesë në këtë studim iu nënshtruan një eksperimenti të tillë: atyre iu dhanë tre fjalë të ndryshme dhe iu kërkua që të gjenin vetëm një fjalë të vetme për të krijuar me secilën prej tyre nga një fjalë të përbërë. Por atyre iu kërkua që ta kryenin një ushtrim të tillë duke dëgjuar muzikë të padëgjuar më parë në sfond, muzikë instrumentale dhe muzikë të cilën ata e njihnin shumë mirë.
Studimi arriti në përfundimin se në të treja situatat e mësipërme, punonjësit të cilët punonin duke dëgjuar muzikë në sfond (qoftë të padëgjaur më parë, qoftë instrumentale apo të njohur) kishin një performancë dhe produktivitet më të ulët dhe rënie të kreativitetit në krahasim me rastin kur punonin pa muzikë në sfond dhe arritën ta kryenin këtë ushtrim në një kohë më të gjatë se ata që punuan pa muzikë në sfond.
Ndërsa në të treja rastet kur punonjësve iu vu në sfond muzikë, në rastin që ata dëgjonin një këngë të njohur ata kishin edhe performancën më të ulët sepse një gjë e tillë ndikonte duke rritur shumë shpërqendrimin e tyre, sepse ata tentonin që ta këndonin atë, duke e humbur përqendrimin nga puna me të cilën po merreshin.
Studimi i kryer nga psikologët e mësipërm është një prej sfidave më të mëdha në drejtim të faktit se muzika është një prej faktorëve që ndikon në rritjen e performancës dhe produktivitetit. Por përveç këtij studimi dhe zbulimeve të tij, ka ende nga ata që mendojnë dhe janë të bindur se një studim i tillë nuk mund të jetë i vërtetë.
Burimi: The Economic Times